Në vitet e Luftës së Ftohtë, në Shqipëri bëhej një punë e madhe ideologjike e shoqëruar me stërvitje praktike për të përballuar një luftë të gjatë kundër sulmeve eventuale të superfuqive të asaj periudhe ose vendeve fqinje. Krahas armatimeve të shumta që ishin siguruar, në strukturat e Forcave të Armatosura hynin afërsisht 700.000 trupa të gatshme dhe rezerviste që stërviteshin për luftë. Për të bërë një betejë të gjatë dhe sa më të efektshme në mbrojtje të kufijve tanë, një nga prioritetet e mbrojtjes ishte krahas bunkerizimit, edhe tunelizimi i zonave strategjike, që do të mundësonte dëmtimin sa më të paktë të trupave ushtarake. Për rastet e plagosjeve të ndryshme funksiononin një sërë spitalesh ushtarake të kompletuara me mjekë specialistë dhe shumë prej këyre spitaleve ishin projektuar në tunele të nëndheshme. Një ushtarak i asaj periudhe, Shpendi Topollaj, tregon se sistemi i ndihmës mjekësore në ushtri ishte nga më efikasët. Në periudhën kur opsioni i luftës “dhëmb për dhëmb” qëndronte në rend të ditës, thotë ai, në çdo repart ushtarak kishte një shef shëndetësie, që ishte një mjek shumë i kualifikuar, i cili ishte ose mjek ushtarak ose mjek rezervist, i inkuadruar në repart si shef shëndetësie për kohë të veçantë dhe në përbërje të ekipit kishte edhe një ndihmës mjek ose sanitar. Në këtë kuadër, vijon Topollaj, çdo batalion kishte spitalet fushore të përgatitura për të gjitha variantet e luftës. Brigadat ishin më të kompletuara. Këtu shëndetësia varej nga njësia e prapavijës. Ishte e pajisur shumë mirë dhe kryenin në kohë paqeje deri tek ndërhyrjet operacionale në raste stërvitjesh dhe traumash. Ato ishin spitale fushore, por edhe të sistemuara në tunele. Këto tipe spitalesh nën sipërfaqen e tokës kishin rrjete dhe sisteme ajrimi me filtra me ventilacion, që edhe për rastet e përdorimit të armëve të shkatërrimit në masë, të mos ndërpritej dhe të dëmtohej puna për riaftësimin shëndetësor të të sëmurëve ose të plagosurve. Spitalet ushtarake ishin të pajisura me salla operacionale të fjalës së fundit për periudhën, që mbaheshin rezervë për kohë të veçantë, si dhe me medikamente shëndetësore që rinovoheshin vazhdimisht. Për një sistem mjekësor sa më të efektshëm, spitalet ushtarake ishin të shpërndara në shumë rrethe si Korça, Elbasani, Durrësi, Shkodra, Vlora etj. Në atë periudhë i është vënë shumë rëndësi ndërtimit të një spitali nëntokësor në Durrës, i tipit suedez, i cili ka pasur edhe një kosto shumë të madhe nga ana financiare.

Dëshmia e Lutfi Shehut
Lutfi Shehu i cili sot është oficer pensionist, për rreth 12 vite ka shërbyer në Durrës si Shefi i Mbrojtjes Civile pranë Komitetit Ekzekutiv të Këshillit Popullor të Rrethit të Durrësit. Ai tregon se një nga ndërtimet më të mëdha nëntokësore është Spitali i Durrësit, krahasuar edhe me shumë vepra të tjera nëntokësore të ndërtuara për kohë të veçantë në kurorën kodrinore të qytetit. Spitali ushtarak nëntokësor është ndërtuar në afërsi të spitalit të atëhershëm të Durrësit, ku është ringritur tashmë Spitali Rajonal, në një afërsi relative. Për rastet emergjente spitali civil komunikonte me atë nëntokësor ushtarak me një tunel të posaçëm, i ndërtuar edhe ai në fshehtësi në mënyre sekrete, ashtu siç është ndërtuar tërë spitali i nëndheshëm. Spitali kishte kapacitet prej 500 shtretërish.
Lutfiu tregon se vendimi për ndërtimin e spitalit nëntokësor është marrë në vitin 1981 nga Këshilli i Ministrave dhe ndërtimi i tij ka vijuar deri në vitin 1991. Propozimi për këtë objekt është bërë nga Drejtoria e Mbrojtjes Civile me drejtor Rrapi Minon. Me projektimin e tij është marrë Instituti i Projektimit të Veprave të Mbrojtjes në bashkëpunim të ngushtë me Ministrinë e Shëndetësisë. Pas marrjes së vendimit erdhën topografët dhe inxhinierët, të cilët në bashkëpunim me Institutin e Ministrisë së Shëndetësisë gjeten vendin e përshtatshëm ku do ndërtohej spitali ushtarak nëntokësor. Ai u përcaktua të ndërtohej në kodrinën afër spitalit ekzistues pasi parashikohej që në rast goditjeje ajrore, lidhja mes dy objekteve të bëhej me tunel për transportin e të sëmurëve ose të të plagosurve të mundshëm. Ai u konstruktua që të bëhej me tre hyrje-dalje. Njëra kishte funksionin e hyrjes dhe të pritjes së të sëmurëve, të të gjymtuarve, tjetra e furnizimit ndërsa e treta të daljes. Spitali fillimisht u bë tunel, me seksion të gjerë dhe më pas zgjerohej e degëzohej në seksione të veçanta që degëzoheshin. Fillimi ishte sektori i pritjes dhe kontrollit të të sëmurëve, ku bëhej për raste goditjesh me lëndë helmuese luftarake edhe dizifektimi i ushtarëve dhe degazifikimi nga reparte speciale të mbrojtjes kundër-kimike. Aty ekzaminohej shkalla e dëmtimit të plagosjeve dhe përcaktohej salla ku do të ndiqej terapia. Spitali kishte të projektuara përveç repartit të pritjes edhe sëmundjet, plagosjet e lehta, kirurgjinë, dhe sallën e likuidimit të traumave. Në fillim të përpunimit ishte salla e dusheve. Depozita nëntokësore kishte rezerva uji për një muaj autonomi. Ndërsa funksiononin edhe tubacionet nëntokësore me depon kryesore të ujit të qytetit. Brenda ndodhej edhe një laborator modern për analizat dhe diagnostifikimet e nevojshme. Në të parashikohej që të shërbenin mjekët e spitalit të Durrësit si dhe mjekët ushtarakë që ndodheshin nëpër repartet e zonës, mjekët e Batalionit Xheniero-Kimik, që ndodhej në afërsi dhe që ishin të specializuar.
Punimet, nga inxhinieri i talentuar Sabri Çiku
Lutfiu tregon se për ecurinë e punimeve raportohej rregullisht prej tijë dhe nga Lefter Shuka në instancat e larta shtetërore. Ndërsa zbatimi bëhej nga Kantieri i Mbrojtjes me drejtues inxhinierin e shkëlqyer Sabri Çiku, i cili kishte përzgjedhur një staf punonjësish profesionistë që mahnitën me cilësinë e rrallë të punimeve të realizuara edhe zv.kryeministrin Besnik Bekteshi. Ka qenë viti 1985 kur erdhi Bekteshi. Atij i tërhoqi vëmendjen puna e specialistëve që drejtonte Sabri Çiku. Objektet dhe elementët prej betonarmeje prodhoheshin brenda, stazhionoheshin brenda tunelit dhe montoheshin po prej tyre në kushte të fshehta, pa pasur njohuri askush nga jashtë se çfarë bëhej në thellësi të nëtokës. Pasi pa gjithë atë volum pune të kryer në kushte të vështira, plot sakrifica, duke thyer çdo lloj standarti teknik, Bekteshi propozoi një prej këtyre specialistëve për dekorim si dhe urdhëroi që t’u planifikohej një rrogë mujore shpërblim për të gjithë. Për ndërtimin e spitalit sekret është përdorur hekur dhe beton i cilësisë më të mirë që kishte vendi ynë në atë kohë; i njëjtë me atë që u përdor për hidrocentralin e Fierzës, ndërsa betoni ishte i markës 400 e sipër. Kantieri i ngritur në Durrës përbëhej nga rreth 60 punëtorë, specialistë dhe inxhinierë. Teknikët dhe punëtorët kanë qenë shumë të kualifikuar për punime të brendshme nëntokësore. Ata kishin marrë përvojë në ndërtimet e hidrocentraleve të Shkopetit dhe Bistricës dhe pas tyre erdhën në Durrës. Në lidhje me teknikën e ndërtimit duhet thënë se nuk ka qenë ndonjë teknikë moderne. Janë përdorur traktorë gërmues për hapjen në thellësi të tuneleve që u siguruan nga reparti i xhenjos së ushtrisë. Ndërsa u tha se projektet për ndërtimin e tyre janë marrë nga vendet nordike, kryesisht Suedia dhe Norvegjia.
Jeta e zbatuesit Çiku
Konstruktori i zbatimit të projektit të Spitalit Nëntokësor Sabri Çiku ka lindur më 10 prill 1939 në fshatin Fushë-Muhur të Peshkopisë. Në moshën 8 vjeçare mbetet jetim dhe në gjendje të keqe ekonomike. Shkollën fillore e mbaron në fshatin e lindjes, ndërsa arsimin 7 vjeçar e përfundon në Peshkopi në konvikt shtetëror. Pas kësaj periudhe ai shkon si nxënës i shkollës së mesme të ndërtimit në Tiranë. Pas përfundimit të shkollës me rezultate të mira dërgohet nga shteti në Bashkimin Sovietik si student në shkollën ushtarake të aviacionit në Shadrinek e Krasnodar, në specialitetin e Shturmanit Bombardues. Në vitin 1961 pas prishjes me sovjetikët, duke qenë me rezultate të shkëlqyera në mësime ai dërgohet në Kinë për të studiuar në të njëjtin specialitet. Në vitin 1963 kthehet nga Kina me një karakteristikë mjaft të veçantë si student i shkëlqyer, por për arsye shëndetësore nuk mund të vazhdojë të punojë në aviacion dhe filloi punë në Ndërmarrjen e Ndërtimit të Porteve në Durrës. Studion dhe diplomohet për Inxhinieri Ndërtimi. Në vitin 1970 ai kalon drejtor në Ndërmarrjen Komunale Banesa të këtij qyteti, ndërsa në fillim të viteve 80-të ai nis punën si Drejtor i Kantierit të Mbrojtjes. Realizoi disa objekte të rëndësishme mes të cilave Spitalin Sekret në lagjen nr 10-të. Ka marrë disa dekorata dhe medalje të ndryshme. Ndahet nga jeta në moshën 60 vjeçare në ndërrim të shekullit, në vitin 1999.

Eh , atehere kishte ‘SHTET’,edhe pse ishte diktatorial,prape funksiononte me se miri si SHTET , dhe jo si sot;-dhjerokraci , anarshi , degjenerim i cdo vlere morale , kombetare e njerezore.
sikur edhe te nendheshem ti bejme spitalet ketu ne shqiperi,edhe atje do te lulezoj korrupsjoni.pa mik ste ze njeri me dore, e pa para ca me keq akoma.mjer ne qe lutemi cdo dite qe mos ja pafshim deren spitalit.