Sëmundja e përfytyrimit

Ornela

Moikom Zeqo

Në Mbretërinë Fantastika është Perandoresha Fëmijë.
Pa emër.

Befas ajo sëmuret në mënyrë enigmatike, zbehet, hollohet, zvogëlohet.
Sëmundja e Perandoreshës Fëmijë ka pasoja misterioze.
Rajone të tëra, dete, shpella, qytete me banorë të çuditshëm, pemët me gjethe bakri, pasqyrat prej ajri, kuajt me pendë papagajsh, lulet që marrin frymë e flasin dalëngadalë fillojnë të zhduken, humbasin në boshllëk, shndrrohen në hiç. Kështu Mbretëria Fantastika rrezikon dalëngadalë të zhbëhet, të mos jetë më. Por në botën reale të planetit njerëzit, sidomos të rriturit, nuk dinë gjë se kinse ekziston Mbretëria Fantastika.

Një fëmijë 11 vjeçar, Bastiani, jetim (i ka vdekur herët nëna) ka një jetë të vështirë, në shkollë nuk shkon dhe aq mirë, në gjimnastikë është përherë i fundit, është i ngathët.

Por Bastiani është ëndërrimtar.
Një ëndërrimtar i pabesueshëm.
Tek një shitës librash të vjetra ai vjedh një libër me lidhje misterioze, fshihet diku dhe zhytet në lexim.
Ky libër i jashtëzakonshëm i hap portat e padukshme për te Mbretëria Fantastika.
Ç’është realiteti?
Ç’është iluzioni?
Ç’është Perandoresha Fëmijë?
Pse po vdes ajo?
A duhet të vdesë?
Si mund të mos vdesë?
Ç’duhet bërë?

Tek Mbretëria Fantastika ka një alter ego të Bastianit, një kipc.
Quhet Antreji e fluturon me Dragoin e Fatit, Fuhurin. Antrepi shkon tek Orakulli i Jugut, që i thotë se Perandoresha Fëmijë dhe Fantastika mund të shpëtohen vetëm nga një fëmijë njeriu, pra nga një fëmijë i vërtetë dhe real.
Kjo ndodh për shkak se sëmundje shfarosëse e ka zanafillën pikërisht në botën e njerëzve, ata prej kohësh nuk përfytyrojnë më asgjë, sepse e kanë flijuar përfytyrimin e tyre dhe imagjinatën gjoja për hir të arsyes së vrazhdë abstrakte, të parasë dhe të gënjeshtrës së shumëfishtë, që është strukturuar si rregull, harmoni e paradoksit.

Ç’figurë jep një pasqyrë që pasqyrohet në një pasqyrë tjetër?
Pse ka njerëz që nuk shkojnë kurrë në Fantastika?
Pse ka njerëz që mund të shkojnë dhe mund të mbeten aty përgjithmonë?
Ç’do të thotë të hysh dhe të mos dalësh?
Po të mos hysh kurrë?
Ata që s’e dinë (s’ka se si ta dinë, ose mos ta dinë fare) se është Mbretëria Fantastika pse duhet të interesohen, ose të preken?
Po Bastiani është i Vetmi.

Ai hyn tek Fantastika.
Shpëtimtari.
Sekreti i profecisë është të takojë Perëndeshën Fëmijë e t’i thotë pikërisht, përfundimisht emrin që i mungon “Bija e Hënës”. ajo do t’i japë hajmalinë me mbishkrimin “Bëj ç’të dëshirosh”.

Po Bastiani e provon efektin e dykuptimtë të pushtetit që i është dhënë.
Sepse në Fantastika nuk është e lejuar gjithçka. Duhet të dish të jesh realist.
I vërtetë.
Njerëzor.
Jo magjik.
Bastiani kthehet në botën reale.
Kërkon t’ia kthejë librin e vjedhur, por libri s’është më.

Shkon tek shitësi i librave të vjetra dhe i thotë për librin. Ç’libër, i thotë shitësi plak (quhej Koreander) s’e kam parë kurrë një libër të tillë, një libër që s’ka ekzistuar asnjëherë.
Ndoshta vërtet libri s’ka ekzistuar kurrë.
Ndoshta.

Por njëfarë fëmije tjetër Mikael Ende, i lindur në 12 nëntor 1929 qe biri i piktorit surrealist gjerman Egdar Ende në Mynih. Dhe Mikael Ende qe ëndërrimtar dhe i shkujdesur.

Kinse nisi të shkruajë letër si për fëmijë duke thënë: “unë nuk shkruaj për fëmijë, unë interesohem më shumë për disa mundësi të poezisë.
Po të isha piktor do të pikturoja pak si Chagall-i”.
E pra ai e shkroi librin “Historia pa mbarim”, brenda tij këtë libër e konceptoi fëmija i harruar Bastian.
Thuhet se Bastiani u zhduk duke mos u rritur dot.
Se s’mund të rritej.
Mbase shkoi në Mbretërinë Fantastika dhe u bë Perandori Fëmijë për të ndenjur në amëshim me Bijën e Hënës, Perandoreshën Fëmijë.

Sëmundja e përfytyrimit e ka një terapi mendore.
Të tjetërsohet, rafinohet.
Tek çdo subjekt janë të gjitha subjektet. Me gjeografinë e përtejme tek Fantastika Bastiani (pa një lindje konkrete, por me lindje si personazh) është Hamleti dhe Bija e Hënës Ofelia. Shekspiri s’do ta kundërshtonte me tërbim këtë variant, hulli kaq pllenuese, por edhe kontradiktore.
Por edhe Romeo dhe Zhuljeta.
Vetë Shekspiri i pushtuar nga përfytyrimi i papërmbajtshëm i konverton lehtësisht dhe pa kujdes personazhet.
Pra edhe Bastiani ka të drejtë të jetë Romeo dhe Bija e Hënës Zhuljeta.

Janë e njëjta gjë.

PARAVDEKJA

Muzgu drithërues me këngëzon mbi supe.
Me shumë plleja rrëfimi unë i rregoj statujat e personazheve.
Ca fantazma me nderin përpara syve hartat e Eldorados.
Si ta ikonizoj këtë stuhi të purpurt?
Tej ravizohet pranvera si e qeshur argjenti.
Dhe bëj gjeste në ajër, që nuk fiksohen në telajo.

Muzgu zgjat si letargjia.
Si ta gjej atë kohë të rrallë ku paravdekja zgjat më shumë se amshimi?

KALENDARI KUTI SHAHU

Shpirti im prej Orfeu arratiset tek lira rrufesh që treten, zhduken.
Kalendari është kuti shahu me katrore të bardha ditësh dhe katrore të zeza netësh, ku njerëzit lëvizin, ngjarjet, pamjet, idetë si figurat shahistike në lojën e pafundme.

CJAPI MITIK

Do të vijë cjapi mitik me shtatë brirë.
Ajri është ngurosur.
Shpirtrat s’e depërtojnë dot.
E ardhmja jetohet vetëm si e tashme.
S’ka më heronj!
Burrat janë mallra seksi, ambalazhuar nga këmishët!

GJYSMËMUSHKRIA

Shtëpia e Çobejt në Gjirokastër është gjysmëmushkria prej guri me të cilën frymëmerr ende Buzuku i harruar.

BABAI

Babai iku i ri, diku në hapësirën e pas-jetës në një shkallare yjesh dhe resh, po pa shtëpi, në trajtat pa mure, pa çati, pa lundrim në det, pa dhimbje, ankth, pa gazeta, pa nikotinë, pa pagjumësi, pa fjalë.

Ah, Babai!

POETI

Poeti udhëton pa harta.
Ka disa universe të printuar.
Ai është vetë busulla.
Fuqitë misterioze e refuzojnë.
Lëvizja pa karburant, pa shkëndija elektrike, pa kuantikë.
Zhduken formulat.
Humbasin numrat.
Dhe Ai është Ai që është.
Sepse ka qenë dhe do të jetë.
Dhe është i vdekshëm për të mos qenë!
Dhe s’është i pavdekshëm pikërisht për të qenë!

EGJIPTI I IMAGJINATËS

Pëlhura entuziaste të pikturës mbështillmëni!
I pabalsamosur jam mbi pëllëmbët e mëdha të shtrëngatave, jam s’e s’mundet të mos jem!
Dhe hyu Anibus prej fildishi të zi klith përpara portës prej graniti dhe ëndrre, prej bronzi dhe tymi.
Egjipti i imagjinatës time është bërë një tjetër kozmos, që s’binjakëzohet dot.

As s’zhduket dot.

100 VJESHTAT

Po e lëviz këtë vjeshta, më saktë 100 vjeshtat e shekullit XII si një zhvendosje tekstesh mistike nëpër libra të rëndomtë!

SHTRËNGATA QIVUR
Deti i Currilave nga ndjesitë thyhet si qelq venecian.
Sytë m’u pikëzuan tek këta korale okër.
Në përmasat e dritës realiteti ikën e vendoset (zhvendoset) në një tjetër realitet.

Shtrëngata do të vijë si një qivur për mua!

AMNEZIA KANIBALE

Heronjtë tradhtojnë vetë qytetërimin.
Heronjtë janë fjalët tona, tashmë të harruara.

Amnezia kanibale!

MUND TË ISHA, POR S’JAM

Midis malit dhe lumit mund të isha det, por ja që s’jam!

Midis pemës dhe zenitit mund të isha shqiponjë, por ja që s’jam!

Midis shekullit të Teutës ilire dhe kështjellës së Krujës mund të isha Skënderbe, por ja që s’jam!

AUTOSTRADAT MENDORE

Krishti i tregon Thomait dyshues të trafikut plagët vezulluese të semaforëve.

Por aksidentet në autostradat mendore janë të pashmangshme. Ah!

QYTETI I PËRJETSHËM

Vizatohet nga një teolog urbanist, apo urbanist teolog Qyteti i Përjetshëm, po pa maternitete, pa varreza!

RATS=STAR

Është acar?
Keni ftohtë?
Po ju ofroj o shekuj për ngrohje qymyr nga trupi i shkrumbosur i Jan Husit.
Ah, Jan Husi!
Rrugë dhe peizazhe obskure.

Kush e ka parë filmin e Fritz Lang-ut “Metropol” për një utopi negative në vitin 2026?

Në anglisht emri Rats do të thotë Minjtë, mbrapsht është Star, dmth Yll.

AKSIDENT

Malet për transcendentalët nuk kanë asnjë peshë, ata qeshin me Njutonin e rëndë, të plogët, të frikësuar nga rënia e mollës idiote nga pema pakuptim.

Misteri është kështu shpesh një aksident banal i një realiteti akoma më banal.

KUJTESA E INTERNUAR

Poeti si alibi s’na e thotë kurrë vendin e kujtesës së tij të internuar.

Perënditë kibernetike e urrejnë barin e gjelbër, të gjallë, të shkujdesur të Whitman-it.
Gratacielat janë sarkofagë me ajër të kondicionuar.
In saecula saecularum!
Virtual reality!

Mbase dora e Lukianit i ka shkruar disa rreshta në librat e mi të botuar dhe të pabotuar.
Mbase unë i kam huazuar disa subjekte fantazmagorike vetë James Joyce-it!

DRITA VJEN NGA FERRI

Mbretëresha angleze Elisabeta tha dikur në latinisht “Pauper ubique jacet” (« Të varfrit janë kudo »)
O Engjëll i Errësirës i Ernesto Sabatos !
Varfëria është Ferri!

George Byron ka shkruar: “Wander stop e piss!” (“Udhëtar ndalu dhe shurro!”)
Ah, Varfëria!
Ah, Ferri!
Drita s’vjen nga Parajsa!
Vjen nga Ferri!

FABURL
“Gruaja ime është engjëll” tha A.

“Qenke me fat”, ja ktheu B “e imja është ende gjallë”.

NGUSHËLLIMI

Pinoku vajton tek varri i Arlekinit, por Princi i Vogël i Ekzyperisë e ngushëllon!

THYJINI PASQYRAT

Pasqyra ndonëse është si dera e hapur është po aq e padepërtueshme si një mur i mbyllur.
Mes pasqyrave je brenda një piramide dhe jo jashtë saj. Iluzioni i hapjes është mbyllja më fatale.
Thyejini pasqyrat!
Pra iluzionet e palëndeshme!

AKILI DHE ÇADRA

Ç’klithma korbash janë çadra ku vdiq Akili?
Kaluan mijëvjeçarët.
Akili s’është më.
S’ka më Akil.
Por klithmat i thurin në ajër çadrën, më të pavdekshme se vetë Akili.

VETËM

Jam vetëm.
Vijnë të vdekurit të më ngushëllojnë.

Homeri më sjell një amforë me verë,- Ana Komnena pak opium të Bizantit, – Majakovski më këshillon të mos bëj vetëvrasje!

Share This Article
1 Comment

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *