Sarandioti kapet me 215 kg drogë Lazarati

anazapta

Nuk kanë të sosur ‘lumenjtë’ e drogës shqiptare me destinacion Greqinë. Një 44-vjeçar nga Saranda, i njohur për të kaluarën e tij penale, është arrestuar nga policia helene në hyrje të Igumenicës teksa drejtonte një furgon, në bordin e të cilës u gjetën edhe mbi dy kuintalë lëndë narkotike me destinacion Athinën. Sipas mediave greke, u sekuestruan 215 kg drogë dhe në pranga ra si i dyshuar Emiliano Stefani. Mësohet se droga ishte futur në çanta, 194 pako dhe kishte hyrë me mushka nga fshati Verve i Sarandës. Kurse i arrestuari njihte mirë zonën dhe nuk kishte probleme për të kaluar. Origjina e narkotikut dyshohet se është Lazarati.

 

Aksioni

“Policia greke në Filat të Igumenicës ka sekuestruar të enjten 215 kg marijuanë afër kufirit shqiptaro-grek. Nga kontrolli i ushtruar në një furgon që vinte nga kufiri shqiptar në tentativë për të hyrë në brendësi të territorit grek, policia gjeti dhe sekuestroi 194 pako me 215 kg 412 gramë marijuanë”, shkruanin mediat greke për aksionin e kryer. Gjithashtu u zbardh pasdite edhe emri i të arrestuarit që drejtonte mjetin dhe bënte korrierin e narkotikut, Emiliano Stefani, lindur në Sarandë e banues në Athinë. Ndërkohë, policia greke ka nisur hetimet për të zbuluar bashkëpunëtorët e 44 vjeçarit në trafikun ndërkombëtar të lëndëve narkotike.

 

Hetimet

Nga verifikimet paraprake dyshohet se droga ka hyrë nga zona e kufirit e transportuar fillimisht në krah ose me kafshë. Pas kontaktit të korrierit me dorëzuesit, është kryer sistemimi në furgon dhe më pas nisja për destinacion, Athinën. Trafikantët kanë shfrytëzuar disa shtigje që i njohin mirë dhe që janë të vështira për t’u depërtuar nga policitë e dy vendeve. Droga ishte e paketuar dhe e futur në çanta. U gjetën 194 pako me peshë deri në 1,2 kg secila. Dyshohet se origjina e saj është fshati Lazarat dhe në rrjet të ketë të implikuar nga të dy vendet. Gjithashtu është zbuluar se droga ka kaluar me mushka nga fshati Vërvë i Sarandës dhe më pas është ngarkuar në furgonin që do ta çonte në Athinë. Pothuajse përditë policia helene dhe ajo shqiptare kapin sasi të mëdha droge në këtë zonë, aksi Gjirokastër-Sarandë-Konispol-Igumenicë. Shifrat e trafikut të drogës, flasin për një rekord si asnjëherë më parë, ku vetëm në Igumenicë e Prevezë janë sekuestruar që nga fillimi i vitit, plot 2,8 tonë drogë.

Share This Article
Leave a Comment

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *