Bllokimi i mallrave në doganë është praktikë e papranueshme që dëmton marrëdhëniet tregtare mes Shqipërisë dhe Kosovës. Kështu e ka cilësuar ambasadori i Kosovës në Tiranë, Sylejman Selimi, bllokimin e sasive të miellit nga Kosova në doganën e Morinës. Sipas tij, mes dy vendeve duhet të ekzistojë liria e plotë ekonomike dhe mbështetje e bizneseve në të dy anët e kufirit. Prej një jave në doganën e Morinës janë bllokuar rreth 135 kuintal miell, për shkak të mungesës së shoqërimit të produktit me fletën e analizave për përmbajtjen e aflatoksinës. Më datë 3 Mars, ministri i Bujqësisë, Genc Ruli ka nxjerrë një urdhër, sipas të cilit produkte ushqimore të caktuara duhet të shoqërohen me fletë analizat. Zëvendësministri i Bujqësisë, Ndoc Faslia, tha se pas kryerjes së analizës së aflatoksinës, e cila rezultoi brenda standardeve, dogana shqiptare ka zhbllokuar sasinë e miellit të ardhur nga Kosova. “Ka qenë një bllokim për verifikim për sasinë e miellit që kalon nga Serbia në Kosovë dhe Shqipëri. Ka pasur sinjale se ky miell përmban metale të rënda të misrit dhe e kemi bllokuar përkohësisht. Pas verifikimeve u pa se çdo gjë është në rregull dhe mielli është zhbllokuar”, u shpreh ai.
Për situatën e krijuar ka reaguar edhe ministri i Punëve të Jashtme, Edmond Panariti. Sipas tij, akti i bllokimit pa njoftuar autoritetet përkatëse është i nxituar dhe i dëmshëm për marrëdhëniet tregtare mes dy vendeve. Gjithashtu, bllokimi i panjoftuar i mallrave bie në kundërshti me marrëveshjen e nënshkruar nga Komisioni i Përbashkët, Shqipëri – Kosovë, si pjesë e protokollit të bashkëpunimit ekonomik.