Motivi im për t’ju shkruar, nuk është i ndërtuar nga imagjinata, por është produkt i ndërtuar nga realiteti i sotëm, qe vjen si pasojë e teprisë së mossuksesit të politikanëve shqiptarë. Këtu nuk bëjnë përjashtim as të huajt, që në esencë kanë vetëm një dallim nga politikanët shqiptarë; flasin anglishten më rrjedhshëm… Besoja se 15 vitet e fundit qe e pamundur të përmblidheshin në një shkrim të vetëm, por kur e mendova qe shumë e thjeshtë, madje përmblidheshin në një fjalë të vetme – TURP. Institucionet shtetërore në Kosovë përbëhen nga grupe njerëzish me një motiv të vetëm për bazë, të qëndrojnë në ato vendpushimore sa më gjatë që të jetë e mundur. Nga ato habitate katundareske rrjedhin tonelata me moral ndërsa bëhen vjedhjet e mëdha…
Zhdukja e absurdit 1:
Filozofia e Burojës: Instalim i pandëshkueshmërisë; kërcënim dhe shantazhim; zhvatje deri në palcë Filozofia e Burojës bazohet në kulturën e fiseve që është; zbrazja e dijes nga njeriu. Në filozofinë e Burojës, shumësia e mendimeve është e pakuptimtë, e panevojshme, e paarsyeshme. Shumëllojshmëria e mendimeve paraqet kërcënim për Burojën. Buroja është vendlindja e monologut, monologu është vendlindja e totalitarizmit, totalitarizmi është vendlindja e Kryeministër Thaçit.
Kryeministër Thaçi, me mentalitetin e tij katundaresk benign dhe me qëndrime anti-intelektuale, ndërtoi mallkimin si pjesë të mitologjisë së mendimit të lirë. Kryeministër Thaçi, instaloi filozofinë e Burojës. Ndërtoi një iluzion. E reprodukoi iluzionin dhe e instaloi gjithkund, në çdo institucion, në çdo pore të jetës. Filozofia e Burojës funksionon si në filmat e luftës partizan me gjerman të realizmit socialist, kur në vend të lirisë, populli zgjedh partinë. Partia është liria. Partia është mirëqenia. Partia është jeta brenda klishesë… Tani më, zhbërja e mentalitetit të Burojës, është e mundur (por) vetëm si pamundësi.
Ne, në të pamundurën jetojmë. Vetëm tek ne e munduara nuk është e mundur. Buroja e mundëson të pamundurën. Pankatundarizmi aktual politik, ka për detyrë që me çdo kusht të bllokoj, të sabotoj dhe të paaftësoj mundësinë.
Aty ku s’ekziston e mundura, s’ka liri, s’ka dinjitet, s’ka ardhmëri, s’ka shpresë. Prandaj fëmijët tanë sapo lindin kërkojnë të migrojnë. Prandaj fëmijët tanë kundërshtojnë të lindin. Prandaj fëmijët tanë nuk e duan Kosovën.
Zhdukja e absurdit 2
Indiferenca: E përvetësuar që moti, nga e cila kemi krijuar varësi. Askujt më nuk i bën përshtypje dhe as nuk i pengon vjedhja e pronës së shtetit apo dëmtimi i shtetit. Askush nuk trajton padrejtësitë, kombin, shtetin…Sepse të gjithë tani më e kanë kuptuar se ky shtet s’bëhet. Ky shtet ekziston për ta zhvatur, për ta dëmtuar, për t’u pasuruar individët (e politikës) për mirëqenien e tyre. Prandaj, motiv (pothuajse) i çdo pjesëtari të këtij populli, veshur me indiferencë të tepruar, është arritja e mirëqenies individuale.
Individi me indiferencë, që siguron mirëqenien materiale, do pranonte të rronte në çfarëdo lloj forme, çfarëdo lloj sistemi, çfarëdo lloj qeverisjeje që do ekzistonte shteti, përderisa nuk i cenohet mirëqenia individuale dhe përderisa nuk e pengon të jetojë i qetë në mirëqenien e tij…
Shqiptarët, janë njerëz me vetëdije të pafat. Pjesa tjetër që jeton në pamundësi absolute individuale ekzistenciale, instalon indiferencën pa dëshirë… Përndjekjet partiake dhe institucionale (e njëjta gjë) kë godasin? Ata që marrin guximin të thonë fjalën e tyre, të kundërshtojnë sistemin, të thonë të vërtetën, të mbrojnë pikëpamjen e tyre, me një fjalë, të ndershmit.
Çfarë cilësish i dhanë individit shanset e mëdha për mbijetesë: mendja, talenti, nderi, dinjiteti vetjak, fortësia morale…Të gjitha këto cilësi e pengojnë mbijetesën në Kosovën e sotme. Bartësit e këtyre cilësive ose e braktisën vendin, ose u “zhdukën” në mënyrë të planifikuar. Cilësitë e ndritshme që e bëjnë njeriun të shquhet, njëkohësisht e bënë dhe shënjestër… Por cilat cilësi e ndihmuan mbijetesën? Kujdesi i tepruar, fshehtësia, intriga, servilizmi, elasticiteti moral (amoraliteti), mungesa e ndjenjës së dinjitetit vetjak…
(Jo dhe aq) I dashur Samuel
Një politikan Europian kohë më parë thoshte: Bashkimi Europian, nuk ka nevojë t’i okupojë vendet e Ballkanit që të arrijë t’i bindë që të ndërrojnë qasje, mjafton të mos bëjë asgjë. Është e pakuptimtë dhe e padrejtë, që për shkak të politikanëve të pandershëm, të pamoralshëm dhe të paaftë (pa-zot), të ndëshkoni tërë popullin shqiptar të Kosovës (sepse popujt tjerë e kanë mundësinë e dyshtetësisë dhe mundësinë e lirë të lëvizjes në Europë).
Ju e keni ndihmuar dhe shndërruar një popullatë të sinqertë dhe të shumë vuajtur në popullatë klaustrofobike. E keni izoluar, i keni ndërtuar kufijtë. Nga izolimi që na keni vënë, për të na ndëshkuar, është duke u krijuar njëmendësia. Njëmendësia është e rrezikshme, sepse si produkt i saj, janë shkaktuar të tëra tmerret e njerëzimit…(Në një botë të mbyllur, barbarizmi respektohet dhe festohet, vlerat e ulëta morale shpërblehen, e keqja lihet e lirë, madje e keqja fiton mbështetës, dhe nuk gjykohet…).
Populli shqiptar në Kosovë, këtë zgjedhje ka. Këto parti politike ka. Këta lider politikë ka. Se jeni ju ata, që në një mënyrë apo tjetër, i keni stimuluar dhe i keni mbështetur, për interesa (që ju i dini), këta lider dhe partitë e tyre. Ka pasur iniciativa qytetare, të cilat dhe me ndihmën tuaj të pakursyer, i luftuat deri në shuarje…
Shoqëria civile, të cilën ju e mbështesni, dhe pa fije turpi e quani – opozitë, është një trampolinë që shkurton kalimin e rrugës nga asgjëja në habitatin e katundarëve – qeveri. Ne jetojmë mënyrën tipike të jetesës pasive. Ne jetojmë me një ambicie të vetme, se si ta vrasim kohën, dhe është pikërisht koha ajo që po na vret të tërëve, pa përjashtim. Ju duhet ta dëftoni të vërtetën (RTV 21); ku ndodhemi, në ç’gjendje, në ç’stad marrëzie politike. Vlera e parë civilizuese europiane është – e vërteta. Dhe ju, duhet t’ia thoni popullit të vërtetën europiane për veten (të mos thënit asgjë është deklarata universale e politikanit).
Këtu, në këto troje, ka kohë që është zhdukur absurdi. Dhe një nga detyrimet e para që duhet vënë Kosovës, është: rikthimi i absurdit-etit. Absurdi është shenjë mbrojtëse e civilizimit. Momentin që humbet absurdi, instalohet mentaliteti katundar benign që për pasojë instalon njëmendësinë. Dhe aty çdo gjë mbaron. Dhe këtu, çdo gjë ka mbaruar.
***
Një gjë të fundit do t’ju them Z. Zhbogar (europiani i pasinqertë), momentin që do liberalizohen vizat një ditë, vite më pas, ky vend do zbrazet nga “mirëqenia që na kanë vënë politikanët tanë”. Do boshatiset. S’do mbetet njeri përpos atyre që s’janë në gjendje të udhëtojnë (të sëmuret rëndë dhe pleqtë e palëvizshëm). Madje do të ikë edhe vetë ministrja e Integrimeve. Dhe ky konstatim nuk është projeksion filmik me zhanër absurdi, por një e vërtetë. Politikanët tanë e meritojnë që të mos kenë popullatë për të sunduar. Atëherë dhe vetëm atëherë do të vetëdijësoheshin. Do ta kuptonin se s’kanë se si të arrijnë të pasurohen…Atëherë dhe vetëm atëherë, do punonin që ta kthenin popullatën nga Europa, që sërish ta vidhnin, që sërish të mbipasuroheshin…
P.S
Të “dashur” politikanë, që keni bërë zap filozofinë e Burojës! Nëse fyeni nga ky shkrim i imi po ju them se: në vendin ku bëhen vetëm duete estrade dhe koalicione (të panatyrshme) partiake, unë ofendohem çdo ditë, se shikoj Hashimin, Atifeten, ju dhe të tjerët të shfaqeni në TV, çdo ditë, disa herë në ditë… Unë ofendohem dhe mbushem me vrerë kur shoh këtë racizëm mazohist kulturor institucional. Kur shoh se si të diturit (intelektualët prej vërteti) dhe gjenitë i keni ndaluar me ligj.

Shkelqyer! Thjesht shkrim i shkelqyer dhe, fatkeqesisht, totalisht i vertete.
Shkrim perlë. Ju falenderoj Z. Kastrati
Vertet keta politikane nuk meritojne te ken popull per te sunduar…Shkrim briliant!