Policia Kufitare në Kakavijë ka sekuestruar 32 kilogramë marjuanë. Lënda narkotike u gjet falë një kontrolli të ushtruar në autobusin e linjës Tiranë – Athinë, ndërkohë që policia ka shpallur në kërkim shoferin e autobusit.
Në njoftimin për shtyp të policisë së Gjirokastrës thuhet se “më datën 11.11.2012, efektivat e Policisë Kufitare të Stacionit të Policisë Kufitare Kakavijë, rreth orës 00:30, në Pikën e Kalimit të Kontrollit Kufitar kanë ushtruar një kontroll të imtësishëm në autobusin e linjës Albania –Interlines dhe konkretisht në autobuzin me targë YHT 9030, që drejtohej nga shtetasi Arben Hysesani, i datëlindjes 1972, lindur dhe banues në Memaliaj.
Në momentin që punonjësit e Policisë nëpërmjet mjeteve logjistike moderne kanë konstatuar se në pjesën e shkarkimit të banjës së autobuzit kishte lëndë narkotike, drejtuesi i autobuzit ka hipur menjëherë në autobus dhe është larguar me shpejtësi në drejtim të tokës greke me bagazhe hapur duke rrezikur jetën e punonjësve të policisë kufitare që po kryenin kontrollin e autobusit në bagazhe dhe tek pjesa e banjës së autobusit.
Reagimi i menjëhershëm i Punonjësve të Policisë Kufitare bëri që drejtuesi i autobusit të braktisë autobusin në tokën neutrale dhe të largohet me shpejtësi në thellësi të kufirit jeshil në tokën greke, ku ende vijon operacioni i përbashkët i policisë kufitare të Kakavijes me homologët grekë për të bërë të mundur kapjen e tij.
Policia kufitare e Kakavijes ka rikthyer autobusin përsëri në tokën shqiptare dhe ka vijuar kontrollin e imtësishëm të autobusit dhe njëkohësisht ka lajmëruar edhe grupin hetimor si dhe Specialistët e Sektorit Kundër Narkotikëve në Drejtorinë e Policisë së Qarkut Gjirokastër të cilët kanë mbërritur menjëherë në vendngjarje.
Nga kontrolli imtësishëm i autobusit rezultoi se në pjesën e shkarkimit të banjës, ndodheshin 9 pako të mëdha ku brenda tyre kishte 32 pako me peshë një kilogramë me mbishkrime përsipër, me marijuanë.
Në autobus udhëtonin edhe dy shoferët ndihmës, një shtetas shqiptar dhe një shtetas grek, të cilët janë shoqëruar në ambjentet e Drejtorisë së Policisë së Qarkut Gjirokastër për zbardhjen e plotë të ngjarjes dhe për të vërtetuar implikimin ose jo në këtë trafik të dy shoferëve ndihmës të autobusit”.