Sekreti i fluturimeve pindarike në poezi

Ornela

(Një ese për krijimtarinë poetike të Moikom Zeqos)

VANGJUSH ZIKO*

E lexova me kureshtje dhe kënaqësi librin me te ri poetik te Moikom Zeqos “Letrat per Makabe Zaharian”, botim i APARKEAS-ABRAXAS, 2017.

Poezia e Moikomit është një poezi e veçantë që kërkon një përqendrim maksimal.
Të emocionon dhe të zgjon mendime asociative komplekse dhe të thella,- është poezi e përjetimeve jo të zakonshme, të bukura dhe alternative.

Një poezi thellësisht bashkëkohore, që i flet mendjes, zemrës, kujtesës,përfytyrimit dhe ëndërrimeve. Nuk po përqendrohem në një analizë të thelluar të brendisë së saj.

E quaj ordiner,të thjeshtëzuar,kalimtar një koment dhe riinterpretim me fjalë të bukura boshe të të vërtetave filozofike dhe estetike të mishëruar në prozodinë dhe të figuracionin e saj,
Poezia e vërtetë ka nevojë për një gjykim teorik të argumentuar dhe interpretuar profesionalisht.

***

Duke lexuar dhe rilexuar krijimtarinë poetike të Moikom Zeqos, nuk po e quaj thjesht “Poet”, sepse më duket e ngushtë kjo “këmishë”, “kostumi” i tij më ngjan edhe me togën antike, edhe me pelerinën kalorsiake, po edhe me smokingun e një “dandy”, bile edhe me fustanellën tone të pashembullt ilire.
Më vjen mirë ta quaj edhe Filosof, e quaj edhe Magjistar, pse të mos e quaj dhe një njeri jo të zakonshëm, që i mban sytë nga qiell duke lexuar Zodiakun e fatit njerëzor mbi tokë.

Kam përshtypjen se kur lindi frymëzimi i tij, Muza e ka pritur në pelenën e Alegorisë, pelenën, e cila i shkaktoi plot shqetësime, kur në ato vite shkruhej, kryesisht, poezi politike.

Ajo poezi ishte poezia e argumentimit politik.
Si mund ta duronte Moikomi i ri këtë sfidë ?

Heroi lirik i tij, megjithatë, nuk hoqi dorë asnjëherë si ahere si dhe tani nga kjo figurë sfiduese e realitetit dogmatik.

Ai e përdori edhe atë me kujdes duke vënë shprehjen e figurshme në themel të stilistikës së tij poetike.
Mbi këtë themel ai e lartësoi hap pas hapi korpusin e veprës së vet, duke e bërë devizë të kredos së vet poetike Alegorinë.

Ajo e përsos dhe e bën mjeshtërore shprehjen e figurshme të mendimeve.

Alegoria si figurë artistike na jep kontekstin e mendimit në përgjithësi, e vesh me velon e vet atë dhe, si çdo gjë e mbuluar, zgjon në forma të befta kërshërinë.
Të bën të mendosh dhe të përfytyrosh.

VANGJUSH ZIKO

***
Por frymëzimit universal të Moikomit nuk i mjaftonte vetëm thjesht përfytyrimi i sendeve, ngjarjeve të zakonshme, përfytyrimi i përditshmërive të zakonshme dhe profane tokësore.

Heroi lirik i Moikomit është vizionar.
Atë e interesojnë jeta dhe vdekja, pavdekësia dhe pafundësia, e tashmja dhe e ardhmja edhe përtejardhmëria.

Realja plekset te ai me metafiziken, truporja me shpirtëroren, ëndrra me zhgjëndrën, Parajsa me Ferrin, konkretja me abstrakten.

Vizioni tij filosofik dhe estetik nuk kish si të realizohej vetëm me “magjinë” e Alegorisë së zakonshme jetësore.

Nuhatja e tij artistike dhe estetike e drejtuan atë në korpusin e mitologjisë antike, në mitet.
Vizionit të frymëzimit të tij i duhej “Alegoria mitologjike” mbi kozmosin, mbi zotat, mbi njerëzit, sinkretizimi i njeriut me natyrën, i së kaluarës me të tashmen, i trillimit me realen.

Ai i studioi dhe i bëri të vetat këto sekrete të mjeshtërisë mitologjike.
Kuptoi dhe pervetesoi si askush këto koncepte dhe “asociacione të pathëna paraprake”.

Poezia e tij u bë kështu prej vitesh universalisht një poezi konceptuale figurative, duke vënë në themel të stilistikës së vet metodën avanguardiste që e solli shekulli i njëzetë në krijimtarinë letrare,dmth konceptualitetin.

Në stilistikën e Moikom Zeqos janë të pranishme edhe elementë të postmodernizmit, siç është mistifikimi i realitetit dhe intertekstualiteti, operimi me figura dhe tekste të së kaluarës.
Por edhe një rikthim i habitshëm në fluturimet e befasishme te Pindarit antik,kaq te parapëlqyera nga Moikomi.

Metaforat dhe personifikimet e Moikomit janë, sipas përcaktimit të tij, “mashtrime optike për të krijuar asimetri të frikshme”.

Një mendim të përafërt me poetin tonë shpreh edhe poeti Joseph Mosconi: ”Më pëlqen të mendoj për poezinë konceptuale, si për fëmijët me sy të zes, që duam t’i vemë në gjumë, jo që t’i mbrojmë dhe t’i mitologjizojmë, por të ecim më tej, që të shpërndajmë fantazmat në familje”.

Qëllimi i Moikomit nuk është, thjesht, risjellja e mitologjisë apo rikopjimi i miteve dhe i figurave të saj mitologjike, as t’i depozitojë, koleksionojë ato në vargjet e veta.
Moikomi nuk don të na mahnitë apo të na “trembë” me hijen e tyre të rëndë, të mbinatyrshme.

Poeti ynë i çmitizon ato dhe, nga “fantazma”, na i bën simbole.
Ose i bën dhe metafora të koncepteve, të ideve dhe kategorive universale të moralit, të bukurisë, të dashurisë, të madhështisë, të heroizmit dhe të poshtërsisë, të dlirësisë, të kohës dhe të pavdekësisë.

***
Si përfundim-kjo stilistikë poetike kërkon dhe një psikofizikë të re leximi,pra edhe një raport të ri Poet-Lexues.

Poezia e Moikom Zeqos përfshin në vetvete të sotmen, bashkë me të shkuarën dhe të ardhmen-sintezën e kohërave shpirtërore.

Gjuha e poezisë së vërtetë, niveli kulturor, pa harruar edhe nivelin gjuhësor nuk është kurrë e barabartë me nivelin kulturor si dhe gjuhësor të lexuesit,ajo (e para) i paraprin asaj (të dytës )-,rëndësi ka që lexuesi të kapë si duhet dhe me inteligjencë thelbin e poezisë.

***

E parë në këtë optike stilistika poetike e Moikom Zeqos është kurorëzimi me sukses të madh dhe të plotë i rrugës së saj krijuese në të gjitha aspektet letrare dhe jashtëletrare.

Kurse për letërsinë shqipe është një nga arritjet e saj më madhore.
Që e radhit atë me dinjitet, krahas poezisë bashkohore moderne të botës.

————

*VANGJUSH ZIKO, i lindur ne 1931 ne Korçë, mbaroi studimet e larta ne Institutin e famshëm Gorki, është nje poet lirik mjaft i njohur, bashkëkohës me Driteroin dhe Kadarenë.
Vangjush Ziko eshte përveçse poet edhe përkthyes, dramaturg, eseist,- tani jeton dhe boton në Kanada.

Share This Article
2 Comments
  • Faleminderit gazetes “DITA”-sjelle kete PENE…
    Nje POLIGLOT krijues,si Vangjush Ziko.
    .
    Eshte ne nderin e gazetes “DITA”sa ne, lexuesit e perditshem te saj, botimi ketij autori nga me te njohurit ,prag te 90-tave,ketu ne emigracion,(Toronto-kanada). Na duhej Vangjush Ziko,ky krijues i mirefillte poliglot,te pasqyrohej ne kete gazete te kerkuar;”DITA”, si tek “Fjala e lire”,botuar ne Londer,Ai, thuajse i perditshem.
    Faleminderit autoreve sa urime Pr te nderuar Vangjush Ziko,qe me gjithe moshen,sa dhimbjet e mergimit, PENA e tij cilesore,me tematike te zgjedhur,nuk pushon.
    Shendet e si gjithnje;prane penen Tuaj i nderuar Vangjush,ne te perditeshmet e Tiranes.Ka ‘cte mesoje lexuesi shqiptar permes kesaj pene.
    Ne ketu ne Toronto nga NGROH dhe na jep kurajo krijuese,shembelltyra Juaj..
    Lexuesi pasinant i tij; 82 vjecari..
    Guri Naimit D.

  • I miri POET’ flet per te MIRET.
    Faleminderi Pr Vangjushi.

    Faleminderit Pr.Vangjush Ziko sa na sillni “Pema bie nen PEME”…Paci shendet si duki ne kete foto,sa pire me mua kafene e dhene ato keshilla Tuaja te ralla, ne Kripling, mes Torontos, me ne krah te mirin atdhetar, Patraq Peci,ish kryetar i shoqates”Shqiptaro-Kanadeze”.
    Miresi e shendet,” PENAT” tona atdhetare.

    Gur Naimit D.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *