“Në Shqipëri të tregohemi inteligjentë dhe të luajmë me kurajë”. Ka qenë ky mesazhi që kanë përcjellë futbollistët dhe stafi teknik i Kombëtares serbe në ditën e parë të grumbullimit në “Stara Pazova” në prag të dy sfidave ndaj Kombëtares kuqezi dhe Portugalisë.
Problemet kanë qenë të shumta në për trajnerin Radovan Curcic, i cili në sfidën e “Elbasan Arenës” përveç Lazar Markovic, Filip Kostic, Nemanja Maksimovic dhe Dusan Bastas rrezikon të mos ketë edhe mesfushorin e Chelsea-it, Nemanja Matic, dhe talentin e Partizanit të Beogradit, Andrija Zivkovic. Të dy këta futbollistë nuk janë stërvitur për shkak të problemeve muskulore dhe gjasat më të mëdha janë që të mos luajnë ndaj Shqipërisë.
Për takimin e “Elbasan Arenës” folën për mediat tre futbollistë serbë pikërisht portieri Vladimir Stojkovic dhe mesfushorët, Dusan Tadic e Zoran Tosic. Gardiani 32-vjeçar që luan për Maccabi Haifan në Izrael u shfaq optimist përsa u përket shanseve që ka Serbia për të marrë një rezultat në sfidën e kësaj të enjteje: “Të tilla ndeshje duhet t’i luash me qetësi dhe mençuri. E dimë që futbollistët e Kombëtares shqiptare janë shumë të motivuar për këtë sfidë, por ne kemi detyrimin për kombin serb dhe për tifozët tanë të luajmë një ndeshje të mirë dhe të synojmë fitoren. Puna jonë do të jetë e vështirë, pasi në Shqipëri mbizotëron një atmosferë e madhe për këtë sfidë. Kushtet e sigurisë? Unë nuk kam frikë, vëmendja jonë është e gjitha te fusha e lojës ku do të kemi si objektiv kryesor të japim më të mirën tonë”.
Sipas mesfushorit të Southamptonit, Dusan Tadic, edhe pse Serbia nuk ka më asnjë shans për t’u kualifikuar në Europianin francez, sfida e “Elbasan Arenës” është një takim që duhet fituar nga skuadra e Radovan Curcic: “Në karrierën tonë kemi luajtur edhe ndeshje më të rëndësishme se kjo. Fakti që kemi humbur mundësinë për të qenë në Francë, na bën të luajmë pa presion dhe të japim maksimumin për të mundur Shqipërinë. Nuk ndiej aspak frikë për këtë ndeshje, jam i sigurtë se në Elbasan do të luhet një takim i bukur futbolli”.
