Maccabi Haifa në gjurmët e Hamdi Salihit. Bomberi i kombëtares tonë shihet si një opsion i rëndësishëm për sulmin e skuadrës nga Haifa, e cila momentalisht gjendet në vendin e 8-të në kampionatin izraelit, 11 pikë nga vendi i parë, por në garë për të zënë një vend në zonën europiane. Lajmi është raportuar ditën e sotme nga mediat izraelite, të cilat kanë shkruar për këtë transferim të mundshëm të Salihit. Maccabi Haifa është drejt zgjidhjes së kontratës me ish-sulmuesin e Bundesligës, Mohamed Idrizu, dhe Salihi shihet si zëvendësues i tij. Kontrata e shkodranit me Hapoel Akre skadon në fundin e këtij sezoni, por nuk përjashtohet mundësia që të dy klubet të bisedojnë për të kryer transferimin në muajin janar.
30-vjeçari ishte në fushë në fundjavën që sapo lamë pas ndaj Maccabi Haifës në humbjen që skuadra e tij Hapoel Akre mori në shifrat 1-0 dhe ku Salihi zhvilloi një ndeshje të kënaqshme në të cilën tërhoqi vëmendjen e drejtuesve të Maccabit. Ky është sezoni i dytë i Salihit në kampionatin izraelit, teksa gjatë këtij kampionati ka luajtur 8 ndeshje dhe gjetur 4 herë rrugën e rrjetës.
