Hamdi Salihi i është bashkuar Skënderbeut në stërvitje. Sulmuesi i njohur shkodran është ende pa skuadër, ndaj me shumë gjasa do t’i japë një dorë ekipit tonë kampion në turin e dytë kualifikues të Ligës së Kampioneve.
Pjesë e Kombëtares shqiptare, Salihi po mundohet të ketë praktikë loje dhe të jetë në formë sportive, në mënyrë që të mos mbetet jashtë listës së De Biazit për kualifikuesen e 4 shtatorit në Danimarkë. Ai nuk luajti në miqësoren e fundit me Francën, ashtu si disa kuqezinj të tjerë, që kishin marrë leje nga De Biazi.
Gjatë kësaj kohe, menaxherja e tij do të vijojë të kërkojë për ndonjë klub të huaj, ku mund të sistemohet sulmuesi shqiptar, ndërsa një sy e një vesh do ta ketë te Skënderbeu.
Sigurisht, një paraqitje e mirë në një kompeticion si Liga e Kampioneve me juglindorët do t’ia rriste “valencat” Hamdi Salihit për të siguruar një kontratë të re në Europë, në të kundërt nuk do të ishte keq të mbetej pjesë e Skënderbeut.
Presidenti Ardian Takaj e ka kërkuar edhe në sezonet e shkuara ta kishte pjesë të të tijve në Ligën e Kampioneve, por Salihi ka qenë i angazhuar me klube të tjera. Kësaj here duket se do të plotësohet dëshira e presidentit të skuadrës korçare, sepse vetë shkodrani është në një moment “tranzicioni” në karrierën e tij.
Klubi izraelit, ku luante, nuk ia rinovoi kontratën, ndaj për momentin është lojtar i lirë. Fizikisht është te Skënderbeu nga e premtja e 3 korrikut, por me mendje duket se “fluturon” ende në destinacione të reja, mundësisht në Europë, apo më konkretisht në Austri, vend që e pëlqen shumë dhe ku ka spikatur pasi u largua nga Shqipëria.
