Tenton të grabisë firmën e inerteve, por mbetet i plagosur rëndë me armë zjarri nga rojat e kompanisë. Edlir Zema, 34 vjeç, u dërgua i plagosur në spitalin e Sarandës. Ngjarja ka ndodhur në orët e para të mëngjesit të djeshëm në fshatin Qenurjo të këtij rrethi. Burime të policisë thanë se 34-vjecari Zema ka qenë duke u futur me qëllim vjedhjen në ambientet e firmës së inerteve në këtë zonë. Por rojet e kanë pikasur lëvizjen e dyshimtë gjatë orëve të para të mëngjesit dhe menjëherë kanë rrëmbyer çiftet me të cilat ruanin objektin.
Pas disa paralajmërimeve për të ndaluar, ata kanë qëlluar në drejtim të Zemës, i cili ka marrë plagë në trup nga saçmat dhe si pasojë është dërguar në gjendje të rëndë fillimisht në spitalin e Sarandës dhe më pas për mjekim të specializuar në Spitalin Ushtarak në Tiranë. Burime zyrtare nga policia thanë se shkuan në vendngjarje ku kryen këqyrjen dhe mblodhën provat e para. Gjithashtu mësohet se janë shoqëruar edhe dy nga rojet e firmës private që u morën në pyetje për të shpjeguar rrethanat e ngjarjes së rëndë. Policia tha se plagosja ndodhi brenda ambienteve të kompanisë dhe Zema nuk figuron të jetë punonjës i saj.
Rojat kanë dëshmuar se ata ishin me shërbim dhe dëgjuan zhurma e lëvizje. I bënë thirrje autorit të dyshuar dhe duke menduar se ishte grabitës i armatosur, qëlluan për ta trembur, por saçmat e plagosën. Do të jetë prokuroria vendore që do vendosë për statusin e dy rojave të kompanisë pasi të dalë edhe ekspertiza balistike, nëse do hetohen në gjendje të lirë, apo me paraburgim deri në vendimin e gjykatës.
Po kështu edhe për të plagosurin Zema do ngrihet akuza e “tentativës së vjedhjes”, ndërsa ruhet me policë në spital. Policia tha se po heton për zbardhjen e plotë të kësaj ngjarjeje dhe hetimi i deritanishëm është paraprak.
