Koreja e Veriut i ka konsideruar ofertat për bisedime nga Jugu si “të pasinqerta”.
Ministrja e Jashtme koreano-jugore Kang Kyung-wha e ngriti këtë çështje me homologun e saj koreano-verior Ri Yong Ho në një forum rajonal të ASEAN të organizuar në Filipine gjatë fundjavës.
Por media shtetërore koreno-veriore raportoi se nuk do të kishte negociata mbi programin e debatuar të armëve bërthamore, për shkak të kërcënimeve që vijnë nga Shtetet e Bashkuara dhe sanksioneve më të reja të vendosura nga Kombet e Bashkuara përgjatë fundjavës.
Sipas agjencisë shtetërore të lajmeve KCNA, këto sanskione janë një shkelje e sovranitetit të Koresë së Veriut dhe Peniani është zotuar të marrë masa. Vendimi unanim i Këshillit të Sigurimit vjen pas testeve të përsëritura bërthamore nga veriu, të cilat kanë shtuar tensionet në gadishull.
I pranishëm në këtë forum ishte edhe sekretari amerikan i shtetit Rex Tillerson. Ai u shpreh për gazetarët se vota unanime e Rusisë dhe Kinës në imponimin e sanksioneve të reja tregon qartësisht se komuniteti ndërkombëtar kërkon njëzëri që Koreja e Veriut të heqë dorë nga testimet bërthamore.
Rusia dhe Kina kanë patur pikëpamje të ndryshme sa i përket trajtimit të kësaj çështjeje, por në muajt e fundit kanë bashkuar forcat për t’i kërkuar Penianit të ndalojë programin nuklear si dhe kanë nxitur Shtetet e Bashkuara dhe Korenë e Jugut të pezullojnë stërvitjet e përbashkëta ushtarake.
