Samir Ujkani është përsëri me valixhe në duar dhe mund të largohet nga Palermo me ardhjen e merkatos së janarit. Portieri kuqezi u huazua janarin e kaluar te Kievo, por atje nuk luajti asnjë ndeshje. E njëjta gjë ka ndodhur edhe pas rikthimit te Palermo, ku pritet të jetë titullar këtë javë, por vetëm sepse është dëmtuar portieri i parë, Stefano Sorrentino. Për këtë arsye, menaxheri Alberto Fontana ka deklaruar për portalin calciomercato.it se portieri kosovar mund të largohet në janar. “Samiri dëshiron të kthejë besimin e munguar, pastaj në janar, me qetësi dhe me marrëveshje me presidentin e drejtorin sportiv, do të marrim vendimin e duhur”, thotë Fontana. Kontrata e Ujkanit me Palermon skadon në qershorin e ardhshëm.