Ish-kryeministri kroat, Ivo Sanader, është në qeli. Ivo Sanader udhëhoqi Kroacinë për gjashtë vjet. Ai ishte kryeministri i anëtarësimit të Kroacisë në NATO, kryeministri që aplikoi dhe fitoi statusin e vendit kandidat për në Bashkimin Evropian, kryeministri i liberalizimit të vizave dhe i prag-anëtarësimit të vendit të tij me të drejta të plota në Bashkimin Evropian. Kur i radhit të gjitha “arritjet” e tij, që janë shumë herë më të mëdha se çdo kryeministër i yni, bile se të gjithë të marrë së bashku, dhe kur shikon seriozitetin me të cilin drejtësia i vë prangat një ish- kryeministri e kupton qartë pse Kroacia i kapërceu aq shpejt pengesat që kishte në rrugën drejt BE-së, pas luftës dhe rënies së regjimit të Tugjmanit.
Në bilancin tonë të 5 viteve të fundit ne kemi dy ish- kryeministra të mëparshëm që kanë qenë etiketuar së paku si kampionë të korrupsionit nga Sali Berisha dhe tashmë bashkëqeverisin me Sali Berishën. Në historinë tonë të pesë viteve të fundit, ne kemi një akuzë zyrtare nga prokuroria e vendit për një abuzim me rreth 250 milionë euro në një projekt të dyshimtë për nga kostoja financiare, dhe në shkelje të gjithë procedurave të tenderimit në Shqipëri, dhe çështja është mbyllur me procedurë pa u ndëshkuar askush. Në historinë e këtyre pesë viteve ne kemi një histori korrupsioni dhe kapje shteti në Gërdec, që u përgjak nga gjaku i 26 viktimave dhe zyrtarët përgjegjës u mbrojtën me imunitet. Në historinë e këtyre pesë viteve për koincidencë, ne kemi një histori spektakolare, jo të privatizimit, por të dhurimit të kompanisë shtetërore të Naftës ARMO për një biznesmen të familjes në pushtet dhe askush deri më sot nuk ka dhënë llogari për këtë mungesë transparence dhe kapje të shtetit.
Kur ua përmend njerëzve të pushtetit këto fakte, ata mbrohen duke na thënë se për shkak të luftës kundër korrupsionit Shqipëria hyri në NATO dhe u liberalizuan vizat!!! Kryeministri kroat Ivo Sanader, ka bërë shumë herë më shumë se kaq. Ka bërë Paktin e Adriatikut, statusin e vendit kandidat për anëtar, liberalizimin e vizave, futjen në NATO, rritjen e standardit të qytetarëve të Kroacisë, bumin real të turizmit, privatizimin e ekonomisë, vendosjen e rendit dhe luftën kundër krimit, por po i bën dhe një shërbim më të madh Kroacisë se gjithë këto. Po shkon, pa shumë dinjitet, para drejtësisë për të dhënë llogari për gjithsej 1 milionë e gjysmë euro, për të cilat në Shqipëri tallet dhe një bodigard i Berishës.
Po të ishte në Shqipëri Ivo Sanader, skenari do të ishte ndryshe. Njerëzit e tij do të akuzonin drejtësinë si të lidhur me të shkuarën dhe interesa politike të së sotmes, kryeprokurori do të akuzohej si i kapur nga krimi dhe e kaluara komuniste, do të bëhej urgjent një ligj që të frikësoheshin gjyqtarët dhe prokurorët, të cilët mund të merrnin çështjen në dorë dhe në fund prokurori do vononte një ditë përtej afatit dosjen e tij. Nga ana tjetër, mbështetësit e tij do të mbushnin ekranet duke u çjerrë se po arrestojnë njeriun që na futi në NATO, që na hoqi vizat, që na privatizoi ARMO-n etj. Dhe natyrisht, pas kësaj Evropa nuk do të bënte asnjë hap për t’i lejuar Kroacisë anëtarësimin në Bashkimin Evropian. Por Ivo Sanader nuk e ka fatin të jetë në Shqipëri. Për fatin e tij të keq ai është shtetas i një vendi, i cili siç të respekton historinë, respekton dhe drejtësinë dhe sot gjendet pas hekurave, duke i bërë vendit të tij nderin e fundit, si një vend që e meriton Perëndimin.
Foto e 2007: Ivo Sanader (i pari në të majtë), ish-presidenti amerikan Bush, kryeministri i Shqipërisë, S.Berisha dhe N.Gruevski i Maqedonisë në 2007