Sejko: Sistemi bankar i qëndrueshëm

redaktor

Zëvendëspresidenti i Bankës Botërore (BB) për Rajonin e Evropës dhe Azisë Qendrore, Cyrill Muller, gjatë vizitës së tij të parë në Shqipëri, bisedoi me Guvernatorin e Bankës së Shqipërisë Gent Sejko mbi projektet e lidhura me konsolidimin, modernizimin dhe qëndrueshmërinë e sistemit financiar në Shqipëri.

Guvernatori e njohu Muller me zhvillimet më të fundit ekonomike dhe financiare në vend.

Në veçanti, Guvernatori u ndal në trajtimin e sfidave kryesore me të cilat përballet ekonomia shqiptare, kuadrin e politikave makroekonomike dhe reformave strukturore të nevojshme për të nxitur rritjen ekonomike, për të përmirësuar klimën e biznesit dhe për të thithur sa më shumë investime të huaja në Shqipëri.

Për sa i përket sistemit bankar, Guvernatori theksoi se sot ky sistem shfaqet me tregues mjaft të mirë financiarë, duke lënë pas edhe një vit të vështirë që tregoi aftësinë e tij për të përballuar situata të stresuara financiare, siç ishte rasti i krizës greke.

Dëshmi e suksesit të këtij sistemi është edhe besimi që tregojnë investitorët e huaj me interesin e tyre për t’u bërë pjesë e tij.

Gjatë takimit, pjesë e diskutimeve ishte dhe zhvillimi i institucioneve financiare jobankare, të cilat po rrisin gradualisht peshën e tyre në sistemin financiar shqiptar.

Duke vlerësuar rolin e këtyre institucioneve në diversifikimin dhe zhvillimin e tregut financiar në Shqipëri, Banka e Shqipërisë ka pasur në fokus të punës së saj forcimin e vazhdueshëm të kapaciteteve të tyre në drejtim të qeverisjes dhe kontrollit të brendshëm.

 

Share This Article
Leave a Comment

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *