Sëmundja e përfytyrimit (Sinopse dhe proza të shkurtra)

redaktor

SHEKSPIRI

Ti e dashur Ofeli e shpik një katedrale vetëm e vetëm që të futesh aty, duke shpëtuar nga shiu i beftë jashtë, përkulesh mbi altar përballë trupit tim të kryqëzuar.

Përtej kohës unë të shoh.

I pakuptueshëm është vështrimi im ironik.

Shekspiri ka vënë dhjamë në një kolltuk duke parë telenovelat e shekujve!

 

JONIKE

Fjalët, ç’luks vegimmadh!

Të katër stinët do të më falsifikojnë mua. Do të më braktisin kipset, koha dhe harresa, zogjtë dhe ëndërrat.

Vetëm valët e Jonit më vijnë si buzët e vogla të një gruaje që kurrë nuk e njoha!

 

TEBA PA PORTA

Për Sofokliun Teba me 7 porta qe i vetmi vend i vdekshëm ku njerëzit lindnin si perëndi. Ah Teba pa porta e letërsisë!

Mbi gurët e djegur (gjeografi e metaforave) Afërdita hyjnore ecën me hapa kumbuese si një kurtizane.

 

DASMA E KANËS

Në Dasmën e Kanës Krishti dhe apostujt qenë të ftuar, mbase krushq hyjnor ose endacakë të panjohur.

Historia e rrethuar nga legjionet romake qe si grupi i xhirimit, i fotoreporterëve të lajmeve në TV, që ndjekin bëmat, gjestet, truket e VIP-ave, duke harruar atë që s’duhej harruar kurrsesi: nusen dhe dhëndrin.

Asnjë fjalë për vajzën e virgjër që do të zhvirgjërohej në mesnatë në dhomën martesore. Asnjë fjalë për dhëndrin e ri, pa përvojë, të hutuar, të heshtur, të djersitur nga mendimet përfytyruese, për aktin e orgazmës që do ta bënte burrë të vërtetë.

Askush s’i kushtoi vëmendje nuses me ankthin e së papriturës së madhe.

Apostujt prisnin mrekullinë e kthimit të ujit në verë dhe vetëm kaq.

Ah, Dasma e Kanës me nuse dhe dhëndër të harruar. Shekujt e së ardhmes s’i dinë emrat e tyre!

 

VDEKJA, LINDJA

Vdekja e Migjenit në koma është edhe e imja, ndonëse vdekja ime do të ndodhë shumë kohë më pas me siguri.

Lindja e Krishtit në Betlehem është edhe e imja ndonëse lindja ime ndoshta s’ka ndodhur kurrë, e refuzuar nga çdo kalendar.

 

AKREPAT S’NDALIN

Mund ta ndalësh një tren, një anije, t’i shmangesh nga katastrofa e paralajmëruar, por akrepat e orëve edhe duke i shkulur s’i ndal dot!

 

FYTYRA TJETËR

Ç’fytyrë tjetër unë kam nën shtresën e afreskut të lashtë onufrian?

 

MIT GLOBAL

Në një trevë ëndrrash bredhin kafshët e mia, toteme pagane.

S’do të jem në kohën që jam e mbas njëmijë shekujsh do të jem sërish në kohën që jam. Sekondat do t’i shpik tani vetëm nga pulsi i duarve të mia.

Dhe shpall një Libër të Ri si Fat-thëna e vjetër fatin mizor, vulgar për çdo qenie që lind fare kot ritualisht.

Dhe thyhet para meje një degë e lulëzuar kumbulle sikur thyhet vetë Zodiaku në një mit global kinez.

 

BUZUKU SOLSTIC

Detin e Currilave si nje kalë grifon e zbukuroj me guaskat gjerdane të yjeve.

Dhe Buzuku hyn dhe del si solstic në dimrin e shkrimeve të mia të kota.

 

GJITHËSIA KËMISHË

Pishtar që lëviz triumfues, në acar.

Pishtar-luan heraldik me krifë të purpurt flakësh dhe shekujsh. Ca muzika janë filigrame argjendi për heshtjen time prej stralli.

Çdo lule mund të ishte kishëzë e përmallimit tim, por ja që s’është.

E njoh nimfën time gjysmë breshkë e gjysmë leopard të arratisur në pyje.

Do t’i gris këto shtrëngata si shami të qëndisura me rrufe të një nuse të panjohur me të cilën kurrë nuk u martova.

Po dal, po dal! Një gjithësi të hedhur do ta gjej në Currila, këmishë të vjetër, të papërdorur më nga Zoti, Zoti!

 

KUAJT E VEGIMIT

Një shamani hidian i fisit Ogalala Siu, kur ishte 8 vjeç i sëmurë në koma ju shfaq një vegim tronditës.

Ai pa katër tufa kuajsh të mrekullueshëm që i afroheshin nga të katër horizontet.

Kuajt ishin të bardhë, të kuq, blu dhe jeshilë.

Pastaj pa gjashtë pleq viganë që ishin shpirtrat e stërgjyshërve të tij.

Ata i dhanë (në vegim) gjashtë sende magjike për mjekimin e popullit dhe i treguan një rrugë jetësore të re.

Mbas kësaj kaluan shumë vite, lëvizën shumë yllësi në qiell.

Atij i ndodhte përherë një frikë shtazore nga rrufetë. Sa herë që shkrepte një rrufe “banorët e gjëmimit” qenie të epërme i bënin thirrje “për ta shpëtuar”. Kjo i kujtonte atij trokun e kuajve që kishte parë.

Kaq e madhe qe tronditja sa binte përmbys mbi tokë gati i vdekur.

Ja tha këtë gjë një shamani tepër të moshuar mbi njëqind vjeç.

Ai i shpjegoi se frika i lind dhe e kërcënon atë për shkak se e mban vegimin brenda vetes dhe se duhej t’ia tregonte haptas gjithë njerëzve të fisit, pa vegimin të formësonte në ritual të drejtpërdrejtë. Dhe ashtu u bë.

Shamani i ri grumbullonte kuaj në pllaja dhe ndërsa kuajt vraponin të lirë ai mjekonte dhe shëronte nga vdekja njerëzit e fisit.

Pas valles rituale edhe kuajt realë që mbartin shpirtrat e kuajve të vegimit dukeshin më të zhdërvjellët dhe më të lumtur.

 

SHNDERRIMI

Një gjahtar i ri e vrau një shqiponjë të jashtëzakonshme.

Shqiponja qe gjigante dhe me pendë të ylberta.

Gjahtari qau.

Kaq shumë u mahnit nga shqiponja, nga bukuria e saj sa e balsamosi dhe filloi ta adhurojë si një totem.

Falej dhe përgjërohej në heshtje në pendim të pafund.

Një ditë para tij u dukën dy njerëz me krahë të mëdhenj shqiponje. Njerëzit qenë gjigantë. Ata i thanë se janë të dërguar për ta shpënë në mbretërinë e shqiponjave.

Kur arritën aty gjahtari dëgjoi zhurma të shurdhëta daullesh, por daullet nuk dukeshin. Para tij erdhi një grua me përmasa të mëdha, e veshur me të zeza, i tha se ishte duke rrahur dhe gjëmuar zemra e shqiponjës së vdekur, që ishte djali i saj.

Zemra s’vdiste dot në amshim.

Që ta shpëtonte shpirtin e tij gjahtari duhej të bënte festën e shqiponjës kur të kthehej në vendin e tij. Kështu ndodhi.

Gjahtari u kthye i rraskapitur. Ai s’i tha askujt ç’kishte ngjarë.

Ai organizoi për popullin e tij festën e adhurimit të shqiponjës.

Kur i erdhi vdekja të gjithë u çuditën se si këtij njeriu në shtratin e ditës së fundit nisën t’i dalin pendë të ylberta dhe dy krahë shqiponje.

Dha frymën ndërsa befas rreth e qark ndiheshin zhurma të shurdhëta daullesh.

Në çastin e kalimit në vdekje brofi, u ngrit dhe me krahët e shqiponjës fluturoi dhe u zhduk për të mos u kthyer kurrë.

Tani qe shndruar në shqiponjën që kishte vrarë në rini.

Biri i ringjallur i gruas mbretërore të shqiponjave me përmasa të mëdha diku në askundin hyjnor.

 

SËMUNDJA E PËRFYTYRIMIT

Në Mbretërinë Fantastika është Perandoresha Fëmijë. Pa emër. Befas ajo sëmuret në mënyrë enigmatike, zbehet, hollohet, zvogëlohet. Sëmundja e Perandoreshës Fëmijë ka pasoja misterioze. Rajone të tëra, dete, shpella, qytete me banorë të çuditshëm, pemët me gjethe bakri, pasqyrat prej ajri, kuajt me pendë papagajsh, lulet që marrin frymë e flasin dalëngadalë fillojnë të zhduken, humbasin në boshllëk, shndrrohen në hiç. Kështu Mbretëria Fantastika rrezikon dalëngadalë të zhbëhet, të mos jetë më. Por në botën reale të planetit njerëzit, sidomos të rriturit, nuk dinë gjë se kinse ekziston Mbretëria Fantastika.

Një fëmijë 11 vjeçar, Bastiani, jetim (i ka vdekur herët nëna) ka një jetë të vështirë, në shkollë nuk shkon dhe aq mirë, në gjimnastikë është përherë i fundit, është i ngathët. Por Bastiani është ëndërrimtar. Një ëndërrimtar i pabesueshëm.

Tek një shitës librash të vjetra ai vjedh një libër me lidhje misterioze, fshihet diku dhe zhytet në lexim. Ky libër i jashtëzakonshëm i hap portat e padukshme për te Mbretëria Fantastika. Ç’është realiteti? Ç’është iluzioni? Ç’është Perandoresha Fëmijë? Pse po vdes ajo? A duhet të vdesë? Si mund të mos vdesë? Ç’duhet bërë?

Tek Mbretëria Fantastika ka një alter ego të Bastianit, një kipc. Quhet Antreji e fluturon me Dragoin e Fatit, Fuhurin.

Antreji shkon tek Orakulli i Jugut, që i thotë se Perandoresha Fëmijë dhe Fantastika mund të shpëtohen vetëm nga një fëmijë njeriu, pra nga një fëmijë i vërtetë dhe real. Kjo ndodh për shkak se sëmundje shfarosëse e ka zanafillën pikërisht në botën e njerëzve, ata prej kohësh nuk përfytyrojnë më asgjë, sepse e kanë flijuar përfytyrimin e tyre dhe imagjinatën gjoja për hir të arsyes së vrazhdë abstrakte, të parasë dhe të gënjeshtrës së shumëfishtë, që është strukturuar si rregull, harmoni e paradoksit.

Ç’figurë jep një pasqyrë që pasqyrohet në një pasqyrë tjetër? Pse ka njerëz që nuk shkojnë kurrë në Fantastika? Pse ka njerëz që mund të shkojnë dhe mund të mbeten aty përgjithmonë? Ç’do të thotë të hysh dhe të mos dalësh? Po të mos hysh kurrë? Ata që s’e dinë (s’ka se si ta dinë, ose mos ta dinë fare) se është Mbretëria Fantastika pse duhet të interesohen, ose të preken?

Po Bastiani është i Vetmi.

Ai hyn tek Fantastika. Shpëtimtari. Sekreti i profecisë është të takojë Perëndeshën Fëmijë e t’i thotë pikërisht, përfundimisht emrin që i mungon “Bija e Hënës”. ajo do t’i japë hajmalinë me mbishkrimin “Bëj ç’të dëshirosh”. Po Bastiani e provon efektin e dykuptimtë të pushtetit që i është dhënë. Sepse në Fantastika nuk është e lejuar gjithçka. Duhet të dish të jesh realist. I vërtetë. Njerëzor. Jo magjik. Bastiani kthehet në botën reale. Kërkon ta kthejë librin e vjedhur, por libri s’është më.

Shkon tek shitësi i librave të vjetra dhe i thotë për librin. Ç’libër, i thotë shitësi plak (quhej Koreander) s’e kam parë kurrë një libër të tillë, një libër që s’ka ekzistuar asnjëherë. Ndoshta vërtet libri s’ka ekzistuar kurrë. Ndoshta.

Por njëfarë fëmije tjetër Mikael Ende, i lindur në 12 nëntor 1929 qe biri i piktorit surrealist gjerman Egdar Ende në Mynih. Dhe Mikael Ende qe ëndërrimtar dhe i shkujdesur. Kinse nisi të shkruajë letër si për fëmijë duke thënë: “unë nuk shkruaj për fëmijë, unë interesohem më shumë për disa mundësi të poezisë. Po të isha piktor do të pikturoja pak si Chagall-i”. E pra ai e shkroi librin “Historia pa mbarim”, brenda tij këtë libër e konceptoi fëmija i harruar Bastian.

Thuhet se Bastiani u zhduk duke mos u rritur dot. Se s’mund të rritej. Mbase shkoi në Mbretërinë Fantastika dhe u bë Perandori Fëmijë për të ndenjur në amëshim me Bijën e Hënës, Perandoreshën Fëmijë. Sëmundja e përfytyrimit e ka një terapi mendore. Të tjetërsohet, rafinohet.

Tek çdo subjekt janë të gjitha subjektet. Me gjeografinë e përtejme tek Fantastika Bastiani (pa një lindje konkrete, por me lindje si personazh) është Hamleti dhe Bija e Hënës Ofelia. Shekspiri s’do ta kundërshtonte me tërbim këtë variant, hulli kaq pllenuese, por edhe kontradiktore. Por edhe Romeo dhe Zhuljeta.

Vetë Shekspiri i pushtuar nga përfytyrimi i papërmbajtshëm i konverton lehtësisht dhe pa kujdes personazhet.

Pra edhe Bastiani ka të drejtë të jetë Romeo dhe Bija e Hënës Zhuljeta. Janë e njëjta gjë.

Share This Article
2 Comments
  • NUK ESHTE CESHTJE “A KE KOHE?!” PER TE SHKRUAR KAQ SHKURT- PER TE FOLUR KAQ GJATE: NE THELLESI PA FUND E NE LARTESI ,DERI :NE PAFUNDESI PER T’U BASHKUAR TEK TY ME KAQ BUKURI PER TE ENDERRUAR EDHE KUR JE ZGJUAR…..!

    • Nuk eshte ceshtje ” a ke kohe?!” per te shkruar kaq shkurt e per te folur kaq gjate: ne thellesi pa fund e ne lartesi deri ne pafundesi e njks te vije kaq bukur tek lexuesit… Meriton aq shume pergezime, vleresim e falenderime! Te botohen si libra xhepi sdm per te rinjte qe te dine te zgjedhin vertet mencurite!

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *