Sehir, bukuri dhe kënaqësi nga belvederi i kryeqytetit

Dita

Duhet të udhëtosh vetëm 26 km në lindje të Tiranës, për t’u gjendur në mes të bardhësisë së  dëborës në dimër, por edhe nga blerimi dhe freskia në verë, ku vijnë familjarë që duan të kalojnë një ditë ndryshe nga rrëmuja e smogu i  Tiranës.

Mali i Dajtit, është quajtur me plot të drejtë Belvederi, “Ballkoni i Tiranës”, për  argëtimet e shumta që të ofron në çdo stinë të vitit. Kënaqësisë së dëborës nuk mund t’i bëjë rezistencë askush, të rinjtë, fëmijët dhe gjyshërit.  Muaji shkurt i këtij vit ishte më i përshtatshmi për  të shijuar dekorin e bardhësisë. Por fatkeqësisht rruga  automobilistike  është përkeqësuar shumë nga  ngrica dhe akulli vështirëson ngjitjen.  Për të mos rrezikuar në udhëtimin me makinë, është më komode t’i drejtohesh teleferikut. Teleferiku, i vlerësuar si unikal ne Ballkan, u mundëson vizitorëve mbërritjen e shpejtë e të këndshme në Dajt brenda 15 minutash. Udhëtimi me teleferik është “prelud” i kënaqësisë që ndjen gjatë vizitës në malin e Dajtit. Bashkatdhetarët tanë në botë, kur sjellin miq të tyre, ndoshta ndër ofertat për të vizituar Shqipërinë, u servirin edhe udhëtimin me teleferik për në Dajt.

Sapo mbërrin në stacionin e sipërm të teleferikut, çdo vizitor hedh vështrimin drejt pyllit e livadheve, drejt majës së malit, po kthehet edhe pas e, nga “ballkoni” natyror, vështron si në pëllëmbë të dorës kryeqytetin, Tiranën, dhe hapësirat përreth saj, deri buzë detit, në Durrës. Nuk mund të gjendet ndonjë pikë tjetër nga ku mund të soditet më mirë Tirana dhe zonat që e qarkojnë. Dy majat dominuese janë si dy “ballkone”, që lartësohen bukur mbi shkëmbinjtë e pjerrët. Në dimër ato mbulohen me dëborë. Mali i Dajtit i shpallur “Park Kombetar” me vendim të Këshillit të Ministrave, Nr 9248, dt. 6.2.1966, ka sot një sipërfaqe prej rreth 3300 ha dhe me perspektive zgjerimi deri ne rreth 11000 ha. Ai është në juridiksionin dhe administrimin e Drejtorisë së Shërbimit Pyjor Tiranë.

dscf2530S’ka Tiranë pa Dajt!…

Një ndër pasuritë pyjore më të vlefshme e më të rëndësishme kombëtare është edhe Parku Kombëtar Mali i Dajtit. E shkuara dhe jeta e sotme e kryeqytetit shqiptar janë të lidhura ngushtë me të. Edhe këto ditë të ftohta dimri, bora, freskia dhe ajri i pastër e jetëdhënës, të thërrasin të jesh në gjirin e tyre, në Dajt. Kryeqyteti ynë, ndoshta e ka të barasvlershëm me truallin ku shtrihet edhe malin e Dajtit, që lartësohet në lindje të tij.

Natyra ka bërë që Tiranës andej nga i vjen dielli t’i vijë edhe gjelbërimi i përjetshëm me malin e Dajtit. Siç thuhet për një qenie të bukur, që “Zoti e ka punuar më ngè”, ashtu mund të themi edhe për malin e Dajtit. Aty, gjelbërimin e ke si e do, të përhershëm ose jo, bimë e drurë të madhësive të ndryshme, lule në çdo stinë. Kafshë e shpendë të larmishëm ke në këtë mjedis pyjor … Terrenin, si e do, të thepisur e shkëmbor, lëndina e livadhe të sheshta. Burime të kristalta e jetësojnë këtë mal nga rrëza deri në majë. Në malin e Dajtit ka dhe rrënoja të vendbanimeve të lashta, që presin për t’u eksploruar.

Madhështi…

Bimësia barishtore dhe pyjore, në formë të shkallëzuar e vesh malin, duke filluar nga shkurret mesdhetare përherë të gjelbra dhe ahishtet e freskëta, që jeshilojnë fuqishëm në verë.

Në tërësi Parku Kombëtar Mali i Dajtit përfaqëson një ndër vlerat më të mëdha të biodiversitetit shqiptar. Ky park vazhdon të jetë i pëlqyeshëm për ekskursione të shkollave jo vetëm nga Shqipëria, por dhe Kosova, etj. Tashmë ky park është pjesë e guidave turistike, jo vetëm për vizitoret vendas po edhe për ata të huaj. Ai ka filluar të shërbejë edhe si vend tubimesh për shoqata të ndryshme atdhetare e patriotike.

Tiranasit nga ky “ballkon” përpiqen të shquajnë vendbanimin e tyre, ndërsa vizitorët e largët institucionet e ndërtesat e ndryshme interesante … Disa “vështrojnë” se ku do të kalojë bulevardi i madh, drejt Paskuqanit, nesër drejt Farkës, etj. Kënaqësia e është madhe për çdo vizitor, edhe duke kaluar drejt pyllit, nëpër lëndinat me bar. Vizitori ka etje dhe mundohet të shijojë e prekë gjithçka nga mjedisi pyjor, të dëgjojë cicërimat e zogjve, të ndiejë aromën e luleve … Por, … ecën diku me tej, në rrugët auto, që përshkojnë parkun dhe, për fatkeq, nuk ndjehesh mirë, kur sheh ngrehina aspak komode, që e shëmtojnë parkun, kur sheh një “pyll antenash metalike” … Dhe, secili do që ta harrojë atë pamje!?

Ide dhe projekte

Gjithçka është bërë deri tani nga Shërbimi Pyjor, që mjedisi pyjor të mos dëmtohet; pra drurët nuk janë prerë ose djegur. Në thellësi të pyllit gjen një mjedis thuajse akoma të virgjër, gjë që s’mund të thuhet për sipërfaqet anës rrugëve, ku janë ndërtuar lokale shërbimi apo dhe gurore, disa prej të cilave punojnë akoma!? Personeli pyjor kontrollon hyrjet dhe lëvizjet në park, përpiqet të administrojë e mbajë pastër sipërfaqet e përdorshme nga vizitorët, por kjo nuk mjafton.

Si kudo në botë, lypset që kushdo që hyn në park të jetë i përgjegjshëm për të mos e dëmtuar atë. Pra, secili ta trajtojë si pronë të tij. Pas kënaqësisë që mori nga ky udhëtim në Dajt, secili le të shohë pak pas, në lëndinën apo vendin ku pushoi, nëse atë mjedis ai e la të pastër, për pasardhësin e tij.

Jemi në kohën kur për kryeqytetin tonë, Tiranën, po ndërmerren projekte madhështore të zhvillimit perspektiv afatgjatë. E, me këtë rast, nuk mendoj se ka vlera më të pakta një plan rregullues sidomos për pjesën qendrore të parkut, atë që duket nga Tirana, qoftë ky i krahasuar edhe me një bulevard të Tiranes.

Puhi dhe freski që vjen nga mali

Dajti_Ekspress dajti_02Parku kombëtar “Mali i Dajtit” është pjesë e Tiranës. Ai i shërben jetës së banorëve të saj dhe, si i tillë lypset vlerësuar. Ai duhet konsideruar si kurorë e gjelbër, që ndikon fuqishëm në përmirësim të kushteve jetësore, jo vetëm të atyre që jetojnë pranë apo në brendësi të tij, po në tërësi për Tiranën.

Për njohuri, shtojmë se përveç pjesës së dukshme nga Tirana, parku sot është zgjeruar shumë  në sipërfaqe. Ai shtrihet edhe në zonat pas malit të Dajtit, në basenin e Bovillës, në disa sipërfaqe të rrethit të Krujës, në Malin me Gropa, në hapësirat deri në lumin Erzen. Me këtë sipërfaqe, Mali i Dajtit është parku kombëtar më i madh në Shqipëri. Në brendësi të këtij parku ka disa fshatra me një numër të madh banorësh, që kanë lidhur jetën dhe ushtrojnë veprimtari në mjediset e tij.

Burimet ujore

Zona e Dajtit, Malit me Gropa dhe Zall Dajtit është e njohur për ujërat natyrore oligominerale, me veti të mira kuruese. Dy prej këtyre burimeve, Selita dhe Shemëria, prej vitit 1951 kanë qenë dhe janë furnizuesi kryesor i qytetit të Tiranës me ujë të pijshëm; secili burim ka një prurje që luhatet nga 300-700 litra në sekondë. Përmes malit të Dajtit kalon një tunel, i ndërtuar në vitin 1951, që sjell ujërat e këtyre burimeve në Tiranë, duke vënë në punë njëkohësisht edhe një hidrocentral të ndërtuar posaçërisht në rrëzë të malit të Dajtit. Një pjesë e këtyre ujërave ambalazhohen sot edhe në shishe.  Në anën perëndimore të Dajtit ndodhet Gryka e Zall-Herrit ose e Bovillës mbi lumin e Tërkuzës, ku është ndërtuar diga më e madhe që furnizon një pjesë të mirë të Tiranës me ujë të pijshëm.

 

 Kuzhina dhe akomodimi

Dajti që herët, por më shumë tani, ofron një strukturë të mirëfilltë turistike, si për turizmin ditor ashtu edhe për llojet e tjera të tij si portet verore dhe dimërore. Përgjatë rrugës së Dajtit dhe në zonën e tij turistike janë ndërtuar një sërë hotelesh e restorantesh, që mirëpresin pushuesit dhe vizitorët. Kushtet e hoteleve dhe komplekseve turistike janë moderne dhe shumë të rehatshme, të pajisura me shërbime të shumta. Komplekset që ndodhen në majë të Dajtit mundësojnë transportin falas të vizitorëve që vijnë me teleferik. Që nga stacioni i teleferikut e deri tek kompleksi përkatës, transporti është falas. Kuzhina që ofrohet është tradicionale shqiptare, me produktet e mishit të gatuara në shumë mënyra dhe perime të freskëta të stinës, verëra shqiptare dhe franceze si dhe peshk të freskët nga basenet e kompleksit.  Por restorantet ofrojnë gjithashtu edhe kuzhinë ndërkombëtare apo piceri, sipas kërkesave dhe dëshirave të klientëve. Pa le pastaj një natë në hotelet e komplekseve, të heq si me dorë çdo lodhje dhe stres.

 

Park Kombëtar

  • Lartësia më e madhe 1613 metra
  • Largësia nga Tirana, 26 kilometra
  • Shpallur park kombëtar në vitin 1960, me sipërfaqe 2 100 ha
  • Në vitin 1966, u zgjerua dhe zuri një sipërfaqe prej 3 300 ha
  • Në vitin 2006, u zgjerua deri në rreth 29 400 ha
  • Ka rreth 26 lloje drurësh dhe shkurresh pyjore, të cilat mbulojnë rreth 80 % të territorit
  • Shumëllojshmëri kafshësh dhe shpendësh të egra si ariu i murrmë, ujku, dhelpra, derri i egër, lepuri i egër, macja e egër etj.

 Monumente Natyre

  • Tarraca e vjetër detare në malin e Dajtit, e formuar nga valët e detit Helvecian (16-11 milionë vjet më parë)
  • Shkalla e Tujanit në luginën e lumit të Tiranës me një kanion 1.2 km të gjatë, 20-50 m të gjerë dhe 200-300 m të thellë, me guva dhe shpella karstike
  • Shpella e Zezë (Shpella e Pëllumbasit) në grykën e Skoranës
  • Shpella e Shutresë, Gryka e Skoranës (lumi Erzen)
  • Gryka e Murdhrit (Kërrabë) etj.

 

Krasti i Malit me Gropa

Gjendet në luginën e lumit të Tiranës. Është formuar prej tij në gëlqerorë me antecedencë. Përfaqëson një kanion rreth 1,2 km të gjatë, 20-50 m të gjerë dhe 200-300 m të thellë , me guva e shpella karstike të pa eksploruara. Përgjatë saj kalonte rruga antike Tiranë-Dibër e Madhe dhe më tej. Ka vlera gjeo-morfologjike didaktike, kulturore, turistike. Vizitohet sipas rrugës Tiranë-Brar-Zall Dajt. Karsti i Malit me Gropa gjendet në lindje të vargut malor Krujë-Dajt, në kreshtën tepër të karstëzuar të Malit me Gropa. Është peizazhi më klasik i karstit në Shqipëri. Emri i malit lidhet me gropat, hinkat, puset e dendura karstike, që ngjasojnë me hojet e bletëve. Ka shumë kullota e livadhe cilësore. Ka vlera shkencore gjeo-morfologjike didaktike, turistike. Vizitohet sipas rrugës Tiranë-Dajt-Bizë.

Shpella e Zezë e Skoranës

Shpella_e_zeze_-_PellumbasNdodhet në grykën e Skoranës, pranë fshatit Pëllumbas. Njihet dhe me emrin “Shpella e Pëllumbasit”. Është shpellë karstike, e cilësuar Sensanioni i Speleologjisë Shqiptare, sepse eksplorimi i fundit nga speleologët e Firences dhe P. Qiriazi, gjetën skelete të arinjve të shpellave, që kanë jetuar nga 10.000-400.000 vjet më parë dhe mbetje të kulturës humane, që u takojnë periudhës nga paleoliti i lartë në mesjetën e hershme. Është e gjatë 360 m, 10-15 m e gjerë, 15-45 m e lartë, e mbushur me shumë stalaktit, stalagmite, kolona, që dallohen për një bukuri të rrallë. Është përgatitur projekti që synon ta kthejë në muze gjeologo-gjeografik, paleontologjik dhe arkeologjik, i cili, si dhe homologët europianë, do të ngjallë interesin shkencor dhe sidomos turistik. Vizitohet sipas rrugës Tiranë-Bërzhitë-Pëllumbas-rruga këmbësore te shpella.

 

 

Share This Article
Leave a Comment

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *