Sëmundja ulceroze , është një ndër patologjitë më të shpeshta të aparatit tretës.
Ajo në vetvete përfaqëson një plagë në mukozën e aparatit tretës dhe ka lokalizime të ndryshme: në ezofag, në stomak dhe në duoden (zorrë), që është edhe vendi me i zakonshëm i ulcerave.
Sëmundja ulceroze mund të prekë të gjitha moshat, madje mund të shfaqet edhe në mosha pediatrie, si për shembull tek moshat 10 vjeç, janë hasur raste me ulcera kryesisht duodenale, si pasoje e infektimit të hershëm në moshën pediatrike me bakterin e “helicobacter pylori”.
Shenjat tipike të ulcerës
Megjithatë, pavarësisht lokalizimit, ulcera ka shenjën e saj tipike: dhimbjen që shkakton. Ulcera mund të prezantohet edhe me shenja të tjera, si: të përzierat dhe të vjellat, uria, simptoma dispeptike dhe kolonike (çrregullim i zorrës së trashe që shoqërohet me kapsllëk).
Sot sëmundja ulceroze mjekohet fare mirë me medikamente, të cilat përshkruhen në mënyrë të detajuar nga mjeku specialist, në varësi të stadit në të cilin ndodhet sëmundja tek pacienti.
Më pas vazhdohet me mjekim mbajtës për aq kohë sa e arsyeton mjeku, i cili bazohet në praninë e simptomave të pacientit. Zbulimi i hershëm i sëmundjes, si dhe ndjekja e një skeme të mirë mjekimi, sigurojnë rezultate shumë të mira në shërimin e kësaj patologjie.
Pacientët me këtë sëmundje duhet të jenë shumë të kujdesshëm edhe në ndjekjen e një regjimi të ekuilibruar ushqimor.
Pavarësisht se ulcera mund të mbyllet, pacienti mund të ketë ankesa që lidhen me aciditetin e shtuar të stomakut. Ndër të tjera, aciditeti i stomakut mund të rritet nën veprimin e disa medikamenteve, ndaj përdorimi i tyre duhet të bëhet vetëm sipas rekomandimeve të mjekut.
Rol të rëndësishëm në rritjen e aciditetit të stomakut ka edhe regjimi ynë ushqimor.
Këtu futen së pari rregullat në oraret e ngrënies, duke ngrëne të tre vaktet rregullisht, por pa u ngopur, madje midis vakteve mund të konsumohet fare pak ushqim, në mënyrë që stomaku ynë të mos ngelet bosh për orë të tëra.
Duhet të bëjmë kujdes në zgjedhjen e ushqimeve. Në këto kushte nuk duhen konsumuar ushqime të skuqura, me vajra, me salcë, me piper apo turshi pasi këto shoqërohen me rritje të aciditetit të stomakut. Mënyra më e shëndetshme është përdorimi i ushqimeve të ziera, ose të gatuara në furrë.
Kjo stinë ka disa lloj frutash dhe perimesh, të cilat përveç vlerave ushqimore që kanë çojnë në rritje të aciditetit të stomakut duke provokuar: dhimbje, djegie apo urth.
Prandaj edhe këtu duhet bërë kujdes në përdorimin e tepruar të tyre. Mirë është që të evitohen bostani, domatja, rrushi, etj.
Dieta juaj duhet të jetë e pasur me fibra: zarzavate (okër, patate e ëmbël, kungull, brokoli, lakër brukseli, karota, bizele, patate, fruta si: banane, avokado, bajame dhe vaji i bajameve.
Rekomandohet orizi kafe, elbi, tërshëra që kanë përmbajtje të lartë fibrash dhe që ndihmojnë në mbulimin natyral të ulcerës dhe lehtësojnë dhimbjen.
Gjithashtu duhet të përfshini edhe vitaminat në dietën tuaj. Vitaminat dhe mineralet janë gjithmonë dobiprurëse.
Ato shërbejnë si një çelës i shpejtë për shërimin e ulcerës.
Ndër më dobiprurëset rezultojnë të jenë Vitamina A, që klasifikohet si nismëtare e procesit të shërimit të indit të dëmtuar (ka një rol mbrojtës ndaj sëmundjes ulceroze), Vitamina B kompleks, që njihet si shërues i përgjithshëm, vitamina C dhe bioflavonoid, vitamina E që ndihmon në zhdukjen e dhimbjes dhe reduktimin e aciditetit të stomakut, vitamina K që parandalon hemorragjinë.
Po ashtu, duhet të përdoren dhe mineralet si: kalciumi, magnezi, potasium dhe zinku që janë të vlefshëm në procesin shërues.
Çdo njeri duhet të bëhet vetë mjeku i organizmit të tij në evitimin e atyre ushqimeve që provokojnë shqetësimet e mësipërme.
Ndër simptomat e shpeshta që shkakton ulcera peptike janë:
- Dhimbja abdominale me lokalizim në epigastër, që lidhet kryesisht me kohën e ushqimit. Zakonisht kjo dhimbje nis rreth 3 orë pas ushqimit ( për shembull dhimbja e ulcerës duodenale qetësohet nga ushqimi, ndërsa dhimbja që shkakton ulcera e stomakut acarohet nga ushqimi).
- Fryrje abdominale.
- Të përziera ose të vjella.
- Rikthimi i lëngjeve acide të stomakut në ezofag.
- Humbje të oreksit dhe humbje peshe.
- Melena që është eleminimi i feçeve me ngjyrë të zezë si qymyr dhe me erë të keqe.
- Por, ka dhe ulcera që nuk shfaqin shenja, apo simptoma që quhen ndryshe “ulcera memece”. Në këtë rast ulcera mund të prezantohet vetëm nga komplikacionet e saj, që tashmë mund të jenë një urgjencë kirurgjikale (perforacioni), stenoza, ose bllokimi i zbrazjes së stomakut në duoden (zorrë) dhe hemorragjia gastro-intestinale që është kërcënuese për jetën.
