Sandër Simoni, kandidati i mazhorancës për kryeprokuror

redaktor

Largimi i Ina Ramës në fund të nëntorit për mazhorancën është një çështje që nuk diskutohet më. Presidenti Nishani më 22 nëntor do të çojë në Parlament emrin e ri që do të zërë vendin e kreut të akuzës. Burime të sigurta nga mazhoranca bëjnë me dije se PD-ja do t’i sugjerojë Presidentit dy emra të cilët do të hidhen në diskutim. Emri i cili qëndron në krye të listës është ai Sandër Simonit, i cili aktualisht mban për herë të dytë postin e kreut të Gjykatës së Krimeve të Rënda.

Simoni pritet t’i paraqitet publikut si një figurë i cili nuk është i atakueshëm as nga opozita. Me emrin e Simonit, Berisha kërkon të mos krijojë një tjetër debat me opozitën, duke qenë se është një figurë që ka pasur poste drejtuese edhe në kohën që vendin e kanë qeverisur të majtët. Ai është kryetari i parë i Gjykatës për Krime të Rënda në kohën kur ajo u formua, në vitin 2004.

Mësohet se Simoni është një emër që është sugjeruar nga ministri Eduard Halimi, i cili ka pasur mundësi bashkëpunimi me të vite më parë.

Por për Simonin ka dy “gurë” të rëndë mbi kurrizin që ia mbulon manteli i zi dhe që janë të errëta sot e kësaj dite për publikun. Një denoncim dhe padi në gjykatë nga ish-studentja e tij, sot gjyqtare në Shkodër, për plagjiaturë, si dhe lidhja e dyshimtë me ryshfetin 150 mijë euro për të liruar nga burgu Emiljano Shullazin, një emër i njohur i botës së krimit në Shqipëri.

Pas disa vitesh orvatje gjyqësore dhe zvarritje pa fund, duket se ka qenë ish-zëvendësministri i Drejtësisë, Eduart Halimi, që është fshehur pas hijes së skandalit dhe pastrimit të figurës, ku pas një pushimi të gjatë rikthehu Simonin në elitën e gjyqësorit. Ndërsa procesi për plagjiaturë ende vazhdon, dhe ky fakt mjafton që Simoni me “njollën” e zezë të mos kandidojë dot. Kujtojmë që plagjiaturat e disa kryeministrave dhe ministrave evropianë, iu ka kushtuar atyre postet.

Share This Article
Leave a Comment

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *