Ministri italian “kthjellon” britanikët: BE po përpiqet t’ju mashtrojë

Leda Hysa

 

Pasi ia vendosi BE-së, “kufirin tek thana” duke kërkuar asistencë dhe ndihma financiare për të përballuar fluksin e refugjatëve nga Afrika, madje duke ndërmarrë edhe aktin ekstrem të mbylljes së porteve të Italisë, Matteo Salvini ka nisur një tjetër ofensivë ndaj unionit.

Ministri populist i Brendshëm i Italisë në një artikull të botuar nga Sunday Times, akuzon Bashkimin Evropian se po përpiqet të mashtrojë Britaninë me negociatat për “Brexit”, një proces për të cilin anglezët votuan vetë.

“Nuk ka objektivitet apo mirëbesim nga pala evropiane”, tha Salvini.

“Përvoja ime në Parlamentin Europian më thotë që ju ose impononi veten ose ju mashtrojnë”, shtoi më tej ai, duke nxehur edhe më tepër gjakrat në bisedimet që Britania po kryen me BE.

Britania do të largohet nga BE më 29 mars të vitit të ardhshëm dhe kryeministrja Theresa Maj po përpiqet të bjerë dakord për një marrëdhënie tregtare afatgjatë me bllokun ose për të finalizuar një marrëveshje kalimtare për të mbuluar periudhën menjëherë pas largimit.

Salvini duke iu drejtuar May-t tha që ajo t’u përmbahet parimeve të saj dhe të jetë e përgatitur të largohet nga blloku pa një marrëveshje – diçka që shumë biznese kanë frikë se mund të çojë në kaos.

“Për disa parime nuk ka nevojë të jeni fleksibël dhe të tërhiqeni prapa”, tha ai.

Më vete, gazeta citoi një ministër të paidentifikuar të qeverisë që të thoshte se ushtria e Britanisë do të ishte e gatshme të jepte ushqime dhe ilaçe nëse kishte vonesa në porte pas Brexit.

“Ka shumë planifikime civile të paparashikuara rreth mundësisë së mungesës së një marrëveshjeje. Kjo nuk i frikëson  britanikët”, tha ministri.

Salvini ka kohë që ka pasur një qëndrim armiqësor ndaj BE dhe ka fajësuar euron për keqtrajtimin e zgjatur ekonomik të Italisë. Kohët e fundit, ai ka shtyrë vendet e tjera të BE-së që të marrin më shumë nga emigrantët afrikanë që përpiqen të mbërrijnë në brigjet e vendit të tij dhe duket sikur është “njeriu i hekurt” ose djaloshi i “padisiplinuar” që do t’i hapë shumë probleme lidershipit të bllokut.

l.h/ dita

Share This Article
3 Comments

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *