Pa u larguar ende mirë nga Real Madrid, Zinedine Zidane është shndërruar në kandidatin numër 1 për të drejtuar Chelsea-n.
Pak ditë pasi fitoi Champions League për herë të tretë rresht, ai shokoi sot Florentino Perez-in dhe të gjithë tifozët madrilenë kur deklaroi dorëheqjen në një konferencë live për shtyp.
Në mediet botërore menjëherë dolën emrat e parë që mund ta zëvendësojnë atë në “Bernabeu”, por edhe emri i tij tashmë është në listën e atyre që mund të marrin frerët e bluve të Londrës pasi Antonio Conte me shumë siguri do të largohet, pavarësisht fitimit të titullit dhe Kupës së Anglisë në dy vitet që ishte në drejtim.
Deri tani në krye të listës së kandidatëve të Roman Abramovich ishte ish-trajneri i Napoli-t Maurizio Sarri, por me dorëheqjen e sotme surprizë nga Real Madrid, Zidane kalon menjëherë në krye, si njeriu i preferuar nga pronari rus i Chelsea-t.
Ditë më parë emri i tij u lidh edhe me kombëtaren e Francës, me të cilën ka fituar një Botëror dhe një Europian, por ndoshta drejtimi i një klubi tjetër në kontinent mund të jetë një sfidë më tërheqëse për të.
E sigurt është që me CV-në që ka, Zidane është emri më i kërkuar i momentit.
9 trofe në më pak se tre vite në Madrid e shndërruan shpejt nga një trajner të ri pa përvojë në një legjendë të Realit dhe jo vetëm.
Sipas “The Sun”, Abramovich i ka komunikuar menjëherë vartësve të tij që të monitorojnë situatën e Zidane sapo mësoi për largimin e tij nga Real-i.
Rusi është i fiksuar pas trofeut të Champions League dhe kërkon ta shohë Chelsea-n përsëri në majë të Europës, çka e bën Zidane kandidatin perfekt për të.
Se sa i gatshëm do të jetë Zizou të nisë një aventurë të re kaq shpejt, apo do të presë një telefonatë nga kombëtarja franceze, kjo mbetet për t’u parë.
a.s/dita
