Kur na ndajnë vetëm tri ditë nga përvjetori i dytë i vrasjeve të 21 janarit, ambasadori i BE-së në Tiranë, Etore Sekui, vë theksin te shteti i së drejtës, pa forcimin e të cilit Shqipëria mund të integrohet në BE.
“Pikërisht sot 2 vjet më parë, unë arrita në Tiranë dhe vetëm 3 ditë pas ardhjes sime, ndodhi kjo tragjedi. Një tragjedi, që në udhëtimin tim të dytë në Tiranë, më trishtoi së tepërmi. Në afrimin e përkujtimit të dytë të 21 janarit, mendimet tona shkojnë në radhë të parë tek familjet e atyre që humbën jetën. Në këtë ditë, dua të shpreh ndjenjat më të sinqerta dhe dhembshurinë për humbjen e tyre.
Ky përvjetor i dytë na vë përballë faktit se hetimi dhe shqyrtimi i procesit gjyqësor ende nuk ka përfunduar. Në respekt të atyre që humbën jetën dhe shtetit ligjor, procesi duhet të përfundojnë në kohë dhe në mënyrë të pavarur. Drejtësia duhet të vihet në vend. Të gjithë politikanët u detyrohen atyre që përfaqësojnë që të punojnë për të ndërtuar një shtet ligjor më të fortë. Vetëm duke treguar se mund të kenë një shtet ligjor të fortë, Shqipëria do të mund të eci përpara drejt përmbushjes së objektivit kombëtar për hyrjen në BE”, ka thënë Sekui.
Deklarata e Sekuit në lidhje me 21 janarin vjen një ditë pasi Ambasada Amerikane në Tiranë dhe zyra e OSBE-së theksuan se kjo ngjarje nuk mund të lihet në harresë, duke kërkuar zbardhjen sa më të shpejtë të të gjithë dinamikës së ngjarjeve, ku humbën jetën katër qytetarë të pafajshëm.