Ndeshja me Shqipërinë në “Elbasan Arena” mund të mos ketë asnjë vlerë përsa i përket eliminatoreve të Europianit, por për serbet ajo mund të jetë pika e kthesës e një Kombëtareje që tashmë i ka hedhur sytë nga Kupa e Botës “Rusi 2018″.
Zëvendëspresidenti i Federatës Serbe të Futbollit, Savo Miloseviç, mendon se një fitore e mundshme në “Elbasan Arena” nuk do t’i shëronte të gjitha plagët e hapura gjatë kësaj fushate eliminatore, megjithatë do të ishte një pikënisje për Serbinë drejt botërorit Rus.
“Në cdo rast, një fitore e mundshme me Shqipërinë do të ishte një pikë kthese në lojën dhe rezultatet e skuadrës sonë. Do të na jepte një implus madh drejt asaj që na pret, pra në kuadër të përgatitjeve për Kupën e Botës. Nuk mund të them se një sukses në Shqipëri fshin gjithcka kemi bërë keq deri tani, por do të ishte një rast i mirë për të korrigjuar disa nga gabimet tona”.
Përsa i përket tensionit që mund të gjenerohet në këtë derbi të nxehtë ballkanas, Milosevic këmbëngul se problemet mund të vijnë vetëm nga shkallët e stadiumit, pra nga sjellja emocionale e tifozëve.
“Futbollistët dhe stafi teknik duhet të jenë të përqendruar vetëm te loja. Detyra e tyra është të mos shpërqendrohen nga faktorë të jashtëm. Ne nuk mund ta evitojmë atë që mund të ndodhë jashtë fushës së blertë, ndaj them se vëmendja jonë duhet të jetë vetëm në ndeshje”, raporton Supersport.
Megjithatë numri dy i qeverisë së futbollit serb e pranon se masat e forta që janë marrë për këtë ndeshje do të shmangin incidentet e rënda.
“Gjatë 24 orëve që do të qëndrojmë në Shqipëri do të jemi të përqendruar vetëm në një gjë, të ndeshja. Sigurisht që do të ketë njerëz aspak miqësore me ne, por realisht nuk pres të ketë probleme. Kemi zhvilluar takime të shumta dhe besoj se ndeshja do të kalojë pa probleme serioze. Tension mund të ketë, por asgjë më shumë.”
