Gjykata e Sarandës shpalli fajtor dhe dënoi dy ditë më parë me 10 vjet burgim në mungesë, të pandehurin Klodian Pashako, i akuzuar nga Prokuroria për veprat penale të “vrasjes me dashje, e mbetur në tentativë” dhe “armëmbajtje pa leje”. Ngjarja ka ndodhur më 25 gusht 2013 në Delvinë, ku nga goditja me armë zjarri, ka mbetur i plagosur Thoma Pashako, i cili është edhe djali i xhaxhait të autorit. Ky i fundit ka pasur një konflikt në zhvillim me një komshi të tij, për një rrip të ngushtë rrugë kalimi. Gjatë konfliktit ndërmjet të dëmtuarit dhe komshiut të tij, ka ndërhyrë edhe autori, Klodian Pashako. Ky i fundit, gjatë debatit, ka pasur në dorë një armë zjarri gjahu dhe ka tentuar të qëllojë mbi kundërshtarin e kushëririt. Por, nga goditja, saçmat e armës së tij nuk kanë qëlluar mbi objektivin, por mbi djalin e xhaxhait. Pas krimit Pashako është arratisur dhe ende nuk është bërë i mundur arrestimi i tij.
Ngjarja
Policia e Delvinës mori njoftimin mëngjesin e 25 gushtit të vitit të kaluar se një person kishte mbetur i plagosur me armë zjarri në gjendje të rëndë. Në vendngjarje ka shkuar menjëherë grupi hetimor. Ekspertët konstatuan se kishte pasur një grindje me motive pronësie mes të plagosurit 46-vjeçar Thoma Pashako, dhe fqinjit të tij A. H. Shkak ishte bërë pronësia e një cope toke ku kalonte edhe rrugica e lagjes mes dy banesave, si dhe gardhi rrethues. A. H., ka dëshmuar se kishte ndërtuar një banesë në tokën që i kishte falur vjehrri i tij M. Pashako dhe që kufizohet me tokën dhe shtëpinë e Thomait (i afërm i vjehrrit të tij). Një ditë para ngjarjes ka shkuar te shtëpia e vëllait të tij J. H., për të pirë kafe dhe aty ka parë Thomain, të cilit i ka thënë për hapjen e rrugës, por ky i fundit ka refuzuar, duke pretenduar se toka ishte e tij. Të nesërmen ka rinisur punën në orën 07:00 për të shembur murin dhe ndërtuar një portë. Por aty është gjendur Thomai me një sëpatë në dorë, që e ka kërcënuar se “po të vazhdonte, do derdhej gjak!”. Aty është gjendur edhe autori i krimit, 30-vjeçari Klodian Pashako, që pasi ka dëgjuar sherrin, ka shkuar në shtëpi për të marrë armën e gjahut. Ka tentuar të qëllojë A. H., por nuk e ka lejuar Thomai dhe nëna e tij. Por në një tentativë të dytë ka qëlluar përsëri, por A. H., është ulur në çast dhe saçmat kanë mbërthyer Thoma Pashakon, që gjendej aty pranë. Në këto çaste 46-vjeçari bërtet nga dhimbja: “Më vrave!”. Pas krimit Klodian Pashako është arratisur, kurse i plagosuri u dërgua për në spital.
Policia ka bërë disa kontrolle në shtëpinë e Klodian Pashakos, por nuk e ka gjetur aty. Kurse i plagosuri Thoma Pashako ka refuzuar akt-ekspertimin e mjekut ligjor, duke thënë se nuk e dinte se kush e plagosi.

Dhjet vjete per plagosje te kusheririt, ndersa i famshmi Kostandini i Luizes u denua 1vit e 4 muaj per vrasjen e pare,ndersa per kater te tjeret mbase del i pafajshem…pra i bie qe kush vret me shume denimi eshte me i lehte…kjo eshte drejtesia qe udheheq ushtari i Berrishes Bujar K.
Po ashtu djali i Gramoz Rucit nuk denohet as nje minut per dy vrasje.Kjo eshte drejtsia shqiptare.Te pakten per vrasje me arme duhet te denohej per armbajtje pa leje deri ne 5 vjet.