Sekuestrohen 2 milionë euro pasuri të Mitros dhe Mëhillajve

anazapta

Prokuroria e Krimeve të Rënda sekuestron të gjitha pasuritë dhe llogaritë bankare të ish-inspektorit të Bashkisë së Vlorës Marion Mitro dhe kushërinjve Genis dhe Andon Mëhillaj, të akuzuar si “kontraktorët e vdekjes” të grupit të tritolit dhe ekzekutimeve nga killeri i penduar Julian Sinanaj. Bëhet fjalë për të paktën 2 milionë euro pasuri të tundshme dhe të patundshme që janë gjetur përgjatë 3 muajve hetimesh ndaj tre të pandehurve që akuzohen si porositës dhe ndërmjetës për 7 atentate të dokumentuara, dy nga të cilat me vdekje, 2 me plagosje, 2 me dëme materiale dhe paralajmërime e një i mbetur në tentativë, ndaj bosit të gazit, Piro Bare. Burime nga organi i akuzës thanë se ndaj Mitros dhe Mëhillajve është ngritur akuza e re “pastrim parash”.

 

7 apartamente e 15 llogari

Përveç akuzave për akte terroriste, vrasje dhe sigurim të mjeteve për kryerjen e vrasjeve, Prokuroria e Krimeve të Rënda po heton ndaj këtyre personave dhe veprën penale të pastrimit të parave. Sipas burimeve nga Krimet e Rënda, deri në këto momente pronat e sekuestruara kanë arritur shumën e plot 2 milionë eurove, ndërsa në ditët në vazhdim do të ketë edhe sekuestro të tjera. Sekuestrimi i pasurive për Mitron dhe kushërinjtë Mëhillaj ka përfshirë prona të tyre në qytetin e Tiranës, Vlorës dhe Orikumit. Burime nga Krimet e Rënda thanë se në sekuestrimet e kryera bëhet fjalë për 7 apartamente, 3 troje, 15 llogari bankare, si dhe shtëpinë në pronësi të Andon Mëhillajt, pronë mbi të cilën u hodh dhe një sasi tritoli pak ditë pas vetëdorëzimit. Po të njëjta burime saktësuan se ende nuk ka përfunduar procesi i sekuestrimit të aseteve të këtyre shtetasve të përfshirë në veprimtari kriminale.

 

Sekuestrot e Mitros

Sipas Krimeve të Rënda, Marjon Mitros i janë sekuestruar 4 apartamente të ndryshme në Vlorë, disa llogari bankare dhe një biznes në bashkë ortakëri. Mendohet se Mitro merrej me shit-blerje apartamentesh, duke vënë në lëvizje paratë që fitonte edhe si ndërmjetësues mes personave porositës dhe vrasësit me pagesë Julian Sinanaj. Bankat e nivelit të dytë në vend mësohet se kanë njoftuar se Mitro ka pasur transaksione bankare në shuma të mëdha, me arsyetimin e shit-blerjes së apartamenteve dhe në momentin e bllokimit në llogari ndodheshin një shumë e vogël parash.

 

Sekuestrot e Mëhillajve

Ndërsa dy kushërinjve Genis dhe Andon Mëhillajt, mësohet se prokuroria i ka sekuestruar truall, shtëpi private, disa apartamente në Vlorë, Orikum dhe Tiranë, si dhe llogari bankare me shuma të ndryshme parash. Sipas dosjes, dy kushërinjtë rezultojnë me prona të shumta në Orikum, të cilat kanë pretenduar se i trashëgojnë nga familja. Ndërsa hetuesit dyshojnë se pronat dhe apartamentet janë blerë me paratë e ardhura nga puna e tyre si ndërmjetës për kryerjen e një krimi. Kjo provohet edhe nga fakti se Andon Mëhillaj e kishte porositur vrasjen e Sokol Veizit kundrejt një hyrje në Orikum, të cilën Sinanaj tashmë e ka shitur. E njëjta gjë edhe në ekzekutimin e biznesmenit Agron Çela në vitin 2013, po me apartament. Ndërkohë që kryhen hetime të mëvetësishme për biznesmenin e gazit Ilir Karçini.

 

Shtatë porositë e Mitros dhe Mëhillajve për killerin Sinanaj

Ish-inspektori Marion Mitro akuzohet për porositjen e bombës që u gjet poshtë makinës së ish-prefektit Besnik Dervishi më 13 dhjetor gjatë kontrollit të Gardës kur po hynte në Kryeministri. Gjithashtu Mitro hetohet për një tjetër porosi për eleminimin e një të riu nga Sinanaj, me të cilin kishte konflikte, por atentati dështoi dhe më pas ai i kërkoi Sinanajt përgatitjen e bombës. Kushërinjtë Genis dhe Andon Mëhillaj akuzohen se kanë urdhëruar vrasjen e Sokol Veizit në Orikum në konflikt pronësie, të Agron Çelës në një konflikt të vjetër të mbartur nga Italia. Akuzohen për porositjen e bombës ndaj ish-deputetit Ardjan Kollozi për ta trembur dhe dy herë ndaj biznesmenit të ndërtimeve E. B., ku në një rast mbeti i plagosur. Gjithashtu Mëhillajt akuzohen si ndërmjetës të Sinanajt dhe biznesmenit Karçini për vrasjen e bosit të gazit Piro Bare, më 25 janar të këtij viti në Tiranë, atentat që dështoi.

 

 

Share This Article
1 Comment
  • me ne fund kapen njerin ::::po sa hajdute te tjere ka ? //SHPRESOJ SE DO TI FUSIN BRENDA EDHE TE TJERET //GJIKA /I 2 /IMAMI //3 MVZIU 4 TE GJITHE HAJNOT NE BURG //DHE LEKET TI JEPEN TE VARFERVE ///SHQIPTAREVE

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *