Ministri i Jashtëm, Ditmir Bushati, ka pritur sot ambasadorin e BE-së, Ettore Sequi. Në mbyllje të takimit të zhvilluar me Ministrinë e Jashtme me Bushatin, Sekui e ka vlerësuar vizitën në Bruksel një sukses të madh.
“Ne diskutuam rreth rezultateve dhe hapave që duhen ndjekur pas vizitës në Bruksel. Një vizitë që ishte një sukses i madh. Vizitë që i bëri të mundur institucioneve të BE që të mësonin për programin e qeverisë së re drejt BE. Bushati u tregua i sjellshëm pasi ndau me ne vizionin e tij, programin, që do t’i përkufizoja si vizionare dhe frymëzuese. Unë i shpreha angazhimin dhe mbështetje e BE për këtë vizion të tij, roli i MJ është tepër kyç në çdo vend evropian. Ne jemi të angazhuar që ky rol të jetë i suksesshëm. Theksoj fjalët e Bushatit për rolin e Shqipërisë në rajon, dhe për ta uruar dhe për fjalët e urta që përdori për marrëdhëniet mes forcave politike në vend. Rruga drejt BE është rruga drejt gjithëpërfshirjes, bashkëpunimit dhe angazhimit të të gjithë faktorëve në vend”, tha Sekui.
Ndërsa ministri Bushati ka theksuar se gjatë takimit është diskutuar mbi detyrat që duhet të ndjekë qeveria dhe aktorët e tjerë pas vizitës së qeverisë së re në Bruksel.
“E informova ambasadorin për prioritetet kryesore të politikës sonë të jashtme, zhvillimet në rajon, përgatitjet që po bëjmë me rastin e vizitës në Nju Jork dhe qëndrimin e rakorduar që ka qeveria me partnerët strategjikë SHBA dhe BE. E falënderova për lehtësimin e vizitës sonë në Bruksel, mesazhet e qarta mbështetëse inkurajuese dhe punën që na pret në procesin e kandidimit, për qeverinë ku unë shërbej çështja e statusit dhe fillimi i bisedimeve për anëtarësim është ndër prioritet kryesore dhe rikonfirmova qëndrimin e qeverisë shqiptare të bërë publik nga kryeministri Rama në Bruksel që do vazhdojmë nga arritjet e qeverisë së shkuar dhe bipartizanizmi politik për kriteret e mbetura. Ne një proces gjithëpërfshirës me opozitën parlamentare”, tha ai.
