Sëmundjet, dokumentet që duhen për pagesat e paaftësisë së përkohshme

Pranvera Kola

Një person i siguruar që vuan nga një aksident në punë, ose sëmundje profesionale ka të drejtë që të përfitojë nga skema e sigurimeve shoqërore pagesën e paaftësisë së përkohshme për shkak të sëmundjeve të përgjithshme. Sipas kushteve të përcaktuara në legjislacionin përkatës, 14 ditëshi i parë i kësaj pagese shlyhet nga ana e subjektit ku punon përfituesi. Ndërsa mbi ditën e 14-të të raporteve, të cilat jepen nga Komisioni Mjeko-Ligjor (KML), pagesa mbulohet nga sigurimet shoqërore, por gjithmonë llogaritjet e raporteve bëhen nga subjekti.

Pagesa për paaftësi të përkohshme, si pasojë e një aksidenti në punë, ose sëmundjeje profesionale, e provuar nga një komision mjekësh ekspertë kompetentë (KML), do të jetë e barabartë me 100 për qind të mesatares ditore të bazës së vlerësuar neto të gjashtë muajve të fundit, nga data e lindjes së të drejtës, paguar për një periudhë përfitimi deri në 12 muaj.

Për të përfituar këtë pagesë të paaftësisë së  përkohshme për shkak të sëmundjeve të përgjithshme, në dosjen e të punësuarve në qytet duhet të përfshini këto dokumente: “Raportet e paaftësisë, fotokopjen e raportit deri në ditën e 14 paguar nga punëdhënësi, vërtetimet e pagës bruto/neto e gjashtë muajve të fundit, fotokopje të librezës së punës, ose vërtetim vjetërsie, fotokopje të Kartës së Identitetit, listë-pagesa, si dhe fotokopje të raportit mjeko-ligjor, që është i aftë për punë (nëse ka 3 muaj ose më pak periudhë sigurimi), si dhe një fotokopje të kontratës individuale (nëse ka 3 muaj ose më pak periudhë sigurimi).

Ndërsa në rastet e aksidenteve në punë dhe sëmundjeve profesionale kërkohen: “Raportet, vërtetimi i pagës bruto/neto e 6 muajve të fundit. Vërtetimi duhet të jetë i konfirmuar nga Arkivi i Sigurimeve Shoqërore, ose i shoqëruar me një vërtetim page nga zyra e tatim- taksave”. Në këto raste duhet që të dorëzoni procesverbali tip, i aprovuar nga Ministria e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale sipas VKM-së nr. 788/14.12.2005, tek sigurimet shoqërore, si dhe listë-pagesa (formulari tip). Në rastin e invaliditetit të pjesshëm duhen “Listpagesa (formulari tip), fotokopje e urdhër-pagesës së invalidit.

Sektori i financës së subjektit, mbështetur në dokumentet e secilës kategori plotëson formularin tip-“Listëpagesë e përfitimeve afatshkurtra”, dhe e dërgon atë në ALSSH-në ku ka aktivitetin subjekti. Agjencia Lokale e Sigurimeve Shoqërore pasi kontrollon dhe verifikon dokumentet e sjella, i kalon pagesat në llogarinë personale të përfituesit, ose në llogarinë e subjektit. Në vijim të shkrimit do të gjeni të plotë dosjen e dokumenteve që duhet të dorëzoni për secilin prej këtyre rasteve.

Dosja e dokumenteve për paaftësi të përkohshme për shkak të sëmundjeve të përgjithshme

Për të punësuarit/at

  • Raporte paaftësie.
  • Fotokopje të raportit 14 (paguar punëdhënësi).
  • Vërtetimi i pagës bruto/neto e gjashtë muajve të fundit. Vërtetimi duhet të jetë i konfirmuar nga Arkivi i Sigurimeve Shoqërore, ose i shoqëruar me një vërtetim page nga zyra e tatim-taksave.
  • Fotokopje të librezës së punës ose vërtetim vjetërsie.
  • Fotokopje të Kartës së Identitetit.
  • Listë pagesa (formulari tip).
  • Fotokopje të raportit mjeko-ligjor, që është i aftë për punë (nëse ka 3 muaj ose më pak periudhë sigurimi).
  • Fotokopje të kontratës individuale (nëse ka 3 muaj ose më pak periudhë sigurimi).

Dosja e dokumenteve për paaftësi të përkohshme nga aksidentet në punë dhe sëmundjet profesionale

  1. Për të punësuarit/at
  • Raportet.
  • Vërtetimi i pagës bruto/neto e 6 muajve të fundit. Vërtetimi duhet të jetë i konfirmuar nga Arkivi i Sigurimeve Shoqërore, ose i shoqëruar me një vërtetim page nga zyra e tatim- taksave.
  • Proces-verbali tip, i aprovuar sipas VKM-së nr. 788/14.12.2005, tek sigurimet shoqërore qëndron fleta ngjyrë rozë, kur është aksident).
  • Listë-pagesa (formulari tip).
  1. Invaliditeti i pjesshëm
  • Listë-pagesa (formulari tip).
  • Fotokopje e urdhër-pagesës së invalidit.
  1. Shpenzime varrimi
  • Listë-pagesa (formulari tip).
  • Vërtetimi i pagës.
  • Certifikatë vdekjeje (duhet të lexojë vetëm shpenzime varrimi).

p.k/dita 

Share This Article
Leave a Comment

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *