Guvernatori i Bankës së Shqipërisë, Genti Sejko deklaroi se ulja e normave të interesit i ka kursyer bizneseve dhe individëve që kanë kredi një kosto vjetore deri në 1 për qind të prodhimit kombëtar.
“Me një llogari të thjeshtë, nga ulja e normës së interesit biznesi dhe qytetarët që kanë kredi kursejnë 82 milionë euro në vit, që mund t’i përdorin për qëllime të tjera”, tha Sejko.
Në fakt, ky përfitim i kredimarrësve është humbje për ata që kanë kursime. Kjo ka qenë një politikë e qëllimshme e Bankës së Shqipërisë për të nxitur konsumin dhe kreditimin e ekonomisë.
Por, edhe pse normat janë ulur fort, rritja e kredisë ka qenë minimale me vetëm 2.3 për qind. Por si mund të dilet nga ky ngërç financiar që po kalon ekonomia?
Guvernatori mendon se shpëtimi janë investimet e huaja, por paralajmëroi se ecuria e tyre do të varet nga qeveria.
“Nëse qeveria do të bëjë si duhet reformat për të përmirësuar klimën e biznesit, atëherë do të rriten investimet e huaja dhe impakti i tyre pozitiv në ekonomi do të ishte i jashtëzakonshëm”, tha Sejko.
Sipas guvernatorit, veç ndikimit në rritjen ekonomike dhe punësimin, investimet e huaja do të çlironin edhe sistemin financiar, pasi një pjesë e tyre financohen nga burime të brendshme.
Së bashku me uljen e kredive të këqija, Sejko tha se këto janë dy kushtet kryesore për rigjallërimin e kredisë.
