Saranda, solidarizim me Limosin

redaktor

E nderuar DITA! E konsiderojmë një gjest fisnik dhe ndërgjegje të lartë qytetare solidarizimin dhe mbështjen morale që i dhanë 28 intelektualët, profesorët dhe artistët e Tiranës, kompozitorit të rrethit tonë dhe të të gjithë Shqipërisë, “Artistit të Merituar” Limos Dizdari, për dhunën verbale të ushtruar ndaj tij. I konsiderojmë një gjest antikulturor presionet dhe shantazhet që ushtrohen pikërisht mbi krijuesin që aq shumë ka kontribuar për kulturën artistike të popullit tonë.

Si intelektualë dhe drejtues të sektorëve të ndryshëm ekonomikë e shoqërorë të Sarandës, ne e dënojmë me indinjatë të thellë një veprim të tillë që bie ndesh me normat etike, demokratike dhe kulturore të shoqërisë sonë të civilizuar.

Kompozitori i mirënjohur Dizdari, ka punuar për disa vjet në qytetin tonë dhe ka dhënë një kontribut madhor në zhvillimin muzikor dhe kulturor të komunitetit. Ai ka punuar si me muzikantin e thjeshtë amator, me artistin e folklorit e deri me muzikantët profesionistë, duke  përgatitur dhjetra talente të reja përmes qindra koncerteve muzikore. Krijimtaria e tij artistike dhe organizimi i tij pasionant, ka ndihmuar në edukimin estetik dhe artistik të banorëve, në argëtimin dhe gjallërimin e jetës kulturore.

Për ne është një nder i madh që kjo staturë e trevës tonë, u rendit në elitën kulturore të kombit dhe krijimtaria e tij muzikore mbeti në fondin e artë të Kulturës Kombëtare. Kemi besimin se shfaqje të tilla që e dëmtojnë atmosferën shoqërore të komunitetit tonë, nuk do të përsëriten më mbi intelektualët dhe elitën krijuese të vendit tonë.

Letër e nënshkruar,

Vasil Anagnosti, Mitro Zhupa, Panajot Zoto, Hekuran Halili, Thanas Xhani, Spiro Thomari, Agim Nelaj, Flamur Oruçi, Dionis Kola, Vladimir Kodheli, Shpresa Dine, Koço Vogli, Pranvera Brinja, Vangjel Agora, Zamir Brinja, Fejzi Hysa, Fitim Çaushi

Share This Article
Leave a Comment

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *