Brenda këtij muaji do të përzgjidhet nga qeveria shqiptare kompania që do të përfundojë procesin e vlerësimit të aseteve dhe të dëmit të shkaktuar në sistemin energjetik nga kompania çeke, “CEZ Shpërndarje.” Ministri i Ekonomisë Tregtisë dhe Energjetikës, Edmond Haxhinasto, u shpreh se, gjithçka po procedohet sipas ligjit në këtë rast. Rezultatet do të përdoren nga pala shqiptare në rast të një përballjeje me kompaninë private në arbitrazhin ndërkombëtar. Vetëm pak ditë më parë ambasadorja e Çekisë në vendin tonë Bronislava Tomasova, deklaroi se, përpara se të kalohet në arbitrazhin ndërkombëtar, palët duhet të pajtohen dhe të arrijnë një marrëveshje. Rreth dy javë më parë, qeveria shqiptare dha një fond prej rreth 550 mijë euro për përzgjedhjen e kompanisë audituese të financave të CEZ dhe kompanisë së vlerësimit të aseteve. Kompania audituese, që përfiton rreth 350 mijë euro do të jetë edhe konsulenti i palës shqiptare në rast se do të kemi të bëjmë me një arbitrazh ndërkombëtar. Në muajin janar, ERE mori vendim për heqjen e licencës së kompanisë private mbi furnizimin me shumicë dhe shpërndarjen e energjisë elektrike dhe ia kaloi këto kompetenca një administrator publik në varësi të institucionit rregullator.