Saranda, “bukuria që vret”!…

DITA Online

Mihal Gjergji

Saranda, qyteti me shumë emra. Në hyrje, një rrugë me emërtesë ere: onhezmi. Ndoshta, ky i fundit është babai i Eneas, i cili, mbasi u kthye nga lufta e Trojës, bëri shtatë ditë rrugë për të mbërritur në Dodonēn dimërkeqe, në lartësitë e Tomorrit. Orakujt i thanë se ilirët duhet të shtriheshin edhe përtej detit. Enea u kthye, kështu shkruan Homeri, qëndroi një natë në Butrint, pastaj u nis me lundërtarët, kjo pra shënon themelimin e Romës…
Saranda – Santi Quaranti, qyteti i dyzetë shenjtorëve. Ata s’janë veçse dyzet ushtarë të sulltanit që u martirizuan për mbrojtjen e territoreve të perandorisë së dikurshme, e ngaqë sulltani ishte edhe “Kalif” i shpalli shenjtorë. Në nderim të tyre ndërtoi manastirin.

Jemi në fundin e shekullit të XIV, kur venecianët dorëzuan territoret dhe popullatat e vendeve të pushtuara. Pafuqia për tu përballur me osmanët, bëri që, nga Peleponezi e deri në Dalmaci, ata që ne i quajmë -Arvanitas, të ndjeheshin të tradhtuar…Janë gjaku dhe raca jonë, mbetur si gurë pa mbishkrime brigjeve të Mesdheut. Musolini dëshironte që, Sarandën t’ia bënte dhuratë vajzës së tij, Edës.
Qytetet ngjajnë me organizmat e gjallë; kanë mushkëri, zemër, krahë, por kanë edhe plagë.
Saranda ka det, por s’ka plazh, mbi krye rrjedh Bistrica, por s’ka ujë për të pirë, ka lokale pa fund, por ka edhe varfëri ekstreme, ndryshe, sarandiotët s’do largoheshin nga ky vend i bekuar. Unë di ta lexoj dëshpërimin qytetar. Në buzën e çarë të një nëne (janë me mijëra të tilla!) -shikoj edhe një të çarê shteti.
Në kohën time të kursyer, bëra një vëzhgim të rastësor. U ndala te shëtitorja që mban emrin e njërit prej kolosëve të iluminizmit shqiptar, Hasan Tahsinit. Provova një ndjesi drithëruese; turma, sigurisht që s’e njeh, por s’duhet të shkelë mbi dhimbjen e tij. Mes shëtitores është një përmendore (nëse mund ta quajmë kështu) e këtij mendjendrituri. E fotografova në muzg, sepse në terr e kanë lënë. Nëse ja dini varrin, ma thoni, t’i vendos një lule!
Pas krahëve dëgjoja fjalët e një gjuhe që më krijon gjendje shushame: -“Sarandi eqi poli kozmos “. Por kjo s’më shqetëson. Hasanin s’e merr greku, sepse është çam, ndërsa Çamërinē e mori, kurse turku është larg, për ta rivrarë përsëri. Këto zëra mund të jenë edhe të fëmijëve tanë, të cilët kanë lindur në Greqi, s’dinë ta shkruajnë e ta lexojnë gjuhën tonë të bukur…Ndoshta këtë rrugë ndiqte edhe Naim Frashëri, kur kthehej nga puna, për t’u ulur pastaj nën dritën e qiririt, e për t’i kënduar bukurisë shqiptare. Ky i fundit, është nxënësi i të parit. Hoxhë Hasan Tahsini, Rektori i parë i Universitetit të Stambollit. Deri te Ura e Bosforit e mbante mbi krye festen e hoxhës, pastaj e hiqte, e vendoste në brezin e mesit, pra pushonte teologu dhe fliste shkencëtari. Ai tashmë ka fituar barazinë më të thellë, i është dorëzuar pushtetit të vdekjes, si gjithë të tjerët. Por edhe lirinë më të madhe. Ka mbërritur në orbitën ku qëndrojnë yjet. Indinferecave e mediokërve s’mund ta lëndojë këtë gjigant.

Brenda kësaj shëtitoreje janë të gjithë; ato që duan të shiten dhe ata qê kërkojnë të blejnë, turistë të huaj, shqiptarë të ardhur nga viset veriore, qejflinj e meskëputur nga hallet, të cilët përpiqen te shesin ndonjë misër te pjekur. Diku më lart, një muzikë joshëse me fyell, motive spanjolle përzier me trishtimin aziatik. (Fyelli i Naimit-jo!). Pastaj, lëkurë qengjash e delesh, mbi të cilat ishin stampuar portrete gjeneralësh, artistësh, këngëtarësh, etj. Aty e gjeni Tanganikën. Zanzibarin, Kongon, Zelandën…Portrete politikanësh s’më zuri syri. Ndoshta lëkurët e ujqërve ekspozohen gjetiu.

Mes pallateve fantazmë, bizneseve fantazmë, pushteteve fantazmë, kërkova më kot të veçoja bukuritë e qytetit. S’kisha kë pyesja: -sa gjimnazistë të shkëlqyer u diplomuan këtë vit? Sa studente vazhdojnë jetën universitare? Sa vende pune janë hapur? A ka poetë, piktorë, këngëtarë, aktorë ky qytet? Sa mësues jetojnë në gjendje mjerimi? Sa do rritet buxheti i shtetit për arsimin vitet vijuese? Në cilat banka të botës mbërrijnë lekët e biznesmenëve shqiptarë?

Ky qytet, zgjohet tre muajt e verës dhe bie përsëri në gjumë. Kërkova me sy edhe kurveleshasit e mi, ata që, kur komisioni ndërkombëtar i kufijve hiqte vijat mbi harta, veshën fustanellat e qeleshet, ngjeshën jataganët dhe zbriten këtu, ne Sarandë. E dhanë mesazhin me këngën polifonike; këtu jetojnë shqiptarët, flasin shqip dhe  këndojnë shqip.

“E dini kush janë ata?
Pyet padishanë e bija
Janë ca xhinde, duan tyja
Janë ata, nga Labëria…”
Ata janë përsëri aty, për të ruajtur sinorët, edhe pse të tradhtuar. Ndoshta një kohë, botën do ta drejtojnë gjenitë, shkencëtarët dhe filozofët. Kjo mund të ndodhë edhe tek ne, ndryshe, xhindet mund të zgjohen.

 

 

 

Share This Article
1 Comment

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *