Sëmundja e 15-25 vjeçarëve, djemtë më të rrezikuar

redaktor

Spondiliti ankilozant është një nga llojet e sëmundjeve reumatizmale që prek kryesisht shtyllën kurrizore në nivel të shpinës. Mjekja Ilda Xhelili tregon për lexuesit e gazetës “Dita”, format se si shfaqet sëmundja dhe kujdesin për të lehtësuar dhimbjet. Shtylla kurrizore përbëhet nga vertebrat që vendosen njëra mbi tjetrën duke formuar një kanal, nëpër të cilin kalon palca e kurrizit. Nga të dyja anët e vertebrave dalin fije nervore të cilat inervojnë zona të caktuara të trupit. Si rezultat i faktorëve të ndryshëm vertebrat mund të pësojnë ndryshime, dëmtime ose të bashkohen (fuzionohen) dy-tre bashkë në një të vetme, duke çuar në humbjen e elasticitetit në atë nivel të shtyllës kurrizore. Për rrjedhojë vjen edhe simptoma kryesore e spondilitit ankilozant që është dhimbja dhe ngurtësimi në nivel të qafës dhe më poshtë. Këto ndryshime mund të jenë të shkallës së butë, apo edhe të rëndë. Pikërisht diagnoza dhe trajtimi i hershëm ndihmojnë për të mbajtur në kontroll dhimbjen dhe për të parandaluar deformime të rëndësishme. Kjo sëmundje prek rreth 0.5 për qind të popullsisë së rritur. Edhe pse kjo sëmundje mund të ndodhë në çdo moshë spondiliti prek më shpesh moshën e adoleshentëve dhe ata rreth të njëzetave. Ndërkohë që duke u ndalur tek gjinia, statistikat e raportuara nga strukturat shëndetësore vënë në dukje se kjo sëmundje shfaqet më e shpeshtë tek djemtë se sa tek vajzat.

Cilat janë shenjat klinike më të zakonshme të spondilitit ankilozant?

Shenjat kryesore janë dhimbjet e vazhdueshme, konstante dhe ngurtësimi i gjithë shpinës. Ngurtësimi mund të fillojë që tek qafa (vertebrat cervikale), të vazhdojë me mesin e shpinës (vertebrat e kraharorit), por, më shpesh fillon në zonën e legenit që është edhe pjesa më e madhe e shtyllës kurrizore, e cila vazhdon me kërbishtin dhe bishtin. Këta të sëmurë përjetojnë dhimbje të forta dhe vështirësi në rrotullimin e trupit. Spondiliti ankilozant mund të shkaktojë një rritje apo edhe dëmtim të jashtëzakonshëm të eshtrave, të cilat më pas mund të çojnë në bashkimin (fuzionimin, shkrirjen) jo normal të tyre. Mund të kemi fuzionim në zonën e bashkimit të brinjëve me vertebrat përkatëse dhe në këtë rast pacienti përjeton vështirësi gjatë procesit të frymëmarrjes, si rezultat i kufizimit të lëvizjeve të kafazit të kraharorit.

Përveç dëmtimeve në kocka, me çfarë simptomash të tjera shoqërohet kjo sëmundje, si dhe cilat janë ndërlikimet që mund të shfaqen nëse neglizhohet trajtimi?

Spondiliti mund të ndikojë gjithashtu tek ligamentet dhe tendinat që shërbejnë për bashkimin e kockave. Mund të zhvillohet tendiniti (infeksioni, infamacioni) i tendineve të ndryshme dhe për pasojë pacienti përjeton dhimbje të forta dhe ngurtësime në zonën përkatëse. Më i shpeshtë është prekja e tendinit të Akilit në pjesën e pasme të kyçit të këmbës. Spondiliti ankilozant është një sëmundje sistemike, që do të thotë se simptomat klinike nuk mund të jenë të kufizuara vetëm në kockat e prekura, pacientët mundtë kenë gjithashtu temperaturë, lodhje të shprehur, gjendje ethore dhe humbje të oreksit. Po ashtu mund të kemi skuqje dhe ënjtje të kyçeve të ndryshme. Në raste të rralla mund të preken edhe mushkëritë ose zemra.

Cilat janë shkaqet e kësaj sëmundje?

Edhe pse shkaku i spondilitit ankiloazant është i panjohur, personat që kanë në pemën e tyre familjare njerëz që vuajnë nga kjo sëmundje janë më të prirur për ta zhvilluar atë. Spondiliti ankilozant diagnostikohet nëpërmjet ekzaminimeve radiologjike dhe testeve laboratorike.

Si trajtohet spondiliti ankilozant?

Për këtë sëmundje nuk ka shërim të plotë. Spondiliti ankilozant është një sëmundje kronike që e shoqëron pacientin gjatë gjithë jetës. Qëllimet e trajtimit synojnë në lehtësimin e dhimbjes dhe parandalimin e deformimeve për të ruajtur aftësinë e kryerjes se aktiviteteve normale të përditshme. Në qoftë se pacientët trajtohen sa më herët dhe në mënyrën e duhur, ata mund të kenë një jetë normale. Njerëzit që diagnostikohen me këtë sëmundje duhet të jenë nën kontrollin e vazhdueshëm të mjekut të familjes, mjekut specialist dhe mjekut të fizioterapisë. Duke mbajtur një stil të shëndetshëm jetese, si dhe kujdes në marrjen e terapisë medikamentoze sipas përshkrimeve të lëshuara nga mjeku specialist, simptomat e sëmundjes mund të mbahen nën kontroll. Në raste të caktuara mund të rekomandohet edhe ndërhyrja kirurgjikale.

Në cilat raste shfaqet e domosdoshme nevoja për kryerjen e ndërhyrjeve kirurgjikale?

Në pacientët me deformime të rënda mund të jetë e nevojshme edhe ndërhyrja kirurgjikale. Pas ekzaminimeve të kryera tek pacienti, mjeku jep edhe rekomandimin përkatës në lidhje me zhvillimin ose jo të ndërhyrjes kirurgjikale, në mënyrë që të frenohen deformimet e mëtejshme.

Ushtrimet për lehtësimin e dhimbjeve

Programe të posaçme të ushtrimit të përditshëm ndihmojnë në zvogëlimin e dhimbjeve dhe të ngurtësimit të lëvizjeve. Ato gjithashtu ndihmojnë në forcimin e muskujve dhe ligamenteve për të minimizuar rrezikun e aftësisë së kufizuar. Ushtrimet e ndryshme të frymëmarrjes mund të ndihmojnë për të mbajtur kafazin e kraharorit në gjendjen e duhur gjatë procesit të frymëmarrjes. Noti është një nga sportet më dobiprurëse për pacientët e prekur nga spondiliti ankilozant.

Terapia medikamentoze

Sa i takon trajtimit mjekësor, është mjeku specialist (reumatolog) që pas vizitës së kryer përcakton edhe terapinë medikamentoze që duhet të ndjekë pacienti. Mjeku do të zgjedhë qetësuesit përkatës (Ibuprofen, aspirinë, naproksen, etj) në raport me gjendjen shëndetësore të konstatuar tek pacienti. Asnjëherë nuk duhet ta zgjidhni vetë qetësuesin, pasi mund të ndërveprojë me medikamentet e tjera që mund të merrni për sëmundje të tjera. Prandaj mjekimin e përcakton vetëm mjeku.

Nevoja për pushime

Këta pacientë kanë nevojë edhe për pushime, në rastet e rënda deri në regjim shtrati. Këta pacientë duhet të zgjedhin karrige,tavolina apo kolltukë të përshtatshëm për të shmangur përkuljet e shtyllës kurrizore. Këtyre pacientëve u rekomandohet të flenë në një shtrat të fortë dhe me dyshek të fortë, mundësisht pa jastëkë për të minimizuar përkuljen e qafës. Me tej, duhet pasur një kujdes i veçantë për të shmangur lëvizjet dhe rrotullimet e vrullshme dhe të papritura (si për shembull kërcimet dhe hedhjet).

Efektet e duhanit, alkoolit dhe dietës ushqimore

Njerëzit me spondilit nuk duhet të pinë duhan dhe alkool, pasi këto substanca e përkeqësojnë gjendjen e tyre. Ushqyerja duhet të jetë e shumëllojshme dhe e rregullt për të siguruar forcën e nevojshme të organizmit dhe imunitetin e duhur. Pra, në thelb një stil jetese i shëndetshëm dhe me një aktivitet fizik të përcaktuar nga mjeku rrit cilësinë e jetesës së pacientëve, të cilët janë të prekur nga spondiliti ankilozant.

Share This Article
2 Comments
  • Te pershendes doktoresha Pranvera ,rasesisht u kyqa ket lexim dhe me interson shum ju lutem me ktheni pergjigjje ,jetoj Amerik edhe anglisht thirret kjo semundje Ankylosing Spondylitis edhe shqip nuk edisha fare po fati me drejtoj tek shkrimi yt edhe jam e lumtur shum te pakten e kuptoj ma letë qysh ka mundesi te kumentoj ma gjer a keni nr tel.

  • Pershendetje doktor un jam nje djal 17 vjeca qe jam i prekur nga kjo semundje kam ber vizita tek rematolog dhe me kan dhan qetsuse edhe gjera te tilla doja te dija nese ka ndo nje menur per tu sheruar me te shpejt se mjeket me kan then qe duhet shum koh .. ju lutem me ktheni pergjigje

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *