Sektori privat duket se po ringjallet, pas një periudhe të vështirë që erdhi kryesisht për mos likuiditet. Kjo lëvizje pozitive ka çuar në tremujorin e tretë të këtij viti me përmirësim të pagave dhe shtim të vendeve të punës, të dhëna këto të publikuara nga Instituti i Statistikave. Rritjen e punësimit e kanë udhëhequr industria përpunuese dhe sektori i hotelerisë.
Industria
Gjatë tremujorit të tretë 2014, në ndryshim vjetor, numri i të punësuarve me pagesë në ndërmarrjet që operojnë në aktivitetin “Industri” (Industri nxjerrëse dhe përpunuese) u rrit me 20,8 % krahasuar me tremujorin e tretë 2013, ndryshim i cili vjen kryesisht nga rritja e këtij treguesi në “Industri përpunuese” me 22,3%. Për aktivitetet “Energji elektrike, gaz, avull” dhe “Grumbullimi, trajtimi dhe furnizimi me ujë”, ky tregues paraqitet me rritje 6,4% dhe 2,4%. Gjatë tremujorit të tretë 2014, niveli i fondit të pagave shënoi, në ndryshim vjetor, një rritje prej 20,4% në “Industri”, ndryshim i cili vjen kryesisht nga rritja e këtij treguesi në “Industri nxjerrëse” me 23,1%. Në aktivitetet “Energji elektrike, gaz, avull” dhe “Grumbullimi, trajtimi dhe furnizimi me ujë”, ky tregues u rrit përkatësisht me 13,1% dhe 11,8%.
Shërbimet
Në tremujorin e tretë 2014, në aktivitetin “Shërbime” ka pasur një rritje të numrit të të punësuarve me pagesë me 14,6%. Kontributin në këtë rritje e kanë dhënë aktivitetet “Hotele” me 27,4 %, “Aktivitete arkitekture dhe inxhinierike” me 21,6%, “Tregti me shumicë” me 17,6%, etj. Ndërsa, aktiviteti “Transport dhe magazinim” paraqitet me rënie 2,9 %. Në aktivitetin “Shërbime”, në ndryshim vjetor, në tremujorin e tretë 2014, ka patur një rritje të fondit të pagave me 7% krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë. Kontribut kryesor në rritje në këtë tregues kanë dhënë aktivitetet “Hotele” me 25%, “Informacioni dhe komunikacioni” me 23,7%, “Tregti me shumicë” me 17,9%, etj.
Ndërtimi
Indeksi i numrit të të punësuarve me pagesë në aktivitetin e ndërtimit në tremujorin e tretë 2014 paraqitet me një rritje prej 19,8% krahasuar me tremujorin e tretë 2013, fondi i pagave shënoi një rritje prej 2,4% gjatë së njëjtës periudhë.
