Po, pikërisht ashtu si ylli i skuadrës londineze, Alexis Sanchez, i cili më në fund është rikthyer në stërvitje me “Topçinjtë”. Sulmuesi ka qenë me leje të veçantë nga trajneri Arsene Wenger, pas angazhimit me kombëtaren kiliane në Kupën e Konfederatave, ku arriti deri në finale, por tashmë duhet të rinisë punën para sezonit të ri.
Së fundmi pati spekulime se 28-vjeçari nuk do të shihej më në kryeqytetin e Anglisë, meqë kërkon të transferohet te një skuadër e cila luan në Champions League.
Gjithsesi, këto spekulime, të paktën përkohësisht, “sfumohen” me paraqitjen e sotme të ish-yllit të Barcelonës. Kontrata aktuale e Sanchez-it përfundon në qershorin e ardhshëm dhe deri tani ai ka refuzuar të rinovojë. Kërkesat e tij ekonomike janë tepër të larta: rreth 25 milionë euro në vit, thuajse sa yjet si Lionel Messi dhe Cristiano Ronaldo.
Për të kanë interes Manchester City dhe PSG-ja, dy klube me potencial të lartë. Sanchez është në dilemë, por kështu edhe Arsenali. Një lojtar i cili mund të shitet për rreth 50 milionë euro nuk mund të “mbahet me zor” në skuadër, duke ditur që pas një viti do të largohet me parametra zero.
