Tre të katërtat e refugjatëve sirianë, që shkojnë në Liban si pasojë e luftimeve të vazhdueshme në vendin e tyre, janë gra dhe fëmijë. Ato përbëjnë një popullsi shumë të pambrojtur, që bëhen viktima, ndërsa vështirësitë ekonomike detyrojnë gjithnjë e më shumë gra dhe vajza që të konsiderojnë prostitucionin. Jamie Dettmer njofton nga Beiruti.
Refugjatet siriane në Liban po i kthehen prostitucionit për të siguruar para dhe ushqime për familjet e tyre, thonë punëtorët e ndihmave, të cilët vënë në dukje se këto vajza nuk kanë shumë rrugëdalje, veçse të mbështeteten tek ‘seksi për të mbijetuar’.
Rima ZaaZaa i organizatës bamirëse libaneze, Solidariteti dhe Zhvillimi, thotë se ndërsa vala e refugjatëve sirianë nuk duket se do të marrë fund, varfëria ekstreme do të detyrojë më shumë vajza të përdorin trupin e tyre për të siguruar para dhe ushqime.
“Ekzistojnë disa strehime të njohura për prostitucion të lartë, qoftë në kampin Ain Helweh ose në Sadaya dhe në zona të tjera. Ato dihen se ku janë. Ekziston një prostitucion i madh në këto kampe”.
Më shumë se 600 mijë sirianë janë regjistruar në Kombet e Bashkuara në Liban si refugjatë, por qeveria libaneze llogarit se ky numër e kalon një milionshin. Deri në fund të këtij viti ky numër mund të arrijë në 2 milion, duke tejkaluar kapacitetin e burimeve të këtij vendi të vogël me probleme ekonomike dhe që mbështetet tek ndihmat e komunitetit ndërkombëtar.
Ndryshe nga qeveria e Jordanisë dhe asaj të Turqisë, qeveria libaneze nuk pranon të ndërtojë kampe të reja refugjatësh për të strehuar refugjatët sirianë. Ndërsa gratë dhe vajzat siriane janë përhapur në gjithë Libanin, ku jetojnë në kushte të vështira banimi, grupet e ndihmave thonë se shpesh ato përballen me keqtrajtim seksual si dhe u kërkohet seks nga pronarët e shtëpive dhe të dyqaneve si dhe nga zyrtarët libanezë.
Afana, nënë 26 vjeçare me dy fëmijë të vegjël, thotë se nuk është e pazakontë edhe për punëtorët e ndihmave që të kërkojnë seks prej refugjateve. Ajo foli nëpërmjet përkthyesit se çfarë i ndodhi kur shkoi në një organizatë bamirësie.
“Në një prej NGO-ve ai më tha se nëse unë pranoj të fle me të, kurdoherë që do të kishte në dispozicion ndihma, ato do të ishin për mua. Fillova të qaj dhe u largova prej andej”.
Zyrtarët libanezë i përshkruajnë njoftimet rreth shtimit të prostitucionit dhe këmbimit të seksit për ndihma si të ekzagjeruara, duke thënë se raste të tilla janë të pakta. Ata thonë se pak gra trafikohen, duke iu referuar të dhënave nga Forcat e Sigurimit të Brendshëm, që tregojnë se 27 gra u trafikuan në vitin 2011 dhe i njëjti numër u njoftua vitin e kaluar.
Por punëtorët e ndihmave thonë se këto statistika e largojnë vemendjen nga problemi ekzistues. Ata e pranojnë se trafikimi i organizuar kriminal nuk është i madh në Liban. Ajo që është shndëruar në epidemi, thonë ata, janë gratë dhe vajzat që si pasojë e kushteve të jetesës, shndërohen në viktima të seksit për të mbijetuar, ndërkohë që punëtorët e ndihmave thonë se shumë meshkuj janë të gatshëm të shfrytëzojnë gjendjen e tyre.
Qass Em-Saad i degës libanze të organizatës së ndihmave, Aksioni i Zhvillimit pa Kufij, thotë se gratë dhe vajzat siriane janë aq të dëshpëruara sa që e shesin trupin e tyre për 7 dollarë në periferi të kampit të refugjatëve palestinezë Ain Helweh, afër Sidonit, ku më shumë se 20 mijë palestinezo-sirianë kanë kërkuar strehim.
“Këtu kemi shumë raste të tilla. Këto janë çështje tabu për shkak të fraksioneve islamiste që kemi në kamp dhe për arsye se njerëzit kanë frikë të flasin. Por nëse shkon jashtë kampit shikon gra dhe vajza palestineze e siriane, që vuajnë nga varfëria dhe dalin nga kampi për t’u angazhuar në marrëdhënie të tilla seksuale”.
Grupi i zotit Saad po përpiqet të trejnojë policinë libaneze që t’i shikojë këto femra si viktima dhe jo si kriminele.