Ish-deputeti i PD-së, Selami Xhepa, tha sot se Partia Demokratike duhet ta mbështesë reformën territoriale-administrative. Deklarata u bë gjatë tryezës së organizuar nga PD-ja me pjesëmarrjen e biznesit me temë ‘Ku po shkon ekonomia’, ku dhe mori përgjigje nga kreu i PD, Basha.
“Reforma territoriale duhet të kryhet dhe PD ta mbështesë, por kjo reformë duhet të shoqërohet me reforma reale të decentralizimit të pushtetit vendor, të jetë instrument për të mundësuar autoritetet lokale për më shumë mundësi dhe jo vetëm për ndryshimin e hartës”, tha Xhepa.
Pas tij, edhe kreu i dhomës së Tregtisë, Nikolin Jaka, sekretari i Përgjithshëm i Konfindustrisë, Gjergj Buxhuku theksuan gjithashtu rëndësinë për këtë reformë.
Ndërsa Basha tha se opozita është pro reformës, por theksoi se për këtë duhet konsensus, pa të cilin reforma do të ishte përjashtuese dhe e pasuksesshme.
“Kemi insistuar se do e bëjmë për respektimin e një parimi konsensusi, pa të cilin nuk do të ketë sukses. Reforma ndryshe do të ishte përjashtuese, ne nuk i ikim parimit të konsensusit, mirëpresim sugjerimet tuaja dhe presionin tuaj ndaj mazhorancës për të kuptuar se konsensusi nuk është luks por domosdoshmëri”, tha ai.