Me një fjali të vetme, sekretarja Edlira Haxhi “fundosi” Rasim Dodën, ish-gjyqtarin e Sarandës, e cila tha para togave të zeza se, kishte parë shtetasin Hasan Bushi (kallëzuesin), se kishte hyrë 2-3 herë në zyrën e ish-gjyqtarit Doda.
Kjo e fundit ishte thirrur në seancën e djeshme gjyqësore për të dëshmuar në lidhje me ato çfarë dinte rreth akuzave të ngritura nga prokuroria, raporton Shekulli.
Doda akuzohet për veprën penale të korrupsionit, i cili dyshohet se i ka kërkuar një shumë parash një qytetari për një çështje civile. Por ish-gjyqtari nuk e ka pranuar asnjëherë këtë vepër penale të ngritur ndaj tij pas kallëzimit të bërë nga biznesmeni Hasan Bushi.
Për të vërtetuar akuzën e ngritur Dodës, në seancën e djeshme prokuroria kishte kërkuar të dëshmonte sekretarja e ish-gjyqtarit Rasim Doda, Edlira Haxhi, e cila ka shpjeguar me radhë gjithçka kishte parë në paradhomën e gjykatës së Sarandës. “Në Gjykatën e Rrethit Gjyqësor Sarandë kam filluar punë që prej vitit 2008. Në fillim të vitit 2015, unë jam emëruar si sekretare e ish-gjyqtarit Rasim Doda. Me të punoja normalisht, thjesht si sekretare gjyqësore. Në lidhje me këtë çështje që jam thirrur sot, kam parë se Hasan Bushi ka hyrë 2-3 herë në zyrën e ish-gjyqtarit Doda, por nuk di më tepër se kaq. Këto takime kanë qenë shumë të shkurtra mes tyre, mund të them 2-3 minuta. Unë kam qenë në paradhomë në këto momente dhe nuk di se çfarë kanë biseduar me njëri-tjetrin. Këto takime janë kryer kur çështja civile mes Hasan Bushit dhe shtetases tjetër ishte ende në gjykim”, është shprehur dëshmitarja Edlira Haxhi.
Ja debati i “nxehtë” ndërmjet sekretares dhe ish gjyqtarit
Doda: A ke çelës ti të zyrës sime?
Sekretarja: Jo, unë kam vetëm kam çelësin e paradhomës, sepse sekretaret qëndrojnë vetëm në paradhomë.
Doda: Po si hyre ti pra? A ke ti akses të hysh në zyrën time?
Sekretarja: Jo, unë nuk hyjë te zyra juaj.
Doda: Si qëndron zyra ime?
Sekretarja: Hapur.
Doda: A je futur ti aty, kur unë mungoj qoftë edhe pa arsye?
Sekretarja: Sigurisht! Jam futur, kam marrë dosjet dhe kam shkuar në sallën e gjyqit dhe më pas kam shtyrë gjyqin kur ti nuk ishe i pranishëm.
Doda: Po si i ke marr dosjet, a të ka penguar njeri?
Sekretarja: Jo!
Doda: A të kam thënë unë që të futesh dhe të veprosh pa urdhrin tim?
Sekretarja: Normalisht që po! Ne kemi folur bashkë në telefon se si do të procedojmë.
Doda: A e ke ti numrin tim të telefonit?
Sekretarja: Sigurisht që e kam, sepse ju ma keni dhënë vetë numrin tuaj të telefonit.
Doda: ... Dhe a mund të ma thuash pak tani se sa është numri im i telefonit?
Sekretarja: Po patjetër, 068 8XXXXXX
Acarimi
Pasi ka dëgjuar këto fjalë nga ish sekretarja e tij, i pandehuri Rasim Doda është acaruar në sallë, duke filluar t’i bëjë pyetje të herëpashershme dëshmitares. Por kjo e fundit ishte e vendosur të fliste gjithçka çfarë dinte, pa u ndjerë në siklet se po dëshmonte para një ish-shefit të saj. Por përgjigjet e sekretares Haxhi e acaruan akoma më tepër ish-gjyqtarin Doda, pasi filloi t’i thoshte ish sekretares së tij se po gënjente. Kjo pasi, me pyetjet që Doda i bëri Haxhit donte të tregonte se zyra e tij qëndronte hapur gjatë gjithë kohës, edhe kur ai mungonte, dhe se aty futej gjithkush, pa lejen e tij. Dje në seancë është paraqitur për të dhënë dëshminë e tij edhe kryetari i Gjykatës së Sarandës Alltun Çela.

Sekretarja nuk ka nxjerre zbuluar Gjyqtarin grabites Doda, ajo ka thene nje te vertete per kete matrapaz ligjesh.
Per keta gjyqtaret shqiptare duhen vene trekembshat rreth e qark sheshit Skendebej …!