Sëmundjet me prejardhje nga ushqimet mund të shkaktojnë një gamë të gjerë simptomash të menjëhershme ose kronike, që nga diarreja deri në kancer. Ambalazhimet abuzive, si dhe kushtet e dobëta të higjienës në tregjet ku shiten produktet ushqimore janë shndërruar në një problem madhor për shëndetin publik, si shkak të i të cilave shfaqet në rritje sëmundshmëria infektive. Kjo problematikë më e theksuar shfaqet gjatë muajve të nxehtë dhe prek më shumë të vegjlit. Edhe pse është folur shumë për shtimin e masave të sigurisë ndaj produkteve ushqimore, puna e bërë nga institucionet përgjegjëse është ende në nivele të ulëta. Kjo veçanërisht në drejtim të shitësve ambulantë që kanë zaptuar rrugët, e që në mungesë të plotë të higjienës tregtojnë produktet ushqimore. Përballë kësaj situate, si dhe premtimeve të vazhdueshme për të krijuar më shumë siguri, ekspertët e shëndetit publik kanë theksuar dje në Ditën Botërore të Shëndetit që për 2015 i kushtohet sigurisë ushqimore se pas blerjes së ushqimeve kujdesi duhet të jetë edhe më maksimal sa i takon kushteve të ruajtjes dhe gatimit të tyre. Sipas autoriteteve tona shëndetësore jetojmë në epokën e industrializimit të prodhimit ushqimor dhe globalizimit të tregtisë së tij, dhe këto ndryshime mbartin me vete mundësi të reja e të panumërta për kontaminimin e ushqimit me baktere të dëmshme, viruse, parazitë apo kimikate të dëmshme. “Të dhënat e studimeve të fundit flasin për dëmtimet që vijnë si pasojë e sëmundjeve të shkaktuara nga ushqimi, nxjerrin rishtazi në pah mprehtësinë e kërcënimit global që paraqesin ushqimet e pasigurta, dhe nevojën për të bashkërenduar nismat e veprimet ndërkufitare nëpër të gjithë zinxhirin e furnizimit të ushqimit. Në këtë stad të ri të zhvillimit botëror, një problem i lokalizuar i sigurisë ushqimore mund të shndërrohet menjëherë një rast emergjence ndërkombëtare. Ndërkohë që, hetimi i shpërthimit epidemik të një sëmundjeje të shkaktuar nga ushqimi bëhet përherë e më i ndërlikuar, kur qoftë edhe një pjatë e vetme, apo një ushqim i paketuar, përmban përbërës ushqimor nga disa vende të ndryshme ”, ka deklaruar ditën e djeshme zëvendësministrja e Shëndetësisë, Milva Ekonomi. Sipas saj, ushqimi i pasigurtë mund të përmbajë baktere, viruse, parazitë ose substanca kimike të dëmshme, të cilat mund të shkaktojnë më tepër se 200 lloje sëmundjesh të ndryshme, duke filluar që nga diarreja e deri te zhvillimi i kancerit. Kundrejt kësaj situate, theksohet se është shumë e rëndësishme që të bëhet kujdes me higjienën e ushqimeve, pasi vetëm në këtë formë mund të ndalen infeksionet intestinale që shkaktohen nga viruset, bakteret dhe protozoarët që futen në trup nëpërmjet gëlltitjes së ushqimit të kontaminuar.
Sëmundjet e marra nga ushqimi
Sëmundjet e shkaktuara nga ushqimet janë zakonisht me natyrë infektive ose toksike dhe shkaktohen nga bakteret, viruset, kërpudhat, prionet, parazitët ose substancat kimike që hyjnë në organizëm nëpërmjet ushqimit, ose ujit të ndotur. Ato janë tepër të zakonshme dhe shkaktojnë ndërlikime të shumta shëndetësore. Sëmundja akute (e menjëhershme), e cila shpesh njihet si helmim ushqimor shkaktohet rëndom nga ngrënia e ushqimit të ndotur nga bakteret, si për shembull nga salmonella, campylobacter, escherichia coli (E. coli), ose nga viruset. Ngrënia e ushqimit të ndotur mund të ketë pasoja tepër të rënda, disa nga të cilat mund të jenë me afat të gjatë, duke përfshirë dëmtim të veshkave dhe mëlçisë, çrregullime të trurit dhe nervave, artrit reaktiv, kancer, septicemi, e madje edhe vdekje.
Simptomat dhe trajtimi i këtyre sëmundjeve
Në varësi të sëmundjes, simptomat mund të fillojnë nga në më pak se një orë, deri në disa javë pas ngrënies së ushqimit të ndotur, si dhe mund të përfshijnë: “Marramendje, vjellje, diarre ose dhimbje barku”. Shumica e njerëzve me helmim ushqimor përmirësohen pa trajtim mjekësor. Ata duhet të pushojnë e të pinë sa më shumë lëngje. Njerëzit me simptoma të rënda, me temperaturë mbi 38°C, ose që janë shumë të dehidratuar duhet të kërkojnë trajtim mjekësor. Bebet dhe fëmijët duhet të marrin gjithmonë trajtim mjekësor. Tek ata që kanë më tepër gjasa të përjetojnë një reagim të fortë ndaj sëmundjes me prejardhje nga ushqimi përfshihen pleqtë, fëmijët dhe bebet, gratë shtatzana dhe njerëzit me imunitet të kufizuar.
5 rregulla kyç për ushqim më të sigurtë
Së pari ruani pastërtinë. Lani duart para trajtimit të ushqimit dhe lajini ato shpesh gjatë përgatitjes së tij. Lani dhe pastroni të gjitha sipërfaqet dhe pajisjet e përdorura gjatë përgatitjes së ushqimit. Mbrojini zonat e kuzhinës dhe ushqimeve nga insektet, brejtësit dhe kafshët e tjera. Së dyti, ndani ushqimet e pabëra nga ato të gatuara. Ndajeni mishin e kafshëve dhe të shpendëve, dhe ushqimet e detit që janë të pabëra nga ushqimet e tjera. Përdorni pajisje dhe enë të veçanta, siç janë thikat dhe dërrasat për prerje, për trajtimin e ushqimeve të pabëra. Vendoseni ushqimin në kuti të mbyllura për të shmangur kontaktin midis ushqimeve të pabëra dhe atyre të gatuara. Një tjetër rregull i kushtohet gatimit të kujdesshëm. Gatuajeni mire ushqimin, sidomos mishin, shpendët, vezët dhe ushqimet e detit. Nxehini ushqimet e tilla si supërat dhe gjellët deri në zierje, për t’u siguruar që kanë arritur temperaturë deri në 70° C. Për mishin e kafshëve dhe shpendëve, sigurohuni që lëngu i tyre të jetë i tejdukshëm, jo rozë. Në rastin më të mirë, përdorni termometër. Ringroheni mirë ushqimin e gatuar më përpara. Në rastin e mishit të kuq dhe mishit të shpendëve, sigurohuni që lëngu të jetë pa ngjyrë, jo rozë. Në rastin më të mire përdorni termometrin. Ndërkohë që duhet të ruani ushqimin në temperatura të sigurta. Mos e lini në temperaturë dhome ushqimin e gatuar për më shumë se 2 orë. Futini menjëherë në frigorifer të gjitha ushqimet e gatuara dhe që dëmtohen lehtë (temperatura e preferuar nën 5°C). Ruajini të nxehta ushqimet (më shumë se 60°C) para se t’i shërbeni. Mos i shkrini ushqimet e ngrira në temperaturë dhome. Së fundi përdorni ujë të pastër, ose bëjeni atë të sigurtë nëpërmjet zierjes.
