Nga Kirurg oral Florjan Xholi
Kujdesi dentar është veçanërisht i rëndësishëm për njerëzit me diabet, sepse ata përballen me një rrezik më të lartë për shkak të sheqerit në gjak. Kontrolli i pakët i sheqerit në gjak, do të shkaktojë shumë probleme në shëndetin oral. Kjo është për shkak se diabeti i pakontrolluar dëmton rruazat e bardha të gjakut të cilat janë mbrojtësit kryesorë të trupit kundër infeksioneve bakteriale që mund të ndodhin në gojë.
Cilat janë problemet dentare tek njerëzit me diabet me rrezik të lartë?
Njerëzit me diabet përballen me një rrezik ku kemi :
Gojë të thatë: Diabeti i pakontrolluar mund të ulë rrjedhjen e pështymës, duke rezultuar në gojën e thatë. Goja e thatë mund të çojë më tej në hidhërim, ulcera, infeksione dhe prishjen e dhëmbëve.
Inflamacion i gingives (mishrave të dhëmbëve). Përveç dëmtimit të rruazave të bardha të gjakut, një tjetër komplikacion i diabetit është se shkakton trashjen e enëve të gjakut , e cila ngadalëson rrjedhjen ushqyese të indeve të trupit, duke përfshirë edhe gojën. Kur ky kombinim i ngjarjeve të ndodhë, aftësia e trupit për të luftuar infeksionet është zvogëluar, ku sëmundja periodontale është një infeksion bakterial, ku diabetikët me sëmundje të pakontrolluar mund të përjetojnë sëmundje më të shpeshta dhe më të rëndë te mishrave të dhëmbëve.
Shërimi i dobët i indeve: Tek njerëzit me diabet të pakontrolluar, indet nuk shërohen shpejt pas operacionit në gojë ose pas procedurave të tjera të dhëmbëve.
Njerëzit me diabet të cilët shpesh marrin antibiotikë për të luftuar infeksionet e ndryshme janë veçanërisht të prirur për të zhvilluar një infeksion fungal të gojës dhe gjuhës. Kërpudhat lulëzojnë në nivele të larta të sheqerit në pështymë tek njerëzit me diabet të pakontrolluar.
Njerëzit me diabet që pinë duhan janë në një rrezik më të lartë, deri në 20 herë më shumë për zhvillimin e sëmundjes periodontale. Pirja e duhanit gjithashtu pengon rrjedhjen e gjakut në mishrat e dhëmbëve.
Si mund të kujdesen pacientët diabetik për kavitetin oral?
Lajm i mirë për njerëzit me diabet është se duke u kujdesur për shëndetin oral si dhe mbajtja e një higjiene orale të lartë, (larje të paktën dy herë në ditë), me një pastë me përmbajtje të lartë fluoride dhe duke e mbajtur nivelin e sheqerit në gjak nën kontroll, potenciali për infeksion nga sëmundje periodontale do të reduktohet në masë të madhe dhe do të eliminohet rreziku për humbjen e dhëmbëve.
Çfarë duhet të bëjë një pacient diabetik kur shkon tek dentisti ?
Hani vaktin tuaj normal para vajtjes tek dentisti;
Merrni të gjitha medikamentet tuaja në orar;
Matni nivelin e sheqerit në gjak para ndërhyrjes;
Ndiqni udhëzime post-operative nga dentisti që ju këshillon;
Për shumicën e procedurave rutinë të dhëmbëve (p.sh. ekzaminimet, mbushjet e thjeshta, pastrim gurzash etj), nuk ka ndryshime të veçanta tek pacientet diabetik. Megjithatë, në procedura shumë të vështira ,të tilla si kirurgji të gjerë ose trajtimin e infeksionit, duhet pasur një trajtim rigoroz dhe një nivel i rregullt i sheqerit. Për raste të tilla, dentisti juaj do të punojë me mjekun tuaj për të siguruar qasje më të përshtatshme për t’u kujdesur.
Së fundi, nëse vëreni ndonjë ndryshim të pazakonshëm në gojën tuaj (p.sh. ënjtje, dhimbje, zona të kuqe), ju duhet të shihni dentistin tuaj sa më shpejt të jetë e mundur.
Këto ndryshime mund të tregojnë praninë e një infeksioni që mund të kompromentojë nivelin e sheqerit në gjakun tuaj dhe të çojë në një përkeqësim të aftësisë suaj për të luftuar infeksionin. Si rezultat, infeksioni juaj mund të jetë më i vështirë për t’u trajtuar.
