Sampdoria sheh Samir Ujkanin si zëvendësues të mundshëm të portierit Romero, i cili është huazuar te Monako. Kandidatët janë të shumtë dhe midis tyre është edhe portieri kuqezi, i rikthyer te Palermos pas disa muajve huazim te Kievo. Interesant është fakti se të tre portierët e Palermos janë në listën e gjenovezëve, ashtu si dhe Bizarri i Lacios, portieri që dëshiron të largohet dhe pritet të zëvendësohet nga Etrit Berisha. Ujkani mbetet favorit për t’u vënë nën urdhrat e Delio Rosit për një arsye të thjeshtë, kartoni i tij kushton më pak, por edhe rroga që ai përfiton në një sezon është ndjeshëm më e ulët se e rivalëve të tij. Pak ditë më parë presidenti i Palermos, Zamparini, i dha besim të plotë portierit të kombëtares shqiptare për vendin e titullarit te skuadra siciliane, ndërsa trajneri Gatuzo zbuloi se 25-vjeçari nuk ka mbështetjen e duhur në ishull. Për Ujkanin është shumë e rëndësishme që të luajë titullar, qoftë edhe në Serinë B, megjithatë një ofertë nga Sampdoria, edhe nëse nuk do të jetë më e mira në terma financiarë, vështirë të refuzohet nga portieri kuqezi.