Elbasani për tre muaj do të jetë një kantier investimesh në përgatitje të ndeshjes së parë ndërkombëtare në fund të shtatorit. Hapja dhe zgjerimi i një prej rrugëve kryesore të emërtuara “Qemal Stafa”, zgjerimi i hapësirave të parkingut para stadiumit, çelja e Unazës Veriore dhe shpronësimi i shumë objekteve që do të zgjerojnë rrugë lidhëse të rëndësishme, do t’i japë një frymëmarrje sa i përket qarkullimit në Elbasan. Të gjitha këto kreu i bashkisë, Qazim Sejdini, i quan të mundshme dhe madje rendit edhe disa investime të tjera për Elbasanin, duke theksuar vëmendjen e qeverisë, e kthyer tashmë drejt këtij qyteti të lënë për vite në harresë. Sejdini është pro reformës territoriale, por kërkon gjithashtu edhe decentralizim. Për këto edhe të tjera kreu i bashkisë së Elbasanit ndalet gjatë në një intervistë për DITA.
Në cilën fazë ndodhet rikonstruksioni i stadiumit “Ruzhdi Bizhuta”?
Është miratuar një fond prej 5,5 mln dollarësh për rikonstruksionin e stadiumit. Do jetë i vetmi ku do të zhvillohen ndeshjet ndërkombëtare, i licencuar nga FIFA dhe UEFA. Brenda datës 30 shtator do të përfundojnë të gjitha punimet në mënyrë që ndeshja e parë të luhet në qytetin e Elbasanit. Bashkia ka për detyrë të sistemoje pjesën para tribunës. Kemi nisur procedurat për shpronësimin e objekteve që përfshihen në planin rregullues të stadiumit, pas një vendimi të fundit të KRRTRSH. Brenda qershorit do të përfundojnë të gjithë tenderët që kanë afat tre muaj për t’u realizuar, që Elbasani të jetë i gatshëm të presë takimin e parë ndërkombëtar. Ndërtimi i stadiumit nuk ka vetëm vlera morale, statistikore, apo lobuese, por ka vlera ekonomike për qytetin e Elbasanit, duke qenë në qendër të vëmendjes për ditë të tëra. Elbasani do të jetë në vëmendjen e të gjithë gazetareve, të tifozëve të huaj, pse jo edhe personaliteteve të larta të vendeve nga grupi ku luan edhe Shqipëria. Ne po bëjmë përpjekjet tona për të realizuar të gjithë objektivat që ndeshja e parë me Danimarkën të kalojë sa më mirë dhe Elbasani të bëjë përshtypjen e duhur tek miqtë. Elbasani do të ketë edhe investime të tjera, siç është projekti këndeve sportive. Në 5 shkolla do të kemi 5 kënde sportive të ndriçuara dhe me gjithçka tjetër, të cilat do të jenë të hapura pasdite edhe për të gjithë komunitetin. Ky ka qenë një premtim i imi në fushatë dhe është një premtim që po realizohet me ndihmën e qeverisë shqiptare. Vlera e investimit është 500 mijë dollarë.
A ka mundësi Elbasani që të përballojë fluksin që pritet të vijë nga këto ndeshje?
Ka edhe skeptikë që mendojnë se Elbasani nuk do të përballojë ndeshjet. Elbasani i ka të gjitha kapacitetet. Biznesit të Elbasanit i mungon xhiroja. Bulevardi ka shumë ambiente shërbimi. Elbasani është një qytet që i mirëpret njerëzit. Ne jemi provuar në Ditën e Verës me numrin e madh të vizitorëve dhe ditët e ndeshjeve do të jenë të tilla. Elbasani është ndër të paktat qytete, ose më mirë të themi i vetmi që ka një sistem kamerash sigurie.
A ka pasur efekt vendosja e tyre?
Është risi në të gjithë Shqipërinë. Janë 68 kamera që monitorojnë të gjitha ambientet e jashtme të shkollave, kopshteve dhe çerdhe, mbulojnë të gjithë kryqëzimet kryesore hyrëse-dalëse dhe në rrugët kryesore, mbulojnë edhe një pjesë të vogël të varrezave dhe do të shtrihen në të gjithë varrezat.
Ne nëpërmjet tyre ndjekim të gjitha lëvizjet në qytet, për të kontrolluar trafikun dhe të gjitha lëvizjet në qytet. Njëkohësisht në një marrëveshje që kemi me policinë, kamerat i janë vënë në dispozicion për të monitoruar qytetin në 24 orë. I ka shërbyer qytetit të Elbasanit dhe është rritur shkalla e zbulueshmërisë, po kështu është ulur niveli i kriminalitetit në qytet. Detyra e pushtetit vendor është edhe ruajtja e qetësisë publike për të pasur një qytet të jetueshëm dhe të banueshëm, dhe këto kamera na kanë dhënë një mundësi për të ofruar më shumë siguri.
Një problem i madh mbetet fusha e mbeturinave, e dalë jashtë funksioni nga tejmbushja. Çfarë po bëhet për ta zgjidhur këtë çështje madhore?
Jemi në një projekt me qeverinë belge, por ka edhe investitorë të tjerë që duan të investojnë. Fillimisht duhet të vendoset se çfarë rruge do të ndjekë për përpunimin e mbetjeve. Qeveria shqiptare do të jetë ajo që do të vendosë do të bëhet një sistem me djegie apo një landfill tradicional. Nuk është Elbasani vetëm tashmë dhe nuk ka vetëm kreun e bashkisë që kërkon apo bërtet çdo ditë, por është edhe qeveria pranë dhe zgjidhja do të vijë shpejt. Nëse do arrijmë fillimin e punimeve brenda këtij viti, atëherë puna është e zgjidhur. Dua të flas sapo ky projekt të fillojë, sepse është edhe me të drejtë problem i madh për Elbasanin përpunimi i mbetjeve dhe kemi të gjithë mbështetjen e mundshme për ta realizuar këtë gjë.
A do t’i ndihmojë njësitë vendore si bashkia Elbasan dhe qytetarët ndarja e re territoriale që diskutohet në dy variantet e saj?
Të dy variantet janë të nevojshme dhe të domosdoshme. Sjellin një impakt shumë pozitiv. Kushdo që e trajton këtë politikisht gabon. 23 njësi, 6 PS dhe 17 PD, nuk ka ndarje politike. Unë jam i variantit bashki-rreth, por edhe me bashkinë Cërrik. Do t’i shihni shumë shpejt frytet e kësaj reforme administrative. Qyteti i Elbasanit ka nevojë për një zgjerim të tillë. Kemi 120 mijë banorë dhe kufizohemi me tre urat në një sipërfaqe të cunguar. Në disa pjesë të qytetit zona administrohet nga komuna Labinot dhe shërbimet i bëjmë ne. Gjithashtu do të përfshihet qendra industriale, zonat turistike, si përshembull Llixha. Të gjithë thithjen e investitorëve e bën bashkia. Kapacitetet që ka bashkia janë të afta për të përballuar projektet zhvillimore. Pika më e largët nga qyteti është një orë. Por kjo reformë, nëse nuk shoqërohet me decentralizim të kompetencave, atëherë kjo ndarje do jetë farsë. Nëse do të bëhet decentralizimi do të rregullohen shërbimet dhe do të rriten cilësisht.
Kemi dëgjuar shpesh që flitet se disa po kërkojnë kthimin në komitete ekzekutive, i cili nuk është një kthim në komunizëm. Komiteti atëhershëm kishte vetëm ndërmarrjet e shërbimeve, por kishte 80 % kompetenca, pra më shumë se ne sot, që jemi të kushtëzuar nga dega e thesarit, apo ministritë. Ne kemi bashki, qark, prefekturë e më pas mbërrijmë tek qeveria. Sigurisht që ai formacion i atëhershëm ka problemet e veta, por ama mënyra e organizimit ishte interesante. Ne kemi raste absurde, kur megjithëse bashkia mirëmban shkollat, drejtori i arsimit siç ka ndodhur në kohën e PD, jepte urdhër që kryetari i bashkisë të mos lejohet të hyjë në shkolla. Këto në fakt janë paradokse që duhet të zgjidhen për të pasur vizion për zhvillimin në dritën e integrimit europian.

“Drejtori I shkolles jepte urdher qe kryetari bashkise (I zgjedhur nga populli)te mos hyje ne shkolle”(!)-c’fare nuk degjojme.Zot mba mendjen e njerzve
Ndarja eshte e keqe sepse disa banore do qeverisen si te dores se dyte. Fondet do te perqendrohen me shume ne Bashki, dhe dicka me pak komunat e medha rrotull, ndersa te tjerat …