Kryetari i komunës së Skënderajt në Kosovë, Sami Lushtaku, përmes një letre, ka uruar kryetarin e PS, Edi Rama, për fitoren në zgjedhje.
Lushtaku ndodhet aktualisht në paraburgim, nën akuzën e krimeve të luftës. Së bashku me disa ish- drejtues të tjerë të UÇK-së, ai u arrestua pak ditë më parë.
Letra është publikuar nga gazeta Express.
“I dashur mik,
Më lejoni fillimisht që t’ju uroj nga zemra ju dhe Partisë Socialiste fitoren bindëse në zgjedhjet e 23 qershorit.
Qytetarët e komunës së Skenderajt ndihen krenarë që para disa ditësh Kuvendi i Komunës kishte vendosur që ju të shpalleni qytetar nderi i komunës tonë.
Për shkak se një prokuror ndërkombëtar ka ngritur dyshime ndaj meje se kam kryer krime lufte, dhe se për këtë shkak aktualisht jam i privuar nga liria, kemi qenë të detyruar që ndarjen e titullit Qytetarit Nderi ta shtyjmë për një kohë të pacaktuar, por jo të pafundme. Jam i bindur që shumë shpejt do t’iu presim në Skenderaj, si Qytetar i Nderit.
Siç, edhe jam i bindur që qytetarët shqiptarë në zgjedhjet e ditës së diel bënë zgjedhjen e duhur.
Vota e tyre sigurisht se do të jetë një motiv i jashtëzakonshëm për ju dhe ekipin e juaj që ta bëni realitet ëndrrën e shqiptarëve për t’i integruar në familjen evropiane,” thuhet në letër.
