Janë rreth 90 milionë euro, për të cilat bankat kanë rënë dakord të lidhin marrëveshje të reja me debitorët. Në raportimin vjetor në Kuvend, guvernatori Gent Sejko tha se, duhet miratimi sa më parë i ligjit të ri për falimentimin.
“Për ato raste, të cilat janë vërtet pa asnjë perspektivë pozitive, miratimi i ligjit të falimentit do të jetë një hap tjetër cilësor, që do të ndihmojë të gjithë procesin, kryesisht bankat dhe sistemin financiar”, tha guvernatori Sejko. Për vitin që shkoi, niveli i kredive me probleme ra në 18%, por rreziqet mbeten. “Pjesën më të madhe të ekspozimit e ka me institucionet financiare ndërkombëtare, nuk e ka me sistemin bankar.
Në raport me ekspozimet dhe marrëdhëniet që kjo kompani ka me sistemin bankar, ka qenë standarde dhe vijon të jetë e tillë duke vazhduar të shlyejë detyrimet.
Nëse marrim skenarin më pesimist, në rast se kompania do të shpallë falimentin, kjo do të ndikonte në rritjen prej 1% të nivelit të kredive të këqija”, u shpreh kreu i Bankës së Shqipërisë, para ligjvënësve kuvendorë.
Sipas guvernatorit, ekonomia shqiptare ka vijuar të shënojë përmirësim gjatë vitit 2015. Rimet e rritjes janë përshpejtuar krahasuar me vitin paraardhës, ndërsa treguesit kryesorë të ekuilibrave ekonomikë dhe financiarë të vendit kanë ardhur duke u përmirësuar.
“Megjithatë kërkesa agregate mbetet e pamjaftueshme për të vënë në shfrytëzim të plotë kapacitetet prodhuese, për rrjedhojë ambienti i brendshëm ekonomik ka ushtruar presione të ulëta për rritjen e inflacionit, të cilat janë përforcuar më tej dhe nga tendencat inflacioniste të vëna re në tregjet ndërkombëtare.
Ndonëse në rritje inflacioni vijoi të luhatet nën objektiv tonë prej 3% gjatë vitit të shkuar”, tha Guvernatori. Sipas tij interesi mesatar i kredisë u reduktua më tej gjatë vitit 2015, i kombinuar me masat e marra për kreditë me probleme. Banka e Shqipërisë pret një ecuri më të mirë të kredisë në afatmesëm, por mbetet parashikim i kushtëzuar nga klima e kreditimit në vend.
Sa i përket ecurisë së sistemit bankar, për 2015 guvernatori Sejko tha se treguesit e shëndetit të sektorit bankar rezultuan dukshëm më mirë se nivelet rregullatore për aftësinë paguese, likuiditetit dhe krijimin e rezervave të mbrojtjes. “Numri i bankave që operojnë në vend mbeten 16, treguesit e rentabilitetit janë përmirësuar.
Norma e mjaftueshmërisë së kapitalit regjistroi nivelin 15.7%, dukshëm me lart se niveli i duhur nga kuadri rregullativ prej 12%”, u shpreh ai.
