Seksi midis mësuesve dhe studenteve, e përse jo?

anazapta

Një editorial në të përditshmen prestigjioze amerikane “Washington Post” propozon dekriminalizimin e raporteve seksuale midis mësuesve dhe studentëve

Betsi Karasik e shkroi me bindjen se do të fillonte një “dialog pa censurë” mbi realitetin e seksit nëpër shkolla, por editoriali i saj i publikuar në “Washington Post”, ia doli që të tërbonte lexuesit e gazetës, duke tërhequr mbi vete rreth 3200 komente në dy ditë. “Nuk mendoj që të gjitha sjelljet seksuale midis nxënësve të mitur dhe mësuesve duhet të klasifikohen si përdhunim, – shkruan Karasik, e cila është gjithashtu ish-avokate, – mendoj se në mungesë të rrethanave lehtësuese, aktet seksuale midis nxënësve dhe mësuesve nuk duhet të kriminalizohen”. Këtu merr si shembull historinë e një mësuesi në Montana, 49 vjeç, i cili pati raporte seksuale me nxënësen e tij 14-vjeçare. Dy vjet më vonë vajza kreu vetëvrasje. Mësuesi tani është dënuar me detyrimin për të kaluar në burg vetëm 31 ditë. Dhe vendimi i gjykatës ka shkaktuar një stuhi reagimesh në Shtetet e Bashkuara.

“Mendoj se mësuesit që bëjnë seks me nxënëset, nuk ka rëndësi nëse raporti ndodh me konsensusin e të dyja palëve apo jo, duhet të largohen nga vendi i tyre i punës dhe duhet t’u hiqet licenca e mësimdhënies, derisa të vërtetojnë se janë rehabilituar plotësisht. Por, histeria e vërtetë me të cilën shoqëria i përgjigjet këtyre situatave, nuk shërben për të mbrojtur fëmijët më shumë sesa plotëson nevojën e saj për të menduar se po i mbron. Dyshoj se ka qenë vetë presioni ekstrem psikologjik i përjetuar gjatë procesit të ish-mësuesit që e  përdhunoi, i cili e shtyu 14-vjeçaren në vetëvrasje”, shkruan Karasik.

Por pjesa më kritike e editorialit është ajo në të cilën shkrimtarja tregon se në kohën kur ajo ishte studente, në vitet ‘60-’70, kufijtë seksualë midis docentëve dhe studenteve ishin shumë më tepër të “mjegullt”. Ajo kishte asistuar në marrëdhënie të këtij lloji (gjithmonë konsensuale) si në shkollën e mesme edhe në universitet, dhe askush nuk dilte i “masakruar” nga këto histori. “Gama e gjerë e ndërveprimeve seksuale midis profesorëve dhe studenteve dhe reagimi i shoqërisë ndaj tyre iu dërgon një mesazh të rrezikshëm të rinjve dhe i vendos në kushtet e një realiteti të shtrembëruar dhe hipokrit”, vazhdon Karasik.

“Nga këndvështrimi biologjik shumë adoleshentë janë seksualisht të pjekur… Prandaj ta klasifikosh çdo tip marrëdhënieje si përdhunim dhe t’ia nënshtrosh provës së një procesi e vëmendjes së opinionit publik, krijon një stigmë, një ndjesi faji e turpi shumë të rëndë për viktimat. Rezultati: kriminalizimi i këtyre marrëdhënieve, prodhon çdo gjë, por jo mbrojtjen e vajzave të përfshira”, përfundon shkrimtarja.

Por ka një gabim thelbësor në këtë arsyetim. Çështja, në fakt, nuk është dëshira e adoleshentëve ndaj figurave karizmatike: të gjithëve u ka rastisur të kenë qenë dëshmitarë të një dashurie adoleshenciale të një nxënësi/eje për ndonjë mësuese ose mësues. Çështja është te përgjegjësia e të rriturve. Kush ka një detyrë edukative nuk mund t’i lejojë vetes të tejkalojë kufijtë me një të mitur, mbi të cilin duhet të ketë një rol krejt tjetër. Dhe në fakt ligji ndalon pikërisht këtë.

Le të supozojmë që studentja në fjalë sapo ka arritur moshën madhore: mësuesi që kishte një marrëdhënie me të nuk mund të ndiqet penalisht, por ai i shmanget kështu rolit të tij edukativ, i cili është thelbësor.

Për një gjë Karasik ka të drejtë: reagimi social ndaj këtyre rasteve shpesh u bën keq viktimave. Vëmendja thuajse patologjike që tërheqin është jehonë e një “magjepsjeje” shqetësuese pas këtyre lloj lajmesh. Në sajë të gazetave dhe televizioneve dimë çdo detaj të hetimeve mbi marrëdhëniet seksuale të profesorëve me nxënëset e tyre. Në vendin ku banojnë këto vajza të gjithë e dinë kush janë dhe çfarë kanë kaluar. Janë pikërisht këto detaje që do t’i përndjekin si një fantazmë gjatë gjithë jetës./D. Gjuzi

Share This Article
3 Comments
  • Mjaft me hipokrizira, eshte sh me ndershme qe ne te gjitha endrrat e tyre, qofshin dhe keto erotike, njerezit te ndjekin persona te larte (intelektuale, avoketer, inxhiniere, artista etj) e jko te shkojne pas funderrinave te shoqerise qe nuk mund te krijojne kurre nje raport harmonik pa ndihmen e evrove dhe hekurave me ngjyra 🙁

  • Mos flisni brockulla o perverta. Me sa duket i keni bere vete keto gjera. Do te doja te dija se cfare do te thonit nqs mesuesi do te flinte me vajzen apo djalin tuaj ne moshen e gjimnazit apo tetevjecares.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *