Mëngjesin e së martës mediat serbe raportuan mbi arrestimin e Darko Sariç, i njohur ndryshe si “lordi i drogës” i Ballkanit. Duke folur në një konferencë për shtyp në Beograd, ministri serb i Drejtësisë, Nikola Selakoviç, konfirmoi arrestimin e tij por nuk qartësoi se ku dhe kur kishte ndodhur. Televizioni shtetëror serb tha se 44-vjeçari ishte arrestuar dje në një operacion të suksesshëm pas bashkëpunimit të forcave policore serbe me ato malazeze, të koordinuara nga shërbimet sekrete të të dyja vendeve.
Por zyrtarë serbë pohuan se Sariç, mbi të cilin rëndon akuza e trafikimit të 5.7 tonë kokainë dhe ajo për pastrim parash, pranoi të dorëzohej pa kushte kur CIA arriti të lokalizonte vendndodhjen e tij në një shtet të paidentifikuar të Amerikës Latine. Kushti i vetëm i tij për t’u dorëzuar ishte që të takonte familjen dhe avokatin e tij në Mal të Zi, vendin e lindjes.
Rrjeti amerikan “Fox News” shkruante të martën se zv/kryeministri i Serbisë, Aleksandar Vuçiç i shprehu falënderimet shtetit amerikan: “Dëshiroj të shpreh falënderimet e mia të veçanta për Agjencinë Amerikane të Inteligjencës, CIA”, gjë që nënkupton edhe ndihmën amerikane në kapjen e të shumëkërkuarit. Një video e policisë tregoi Darko Sariçin me pranga në një avion qeveritar që fluturoi nga Podgorica drejt Beogradit.
Sariç ishte i panjohur për publikun deri në tetor të 2009-s, kur mbi 2.7 tonë kokainë u kapën në afërsi të brigjeve uruguajane në një aksion ndërkombëtar policor. Ngarkesa në jahtin “Maui” e ankoruar në portin “Santiago Vasquez” afër Montevideos, iu atribuua atij. Autoritetet serbe zbuluan se Sariç ishte kreu i një prej organizatave kriminale më të fuqishme në Ballkan, e përfshirë në trafikimin e kokainës nga Amerika e Jugut, në vendet ballkanike, e më tej në Evropën Perëndimore.
I lindur më 21 tetor 1970, në Pljevlja të Malit të Zi, Darko Sariç, me origjinë malazeze dhe me nënshtetësi serbe, ka tre fëmijë nga dy martesa të përfunduara në divorc. Ndërsa kontrollonte kompanitë e tij në Serbi dhe në Mal të Zi, ai drejtonte një nga kartelet më aktive të drogës në një rrjet që shtrihej nga Amerika e Jugut (Kolumbi-Argjentinë-Uruguaj) në Ballkan, Itali e Slloveni për të përfunduar në shtetet e Evropës Perëndimore.
Të dhënat tregojnë se pjesën më të madhe të parave nga trafiku i kokainës, Sariç i riciklonte duke e investuar në privatizimin e hoteleve të rëndësishme në Serbi dhe në blerjen e kompanive nga njerëz të cilët ishin akuzuar dhe arrestuar për përfshirje në krimin e organizuar, kryesisht kontrabandën e cigareve. Një rast që tërhoqi vëmendjen e medieve në Serbi ishte shitja për 30 milionë euro e kompanisë së tij distributore “Stampa SISTEM” qendrës mediatike gjermane “WAZZ”.
Sipas Sllobodan Homen, zëdhënës i Ministrisë së Drejtësisë në Serbi, Sariç dhe grupi i tij kishin përfituar mbi 1 miliard euro në vit gjatë dy viteve të fundit. Veç kësaj, Sariç drejtonte shumë kompani të tjera në Serbi dhe Mal të Zi, të përfshira në veprimtari të ndryshme, që nga mediat dhe ndërtimin e kopshteve për fëmijë deri te klubet e natës.
Ai ndodhej në arrati që nga viti 2009 kur ndaj tij u lëshua një urdhër arresti ndërkombëtar. Mundi t’i shpëtonte arrestimit duke u larguar drejt Amerikës së Jugut, por disa nga bashkëpunëtorët e tij ranë në pranga dhe tani janë në pritje të gjykimit. Ata kanë pranuar fajin dhe kanë nënshkruar marrëveshje me Prokurorinë e Serbisë për dënime të shkurtra me burg. Anëtarë të tjerë të grupit jetojnë në Mal të Zi, ku qeveria deri më tani nuk ka vepruar për arrestimin e tyre dhe ekstradimin në vendet ku ata janë të kërkuar. Asete si vilat, apartamentet dhe kompanitë që Sariçi zotëronte në Serbi u konfiskuan nga shteti, por dyshohet se ai ka ende prona në Mali të Zi.
Në janar të 2014-s, Aleksandër Vuçiç, i cili pritet të marrë së shpejti postin e kryeministrit të Serbisë pas zgjedhjeve të 16 marsit, deklaroi se priste që çështjes së bosit famëkeq të drogës, t’i jepej fund brenda disa javëve ose muajve me arrestimin e tij. Vuçiç bëri të qartë se “Serbia kishte një bashkëpunim shumë të mirë me të gjitha shërbimet e rëndësishme evropiane dhe botërore në përpjekje për të gjetur Sariçin. Deklarata e tij erdhi pas kapjes në flagrancë të një prej partnerëve të tij në biznesin ilegal, Milan Obradovic, me një 1 kg kokainë të pastër me vlerë 400.000 euro.
Sariç po ashtu dyshohet të ketë pasur lidhje me disa shtetarë serbë. Në 2013-n, shtypi lokal shkroi për një takim të një prej të besuarve të Sariç me kryeministrin Ivica Daçiç, po ashtu edhe për lidhjet e tij me super-bosin e drogës në Ballkan, shqiptarin Naser Kelmendi, i arrestuar vitin e kaluar në Kosovë. Të dy bashkë kanë trafikuar drogë nga Amerika e Jugut drejt Evropës. Gazeta serbe “Blic” shkruante se para pak kohësh Sariç kishte firmosur një marrëveshje me autoritetet e Shteteve të Bashkuara për të dëshmuar në proces kundër Kelmendit./Dorina Gjuzi
