Sefer Pasha
Qaj moj qaj Fushë e Çajupit,
Tej e ndanë gërxhe dhe çuka.
Në dhjetor të këtij viti,
Vdiq i madhi Arben Duka.
(Këngë e krijuar në vendlindjen e poetit në Labovë)
Lajmi i kobshëm se poeti i papërsëritshëm Arben Duka kishte vdekur më gjeti në një nga lokalet e Prizrenit. Nuk doja ta besoja, por ai ishte i vërtetë. Përballë lokalit valët e lumit të Bistricës mu dukën si një varg me gra të Labovës. Qanin me ligje për Arben Dukën. Ju afrova lumit Lumabardha. Fillova të qaj dhe unë me oiii. Çfarë kori i lëmerishëm. Gratë e Labës të veshura me të zeza mbaheshin në supet e njera – tjetrës. Sa lezet u kishte ai vajtim labushkash. Ashtu i mpirë i hodha sytë përballë. Ishte mali i Sharrit. Thonë se po të dalësh në një nga majat e malit të Sharrit duket Çajupi i famshëm, ku kaloi fëmininë poeti me dy vëllezërit Sofokli dhe Apostol Duka gjithashtu krijues. Kur unë i thoja Arbenit se ç’thonë “vëllezërit Frashëri” ai heshtëte. Megjithëse nuk ma pati thënë kurrë mua më dukej sikur atij i vinte mirë që tre labovitët i krahasoja me vëllezërit Frashëri, paçka se që të dy e dinim se krahasimi çalonte. – Në breg të lumit solla në mendje bisedën e fundit me Benin. Nuk e di sesa ditë u bën? Në përgjithësi Beni më merrte në telefon pas orës 12 të drekës pasi kishte lexuar gazetën “Pravda” siç e quante ai metaforikisht gazetë “Dita”, ku ai tha gjërat më të bukura të jetës së tij. “Dita” ishte “Iliada” e tij. Për fat të keq herën e fundit e mora unë në telefon. I thashë midis të tjerave se gazeta nuk më kishte botuar një shkrim që bënte fjalë për masakrën e Peshkëpisë. Kurrë nuk i qeshë ankuar ndonjëherë. Një shkrim i mirë nuk humbet. Do botohet në një nga librat e radhës. Beni pasi e dëgjoj shqetësimin tim e hodhi pas krahëve atë që i thashë. Po ç’e ngatërron gazetën me grekërit më tha ai. Dhe siç e kishte zakon më kujtoj Laokoontin, personalitetin trojan. Legjenda thotë vazhdoi Beni se Laokoonti ishte kundër pranimit të kalit të drunjtë të grekërve dhe si ndëshkim për këtë hyjnitë progreke e mbytën me anë të gjarpërinjve. Një skulpturë e famshme e Rilindjes e paraqet në çastin e mbytjes. Ka të ngjarë që vdekja ose më mirë vrasja e tij të ketë qenë një vrasje politike, fill pas së cilës Troja ra me anë të tradhtisë. E lëmë këtë palo temë i thashë. E porosita që të ruhej nga kovidi. Për shkak të infeksionit ne nuk takoheshim. Nuk shkova për ta ngushëlluar kur atë fati e goditi duke humbur vëllain e tij të mirë gazetarin Apostol Duka. Pa i thënë gjë unë botova në gazetë një “poemë” të shkurtër për Apostolin. Mes dhimbjes së madhe e gjeti momentin dhe më falenderoi në telefon. Një nga fjalitë e tij që më mbeti në mëndje ishte ajo që i kishte thënë zëvendëskryeredaktori se “në gazetë kishte ardhur një shkrim i denjë për Apostol Dukën”. Si fshatar që jam i thashë që të ruhet shumë nga kovidi. Kishte humbur dy vëllezër të shtrenjtë megjithëse jo nga kovidi. Dhe Beni ma ktheu “Nuk do të vdesim të gjithë. Unë nuk do të vdes tha ai”. Më ngeli në mëndje kjo vendosmëri e tij. Dhe sikur e pata fjetur mendjen. “Po ku i dihet” thotë poeti i madh turk Nazim Hikmet. – U ula në tavolinën përball lumit Lumabardha dhe nisa të shkruaj një fragment për poetin Arben Duka. Doja t’ja nisja gazetës. Nuk përqendrohesha dot. Vajtojcat e Labovës me ngjethnin. Beni Duka më thoshte së të gjitha labovitet janë poetesha. Qani dhe mos pushoni u thashë valëve të Lumit që më shëmbëllyen me vajtojcat e Labovës. Arben Duka nuk vjen më. I thashë kamarierit të më sillte një ponçë të fortë me raki rrushi Rahoveci. Mendimet më vinin në kokë lirshëm si dallgët e Lumabardhës. Shkrimin doja ta nisja që nga Prizreni. Por më mungonin fotot që kisha me mikun tim. Ato i kisha në Tiranë. I mbaj mend fotot e fundit. Po rrinim në kafen e tij të preferuar atje ku ai banonte tek Komuna e Parisit. Filluan të këndojmë labçe. Na mungon Sofokliu i thashë. Ai ja bënte mirë me grykë. Por dhe Beni këndonte. Dhe me zë të ulët ai në qoshen e tij ja mori këngës: – /Ku e kalove verën -o? – Lule Adhe//Në mal të Çajupit -o!/ /Qante lulja lulen -o/ /S’do që të këputen -o! / /Mjero o ku do futen-o!/ /Në silah të burrave/ / Lule Adhe/. Erdhi dhe bashkëshortja e tij Pranvera. Dhe ajo bënte iso. E kishte mësuar Beni. Në mes dramash këndonin bashkë. Pranvera ishte lexuesja e parë e artit të tij. Ajo kishte qejf dhe të shoqin e krahasonte me Ali Asllanin.
Vdiq poeti Arben Duka/Ai , poeti i lirikave,/i vargjeve brilant dhe erotikave!
Ottomanet,Anglia,Italia,Greqia dhe Komunizmi kane deformuar me dinakeri frymen atdhedashese te Arberorve tane te vyer ortodokse qe duhet te ishin ne vijen e pare te ultranacionalizmit Shqiptar. Ky sindrom pushtimi sado më me pak efekt mbetet evident dhe ne Malesine e Veriut duke krijuar premisa per tragjedi qe vazhdojne te lene gjurme ne histori.