Boksieri shqiptar do të ndeshet me çekun Suda ose belgun Abdul
Lubosh Suda ose Ismail Abdul mund të sfidojnë boksierin shqiptar Nuri Seferi, në ndeshjen e tij të fundit për këtë vit. Si çeku Suda, ashtu dhe belgu i natyralizuar Abdul janë aktualisht lart në renditjet e federatave të ndryshme botërore. “Të dy boksierët janë mjaft kualitativë, por dëshira ime është që të boksoj me çekun. Edhe pse nuk është ndeshje për titull, do të më shërbejë mjaft që vitin 2013 të filloj për së mbari, duke u ngritur edhe më lart në versionin WBO, por edhe në të gjitha ranglistat tjera botërore”, tha Seferi. Ai shton se është maksimalisht i përgatitur dhe ushtrimet i ka zhvilluar kryesisht në vendin e tij. “Tashmë i kam filluar përgatitjet dhe shpresoj se nuk do të kem probleme që ta mbyll këtë vit me fitore. Në këtë drejtim e kam edhe ndihmën e vëllait, i cili po më ndihmon si sparing partner”. Dueli i Nuri Seferit do të zhvillohet në tetë raunde. Në mbrëmjen e 26 dhjetorit do të boksojë edhe boksieri tjetër shqiptar, Arnold Gjergjaj.