Mungesa e aparaturave në rrethe ka detyruar mijëra pacientë që të vijnë ccdo vit drejt kryeqytetit për të kryer kontrollet përkatëse për shkak të problemeve të shfaqura në mushkëritë e tyre. Ndërkohë që edhe me ardhjen në Spitalin Universitar “Shefqet Ndroqi”, pacientët janë detyruar të presin radhën deri në kryerjen e ekzaminimit dhe marrjen e trajtimit, pasi dhe këtu përballen me një fluks të lartë. Autoritetet shëndetësore të këtij spitali vënë në dukje se nga sëmundjet pulmonare (të mushkërive) vuajnë rreth 12.4 për qind e popullatës, kryesisht moshat e rritura mbi 40 vjeç. Njëkohësisht i lartë paraqitet edhe niveli i vdekshmërisë së shkaktuar nga ndërlikimet e kësaj patologjie. Sipas mjekëve çdo ditë pranë këtij spitali paraqitet një fluks i lartë pacientësh,teksa në një vit diagnostikohen mbi 3000 persona që vuajnë nga sëmundjet polmunare. ”Në Shqipëri sëmundjet polmunare obstrotive kanë një prevalencë shumë të lartë rreth 12.4 për qind e popullatës mbi 40-vjeç vuan nga kjo sëmundje, e cila ka dëmshmëri shumë të lartë dhe është shkak i invaliditetit”, shprehet mjeku Hasan Hafizi. Këto raportime janë bërë gjatë vendosjes së 8 spirometrave të rinj në punë, aparatura këto që shërbejnë për një diagnostikim të shpejtë dhe në kohë të sëmundjes. Spirometri është pajisje mjekësore që shërben për matjen e vëllimit të ajrit që shkëmbehet nga mushkëritë, ku nëpërmjet realizimit të spirogramës mundësohet identifikimi i patologjive të ndryshme respiratore. Këto pajisje janë pjesë e një programi bashkëpunimi të ndërmarrë nga Ministria e Shëndetësisë për përmirësimin e kujdesit parësor dhe atij spitalor shëndetësor për diagnostikimin dhe trajtimin e sëmundjeve të mushkërive, i cili do të mundësojë instalimin e dhjetëra aparaturave të tjera edhe në shumë rrethe të tjera të vendit. Konkretisht është menduar që deri në mbyllje të muajit mars të instalohen dhjetëra aparatura të tilla në spitalet dhe poliklinikat e rretheve. Në këtë mënyrë pakësohet edhe fluksi i pacientëve që paraqiten në QSUT.
I pranishëm në këtë aktivitet ishte edhe kreu i Shëndetësisë Ilir Beqaj, ku ka pohuar se në këtë spital do ketë edhe një ndërhyrje në përmirësimin e shërbimeve të ndryshme, por në radhë të parë duhet të paguhet borxhet e trashëguara nga e kaluara. Mjekët thonë se rreth 90 për qind të rretheve ka munguar aparatura e spirometrit, e për këtë arsye pacientët janë dyndur drejt këtij spitali. Për të shmangur këtë fluks të lartë vizitash është menduar që brenda një harku të shkurtër kohor në të gjithë vendin do të shpërndahen rreth 60 pajisje të tilla, të cilat do të vendosen edhe në qendrat shëndetësore. “Janë rreth 600 mijë dollarë që duhet t’i paguajmë dhe ndërkohë duhet brenda këtij viti ne besoj se ne do të mund të hapim këtu edhe shërbimin koronografisë. Sepse pajisja është e investuar prej 2-3 vjetësh por do duhet të vëmë në punë në radhë të parë reanimacionin sepse mund të ndodhi që rastet kanë nevojë. Të garantojmë furnizimin në spital me materiale mjekësore të nevojshme për këto ekzaminime. Është një pjesë e angazhimit që ka shndërruar këtë spital në një spital rajonal, ku mund të marr përsipër edhe një pjesë të urgjencës”, ka shtuar ministri Beqaj. Ndër komplikacionet e shpeshta që shfaqet është edhe kanceri i mushkërive.