“Në botën e fëmijëve femrat nuk preken”. Atëherë ajo thotë, “Ejani të zhvendosemi të gjitha për në botën e fëmijëve. Ejani të shkojmë atje ku një vajzë 22 vjeçare nuk vritet nëse nuk përgjigjet në telefon.Të vrapojmë nga këtu ku femrat që guxojnë të refuzojnë e hanë plumbin në ballë. Të zhdukemi nga bota e ngacmimeve seksuale Brenda vetë mureve të spitalit. Ejani të rendim drejt botës së fëmijëve – aty femrave nuk mund t’u gjuash as me lule. Vetëm se është pak larg,është në Itali”. Një faqe italiane në Facebook, Fanpage.it, pati idenë për të realizuar një video që të përcillte një mesazh të madh. E pra bëhet fjalë për atë thënien ku seç përmendet fjala “femër”. Mos I prekni femrat thonë. Femra pra, ajo “gjëja” që duan të na gënjejnë duke thënë se është e brishtë, delikate dhe se mbaj mend se çfarë tjetër. Po unë e kam parë këtë “gjënë” dhe është shumë e ngjashme me ne njerëzit burrërorë. Vetëm se ka diçka ndryshe. Tek femra kam parë një dritë të madhe. Pastaj edhe kam ndjerë një ngrohtësi që guxon të depërtojë thellë. Më duket se ka objektiv një vend aty rreth kraharorit, ku seç rreh diçka. S’e kam kuptuar kurrë se ç’është.
Po gjithsesi pak rëndësi ka kjo. Po flisja për këtë “gjënë”, femra më duket se quhej. E urrej! Po po, e urrej! Pikërisht për këtë dritën që ka dhe që më vret sytë. Në vendin tim, në Shqipëri, këtë lloj “gjëje” e sheh kudo. Por ne njerëzit burrërorë jemi mësuar tashmë. Jemi mësuar se kemi të drejtë të bëjmë ç’të duam me të. Femrat nga ana e tyre duhet të pranojnë prej nesh çfarë u serviret. Epo nuk kanë si bëjnë ndryshe sepse nëse guxojnë ne mund t’i zhdukim fare nga kjo botë thjesht me një plumb ballit. Ka disa njerëz që janë më zemërmirë (dhe sa për mua kot e kanë) të cilët nuk i’a japin plumbin menjëherë. Këto sillen aq mirë me femrën, saqë kur ato bëjnë diçka që nuk duhet, zemërmirët thjesht i rrahin ose i nxijnë. Po në fund pastaj u soset edhe atyre durimi dhe detyrohen të marrin kallashnikovin e t’i japin fund njëherë e mirë.
Një ditë pashë në facebook një video të çuditshme.Videon e kishin bërë në Itali. Kam dëgjuar se andej njerëzimin burrëror mund ta pushtojë ky lloji që quhet femër. Vetë e kanë fajin, kur kërkuan autonomi femrat ata ua dhanë.
Ajo që më drodhi ishte se vura re që kur flisnin për “gjënë”, dmth për femrën, flisnin sikur ato të ishin njerëz sikurse ne.
Letër e nënshkruar,
Ilda Xhafa
