Ambasadori i Bashkimit Europian në Tiranë, Etore Sequi, ka shprehur qëndrimin e BE në lidhje me deklaratat nacionaliste të kohëve të fundit. Duke folur në një prononcim për mediat, Sequi tha se ndan të njëjtin opinion me homologun e tij amerikan, Arvizu. Ai theksoi se Shqipëria duhet të vazhdojë të luajë rol stabilizues në rajon dhe vendet e BE-së nuk do të donin të shikonin ndryshim kufijsh.
“Shqipëria ka luajtur rol konstruktiv në rajon dhe gjithnjë ka adoptuar politikë të fqinjësisë së mirë. Ky rol stabilizues është gjithashtu pjesë e obligimeve të Shqipërisë në rrugën europiane. Unifikimi i kulturës shqiptare duhet të realizohet brenda kornizës së perspektivës europiane të vendit dhe rajonit. Ajo që është rëndësishme është se Shqipëria do të vazhdojë të luajë këtë rol dhe do të jetë faktor stabiliteti në rajon. Dhe ajo që është pozicion i BE-së lidhur me këtë çështje:
BE beson se çështja e integritetit kufitar nuk është një çështje dhe ne nuk do të donim të shikonim ndryshim kufijsh. Këshilli mirëpret rolin konstruktiv të Shqipërisë në rajon dhe i bën thirrje Shqipërisë të shmangë deklaratat që janë në kundërshtim me marrëdhëniet e fqinjësisë së mirë”, tha Sequi.